Tensione të forta përfshinë Gjykatën e Fierit mëngjesin e kësaj të enjte, teksa familjarët e Mateo Vasiut, prisnin ardhjen e Klodian Çalamanit, të akuzuar për vrasjen barbare të vogëlushit 8-vjeçar.
Kërkesa e tyre për të qenë të pranishëm në sallën e gjyqit kur të jepej vendimi shkaktoi edhe përplasje me policinë.
Kërkesa e tyre ishte dënimi me vdekje i 38-vjeçarit. Një pjesë e familjarëve hynë me forcë në mjediset e gjykatës, për të cilët u desh ndërhyrja e uniformave blu që të largohen sërish.
Për më shumë se 1 orë familjarët dhe qytetarë të tjerë kanë bllokuar hyrjen e gjykatës duke mos lejuar kalimin e asnjë automjeti.
Në këtë situatë trupa gjykuese vendosi ta linte në burg 38-vjeçarin Klodian Çalamani në një seancë pa praninë e medias. Vetë i akuzuari nuk u paraqit pasi përmes një deklarate refuzoi të ishte i pranishëm në seancë. Pas seancës deklaroi tërheqjen edhe avokati mbrojtës i caktuar nga shteti.
Të bindur se përballja me vrasësin e fëmijës nuk ishte e mundur, familjarët e Mateos kërkuan dënim me varje për Çalamanin në një peticion që po firmoset në qendër të qytetit.
Familjarëve të Mateos u janë bashkuar edhe qytetarë të Fierit duke kërkuar dënim maksimal për 38-vjeçarin, madje duke firmosur edhe peticionin për ekzekutimin e tij.
Tv Klan