Shkup, 19 mars – Dëshmia e djeshme e të akuzuarit Bojan Jovanovski në rastin “Lidhja Ndërkombëtare” vërtetoi se pas çdo marrëveshjeje të turbullt dhe korrupsionit në Maqedoni qëndron Zoran Zaev. Në fakt, kjo edhe një herë tregon se të gjitha paratë e reketimit në Maqedoni duhet të kërkohen nga Zoran dhe Vice Zaevi, thotë VMRO-DPMNE. Nëse pas pretendimeve të djeshme të Jovanovskit do të kishte sundim të ligjit, prokuroria do ta thërriste Zoran Zaev në pyetje për t’iu përgjigjur se cili ishte roli i tij në marrëveshjen kontestuese mes biznesmenëve dhe Lidhjes Ndërkombëtar. Siç ka dëshmuar i pandehuri Jovanovski, Zoran Zaev, Aleksandar Kiracovski dhe Stefan Bogoev kanë ditur për këtë marrëveshje.
“Pse nuk thirren në pyetje Zaev, Kiracovski dhe Bogoev pas deklaratave të tilla? Stefan Bogoev si nënkryetar aktual i Kovaçevskit pas një pretendimi të tillë duhet të dalë dhe të japë dorëheqje. Dhe Kovaçevski në vend që të heshtë dhe të sillet sikur nuk është nga këtu, duhet të marrë masa për njerëzit e tij që janë pranë tij dhe i kanë marrë 350.000 euro para të gatshme, siç u pretendua dje në sallën e gjyqit. Nëse i kanë marrë atëherë, më besoni, me siguri dikush nga ajo parti vazhdon ta bëjë këtë edhe tani derisa është Kovaçevski në pushtet”, u shpreh Dimçe Arsovski nga VMRO – DPMNE.
LSDM: Mickoski të japë dorëheqje pas rastit “Titanik”. Ndaj akuzave të Arsovskit ka reaguar zëdhënësja e social demokratëve Bogdanka Kuzeska.
“Ajo që mund të themi është se VMRO-DPMNE duke u marrë me akuza të pa baza, më në fund le të dalin dhe të kërkojnë dorëheqjen e Hristijan Mickoskit dhe të gjithë të dënuarve dhe të pandehurve të tjerë në lëndët gjyqësore dhe prova më e madhe është rasti “Titanik” ku ka të akuzuar, ish dhe aktualë si dhe të dënuar se si për 11 vite VMRO-DPMNE falsifikoi vullnetin e qytetarëve dhe gjithë ato vite u mbajt artificialisht në pushtet”, theksoi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Hristijan Mickoski në atë kohë ishte këshilltar i Nikolla Gruevskit dhe sekretar i tij i përgjithshëm në VMRO-DPMNE. Kështu duhet të përgjigjet dhe me çfarë duhet të merret VMRO-DPMNE, tha Kuzevska.