Agjencia Zhurnal.mk.

Zgjedhjet në Gjermani dhe ‘roli i fuqishëm’ i medieve sociale

Në fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare 2021, Facebook, Instagram & co. janë më të rëndësishme se kurrë për partitë gjermane. Partia e djathtë, AfD i shfrytëzon këto platforma shumë më me sukses se konkurrenca.

 

Mediat sociale po i kthejnë me kokë poshtë raportet politike në Gjermani. Edhe pse partitë në pushtet, kristiandemokratët CDU dhe socialdemokratët SPD, kanë numrin më të madh të anëtarëve, në Facebook dhe media të tjera sociale ata janë vetëm liliputë të komunikimit.

Partia ultra e djathtë, AfD ende e re ngarend shumë më përpara. Kjo është interesante, kur kemi parasysh rëndësinë gjithnjë e më të madhe të mediave sociale në fushatën zgjedhore të partive.

Edhe partitë e tjera në Gjermani, si të Gjelbrit apo Liberalët, duket se janë të përgatitur më mirë për të luftuar për vota në internet sesa CDU/CSU dhe SPD.

Për të krahasuar ofertat e politikanëve dhe partive, Deutsche Welle krahasoi publikimet e tyre në platformat Facebook, Instagram, YouTube dhe Twitter në periudhën nga 1 qershori deri me 15 gusht 2021.

Për këtë u përdor analizuesi “Storyclash”, me anë të të cilit mund të krahasohen numrat e shikimeve të videove apo interaksionet e përdoruesve me ofertat.

Më pak oferta – më shumë sukses

Politikania më e suksesshme gjermane në internet është kandidatja kryesore e AfD, Alice Weidel.

Edhe pse ajo nuk ka shanse të fitojë zgjedhjet apo të bëhet kancelare, videot e saj në hapësirën kohore të sipërpërmendur u shikuan rreth 4.9 milion herë në mediat sociale.

Të gjithë kandidatët e tjerë dalin me as një çerektën.

Me një rezultat tepër të keq shfaqet kandidati për kancelar nga Unioni Kristiandemokrat, Armin Laschet me vetëm 320.000 shikime, edhe pse ai është një nga favoritët në garën për pasuesin e kancelares Angela Merkel.

Weidel fiton ndaj konkurrencës, edhe për sa i përket ndarjes dhe komentimit të postimeve.

Kjo gjë ka shumë rëndësi për lidhjen e përdoruesve me ofertat. Konsulenti i komunikimit Johannes Hillje mendon se suksesi nuk është rastësi.

“Ekziston një afinitet mes algoritmeve të mediave sociale dhe polarizimit dhe emocionalizimit të populistëve të djathtë”.

AfD bazohet mbi emocione.

Në radhë të parë te frika dhe zemërimi: frika nga emigrantët, kriminaliteti dhe rrënimi social, dhe zemërimi ndaj Angela Merkelit, qeverisësve dhe elitave. Përmbajtjet e saj kjo parti i shet shpesh me parulla sensacionale si: “Gjermania po bëhet republikë bananesh”.

Postimet e demokristianit Laschet nga ana tjetër mbeten të zbehta: slogani i tij “Mbrojtja inteligjente e klimës është detyrë gjithëpërfshirëse” ka mobilizuar vetëm pak përdorues në internet.

Sukses në zgjedhje falë Facebook-ut

Facebooku ka në radhë të parë rëndësi të veçantë për ngjitjen e AfD.

Që nga themelimi në vitin 2013 partia ankohet se përfaqësohet pak në mediat kryesore.

AfD gjeti pastaj te Facebooku një platformë, ku mund të lidheshin ndjekësit e saj dhe ku partia mund të përhapte të pafiltruara fushatat e saj raciste dhe nacionaliste.

Në një intervistë për DW, zëdhënësi i shtypit të grupit parlamentar AfD, Marcus Schmidt, shprehet me bindje: “Pa Facebookun mendoj se AfD nuk do të ishte bërë kaq shpejt kaq e suksesshme”.

Edhe analiza e DW tregon se deri sot Facebooku luan një rol të jashtëzakonshëm për prezencën e AfD në mediat sociale.

Kandidatja kryesore Alice Weidel realizon këtu rreth 84 për qind të interaksioneve të saj.

Për trajnimin e personelit të saj në mediat sociale partia AfD merr mesa duket mbështetje edhe nga Facebooku.

Kjo konfirmohet nga një punonjës i grupit parlamentar të AfD në një intervistë për DW.

Kjo shihet nga ofertat.

Ato duken më konkrete dhe më të kuptueshme se ato të konkurrencës politike.

Shkrimi në titujt kryesorë dhe tekstet është shpesh më i madh dhe më i lexueshëm se tek partitë e tjera, dizajni është konsekuent dhe uniform.

Të gjitha këto janë elemente të vogla, që krijojnë suksesin digjital.

Dezinformimi si model biznesi?

Ofertat kanë në radhë të parë një gjë, janë më emocionale.

“Mendoj se emocionaliteti në sensin e një komunikimi të bazuar në vlera është shumë i rëndësishëm për suksesin në mediat sociale”, thotë konsulenti i komunikimit Hillje. “Fatkeqësisht emocionaliteti te partitë e tjera ngatërrohet shumë shpesh me mos të qenit racional.” Hillje ka shkruar një libër mbi strategjinë e AfD në internet. Në të ai paralajmëron se kjo parti me anë të aparatit të saj mediatik dëshiron të krijojë një “shoqëri të djathtë radikale të dezinformuar”.

Lajmet e rreme dhe dezinformimi kanë qenë që në fillim pjesë e fushatave të AfD.

Partia duket se vepron në mënyrën e ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili kujdesej pak për të vërtetën në mesazhet e tij në Twitter.

Ajo që kishte rëndësi, ishte vëmendja. Analiza e DW për një video-koment të deputetit të AfD në Bundestag, Stephan Brandner, në YouTube tregon një strategji të ngjashme.

Akuza të tilla hidhen poshtë nga partia. Drejtuesi i ekipit të mediave sociale të grupit parlamentar të AfD, Mario Hau, tha për DW: “Ne i bëjmë të gjitha këto të bazuara në fakte, bazuar në, për shembull, pyetje dhe hulumtime, ne nuk prodhojmë lajme të rreme”.

Interneti si Perëndimi i egër

Duke pasur parasysh rritjen e rëndësisë të mediave sociale, një aleancë civile e sindikatave dhe iniciativave në Gjermani u bën thirrje partive, që të angazhohen për një fushatë elektorale të drejtë dhe transparente në internet.

Felix Kartte nga nisma “Reset” thekson se për fushatat zgjedhore në rrugë dhe për reklamat elektorale në televizion ka prej kohësh rregulla strikte.

“Por asnjë nga këto rregulla nuk zbatohet në internet. Në mediat sociale është pak a shumë si në Perëndimin e egër, gjë që shkon shumë në favor të AfD”.

Alternativa për Gjermaninë i refuzon thirrjet për angazhimin e të gjitha partive për një fushatë zgjedhore të drejtë dhe transparente.

Në një intervistë për DW zëdhënësi i shtypit të grupit parlamentar të AfD, Marcus Schmidt, i quan të tilla iniciativa një “show” për të diskredituar partinë e tij.

Duke pasur parasysh informacionet e rreme, kritikët mendojnë se edhe kompanitë e mëdha të teknologjisë kanë përgjegjësi.

“Është detyrë e platformave, që të mos ndihmojnë që artikujt me informacion të rremë dhe gënjeshtra të arrijnë të shpërndahen më shumë”, kërkon konsulenti i komunikimit Johannes Hillje.

Përveç kësaj lajmet e rreme do të duhej të bëheshin të dallueshme për përdoruesit. /dw/

Related posts

Elon Musk zbulon anijen-dron të SpaceX për ulje raketash në det

D V

Bien përkohësisht ueb-faqet e disa kompanive botërore

D V

Pixel 6 do të kushtojë 550 dhe Pixel 6 Pro 900 euro

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More