Feronikeli ka pësuar një humbje tronditëse në hapjen e edicionit pranveror në BKT Superligë.
Drita e mposhti me rezultat të thellë skuadrën nga Drenasi 7-0.
Gjilanasit ishin të pamëshirshëm për ‘Industrialistët’, teksa pas kësaj humbje asnjë nga Nikli nuk u prononcua pas ndeshjes.
Tani ka ardhur reagimi i klubit nga Drenasi në faqen e tyre në rrjetin social FaceBook.
Nikli ka shkruar se duhet të përmirësohen, teksa kanë thënë se ëndrrat e disa skuadrave të Superligës për t’i mposhtur me rezultat të thellë po bëhen realitet.
Njoftimi i plotë i klubit nga Drenasi:
Humbje që nuk kapërdihet lehtë
Feronikeli humbet ndeshjen e parë të këtij gjysmëstinori, me rezultat të thellë 7-0, si mysafir të FC Drita.
Pjesa e parë përfundoi me rezultat 3-0, kurse në pjesën e dytë, vendësit realizuan edhe katër gola të tjerë.
Një ndeshje ku djelmoshat tanë treguan se ju mungon eksperienca dhe fiziku për përballje të tilla, një ndeshje ku u panë karakteret ekipore të të dyja skuadrave.
FC Drita ishte dukshëm më e mirë dhe nuk hezitoi të tregojë forcën që ka në skuadër.
Ne na mbetet të përmirësohemi dhe të mos harrojmë që po luajmë në Superligë.
Tifozëve ju kërkojmë falje për këtë disfatë, por kriza jonë financiare, pamundësia për të krijuar ekip konkurrues, ka bërë që shumë ëndrra të skuadrave tjera të Superligës të fillojnë te realizohen me rezultate të tilla. /Gazeta Olle/