Shkup, 10 janar – Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë dhe deputete e GERB opozitare në Parlamentin bullgar, Ekaterina Zaharieva, e ka kritikuar presidentin Rumen Radev për shkak të konvokimit të mbledhjes së Këshillit këshillëdhënës për sigurinë kombëtare për Maqedoninë e Veriut.
Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Sofja, Zaharieva deklaroi për BNT se Këshilli këshillëdhënës për sigurinë kombëtare nuk është thirrur nga presidenti për dy vjet, gjë që sipas saj është kundër ligjit. Zaharieva beson se Radev duhet ta kishte mbledhur Këshillin për të paktën katër tema – sië ëshzë kriza me Kovidin, inflacioni, kriza e çmimeve të energjisë dhe konfliktet midis Rusisë, Ukrainës dhe asaj që po ndodh në Kazakistan. Sipas saj, këto janë tema shumë më të rëndësishme se Maqedonia e Veriut.
Ekaterina Zaharieva u shpreh kategorike se nuk sheh kërcënim për sigurinë kombëtare të Bullgarisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut, përveç nëse, siç tha ajo, nëse presidenti Radev sheh kërcënim.
Ajo tha se për konfliktin në Kazakistan flitet në të gjithë botën dhe vetëm në Bullgari presidenti dhe qeveria heshtin. Zaharieva shtoi se në Bullgari ka baza të NATO-s dhe se nuk ka asnjë aleat të vetëm të NATO-s që dëshiron tensione pranë kufijve të saj.