Agjencia Zhurnal.mk.

Vizita e sekretarit Stoltenberg në rajon, a ka të bëjë me paralajëmrimet e Zelenskit se Rusia po nxit konflikt në Ballkan?

Shkup, 20 nëntor – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha sot në Sarajevë se aleanca veri-atlantike ndihet e shqetësuar nga retorika e ndarjes dhe nga ndikimi rus në rajon.
“Ajo kërcënon minimin e stabilitetit dhe dobësimin e reformave. Të gjithë liderët duhet të punojnë për të ecur përpara. Për ne është tejet me rëndësi dhe ne jemi të përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin e këtij rajoni, dhe vendit tuaj i cili ka shumë rëndësi për rajonin e Ballkanit Perëndimor, prandaj ne po e thellojmë dialogun politik dhe bashkëpunimin tonë praktik”, tha Stoltenberg në Sarajevë.

Ai shtoi se aleatët “e mbështesin fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës”.
Më parë, Stoltenberg kishte deklaruar se Bosnja e Hercegovina, bashkë me Gjeorgjinë dhe Moldavinë, i përkasin vendeve që e meritojnë një vëmendje të veçantë nga NATO-ja.
Me vizitën në në Bosnjë e Hercegovinë, Stoltenberg filloi turin e vizitave në Ballkanin Perëndimor, kurse pasditen e sotme do të mbërrijë në Kosovë ku do të takohet me kreun shtetëror.

Edhe Stolteberg përsërit shqetësimin për ndikimin rus në Ballkan!

Vizita e Stoltenberg në rajonin neuralgjik të Ballkanit Perëndimor vjen në kohën kur presidenti ukrainas Vlodymyr Zelensky, ka bërë thirrje që t’i kushtohet vëmendje më e madhe rajonit, pasi sipas tij, ka informacione se Rusia po planifikon të nisë një luftë për ta larguar vëmendjen nga Ukraina.
Edhe pse vizita e Stoltenberg mund të jetë planifikuar prej më herët, megjithatë nga deklaratat e dhëna në Sarajevë, vërehet qartë se Sekretari i përgjithshëm i NATO-s ndann të njëjtat shqetësime me me paralajmërimet që bëri residenti ukrainas, shkruan Zhurnal.

Presidenti ukrainas të enjten e kaluar gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët ka thënë se Rusia mund të krijojë kriza të reja në Ballkan dhe Moldavi në mënyrë që të largojë vëmendjen e botës nga lufta.
“Sot, të gjithë po diskutojnë krizën në Lindjen e Mesme. Por, siç thashë më parë, sinqerisht, nuk është problem i djeshëm. Të gjithë e dinë për këtë konflikt të vazhdueshëm dhe luftë të vazhdueshme, por askush nuk dëshiron t’i japë fund sepse është i përshtatshëm. Pas shpërthimit në Lindjen e Mesme qëndron Rusia, ne jemi të sigurt, me aleatin e saj Iranin”, ka thënë ai.

Sipas tij, Rusia është e interesuar që ndihma e vendeve perëndimore të shkojë në shumë drejtime.
Edhe pse disa analistë deklaratën e Zelenskit e shohin në kontekst të akuzave të ndërsjella Kiev-Moskë, deri sa po vazhdon agresioni rus, megjithatë duhet pasur parasysh se në këto momente lufte presidenti ukrainas është një nga burrështetasit më të informuar. Në kuadër të synimeve për të penguar suskesin e agresionit rus, Perëndimi e ka furnizuar Ukrainën jo vetëm me armatim, por edhe me tekonologji më moderne zbulimi dhe kundërzbulimi, gjë që e vërtetojnë edhe shumë biseda të përgjuara të ushtarëve e ushtarakëve rusë.

Prandaj ka shumë gjasë që edhe informacionet e Zelenskit për nxitje konflikti në Ballkan të jenë siguruar falë këtyre pajisjeve moderne, shkruan Zhurnal. “Kini kujdes Ballkanin. Më besoni, po marrim informacione: Rusia ka një plan të gjatë. Lindja e Mesme, pastaj të paktën do të jetë Ballkani, nëse vendet e botës nuk bëjnë asgjë tani. Do të ketë një tjetër shpërthim të tillë”, ka thënë Zelensky.
Që Ballkani lehtë mund të rrëshqasë në konflikt, tregojnë ngjarjet e viteve të 90-ta. Mbetet të shohim se sa me seriozitet do të merren paralajmërimet aktuale nga ana e fuqive të mëdha, por edhe nga liderët e vendeve të rajonit, që skenaret luftënxitëse të mos kenë sukses.

Sepse edhe analistë të njohur ndërkombëtarë pajtohen me paralajëmrimet që bëri presidenti ukrainas,e mes tyre është edhe Rebekah Koffler, analiste strategjike e inteligjencës ushtarake dhe autore e librit “Putin’s Playbook”.
“Zelenskyy ka të drejtë. Një konflikt ka nisur në Ballkan prej muajsh, nëse jo më gjatë”, tha ajo për Fox Neës Digital. “Ndërsa Rusia nuk ka gjasa të fillojë një luftë të plotë në këtë kohë – pasi Putini ka përkushtuar pjesën më të madhe të fuqisë ushtarake dhe materialit të tij në fushën e betejës në Ukrainë – është pothuajse e sigurt që Moska do të vazhdojë operacionet e saj të fshehta të destabilizimit në Ballkan”.

“Rusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Shpërbërja e Jugosllavisë ishte një goditje e fortë për Putinin. Pra, ndryshimi i situatës në Kosovë është qëllimi i tij strategjik. Prandaj, ne do të shohim gjithnjë e më shumë destabilitet në Ballkan, veçanërisht tani që Shtetet e Bashkuara janë hiper-përqendruar në Lindjen e Mesme”.
Forcat ruse prisnin një fitore të shpejtë mbi forcat e armatosura ukrainase dhe pak rezistencë nga popullsia gjatë pushtimit fillestar, me shumë që parashikonin rënien e Kievit brenda disa ditësh. Gjatë gati dy viteve luftime, Ukraina, me mbështetje të qëndrueshme ushtarake dhe financiare nga ShBA dhe NATO, i shtyu forcat ruse në lindje dhe çliroi territorin e pushtuar. Shifrat e fundit të dhëna nga Britania e Madhe vlerësojnë se mbi 300,000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur dhe dhjetëra mijëra janë dezertuar.

Nëse Rusia synon të mbjellë destabilitet në Ballkan për të shpërqendruar vëmendjen nga dështimet ushtarake në Ukrainë, nuk do të ishte befasi për asnjë vëzhgues të rajonit.
“Zelensky ka absolutisht të drejtë. Putini me të vërtetë dëshiron të nxisë konflikte në pjesë të tjera të botës për të shkëputur vëmendjen nga Ukraina pasi ai e konsideron luftën në Ukrainë si një luftë ekzistenciale për Rusinë dhe nuk do të ndalet në asgjë për ta fituar atë”, një burim diplomatik me njohuri prej eksperti për rajoni, i tha “Fox Neës Digital”.

ShBA-ja është përpjekur të shtyjë Serbinë dhe vendet e tjera të Ballkanit që të bëjnë reformat e nevojshme demokratike për të përmbushur angazhimet e tyre dhe për t’u bashkuar me BE-në. Një element qendror i këtij projekti është normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë me armikun e vjetër, Kosovën.
Disa vëzhgues dhe politikëbërës mendojnë se ShBA, nën administratat e njëpasnjëshme, nuk është angazhuar mjaftueshëm me Ballkanin pasi fokusi është zhvendosur në kriza të tjera më urgjente të politikës së jashtme në Ukrainë, luftën e Izraelit ndaj Gazës dhe ambiciet e Kinës kundër Tajvanit.
“Ndërsa Rusia vazhdon aksionin e saj për të rritur ndikimet e saj në Ballkan dhe ka pasur sukses në Malin e Zi, ku partitë pro-ruse sundojnë vendin, Perëndimi dhe ShBA vazhdojnë me politikën e tyre naive qetësuese ndaj Beogradit dhe përpjekjet e tyre për të afruar një vend satelit rus, siç është Serbia”, tha për “Fox Neës Digital”, Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në ShBA dhe Kombet e Bashkuara.
“Mungesa e një strategjie të qartë të ShBA-së për Ballkanin i mundëson Rusisë të zbatojë projektet e saj revizioniste në rajon”.

Ballkani Perëndimor është terren pjellor për nxitjen e konflikteve dhe Rusia ka shumë pasuri kulturore për ta realizuar atë. Putini dëshiron ta mbajë rajonin e Ballkanit të ndarë dhe ta pengojë atë të integrohet rehat në NATO dhe BE.
Rusia ka lidhje të thella historike, kulturore dhe fetare me Ballkanin dhe narrativat simpatike për Rusinë shpesh burojnë nga Kisha Ortodokse Serbe (KOS). Përmes KOS-it dhe subjekteve të tjera, Rusia është në gjendje të përhapë dezinformata përmes mediave miqësore pro-ruse dhe mediave sociale për të ndikuar në elementë të shoqërisë që kanë simpati pro-ruse, kryesisht në komunitetet etnike serbe në Kosovë, Bosnjë dhe Mal të Zi, si dhe në vetë Serbi.

Në Rashkë të Serbisë po riorganizohet grupi paramilitar e terrorist i Millan Radoiçiqit

Sado që Perëndimi është munduar ta përfitojë Begradin duke e joshur ekonomikisht, por kohën e fundit ndoshta edhe duke e favorizuar në dialogun me Prishtinën, Serbia megjithatë mbetet shteti kyç që mund të realizojë aspiratat ruse për nxitje konflikti në Ballkan.
Shqetësimin e shton reagimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili me anë të një postimi ka thënë se në Rashkë të Serbisë, po shihet një riorganizim i grupit paramilitar dhe terrorist të Millan Radoiçiq, me mbështetje dhe udhëheqje të shtetit serb. Sipas Kurtit, më 10 nëntor, Radoiçiq udhëhoqi një takim me rreth 40 politikanë serbë dhe zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova.

“Në mbledhjen e mbajtur në shtëpinë e kulturës në Rashkë, ai kishte pranë Svetllana Milladinov, zëvendësen e Petar Petkoviqit, koordinatorit të të ashtuquajturës zyrë të Serbisë për Kosovë”.
Tutje ai ka theksuar se “aty është kërkuar mobilizim për votim të partisë-shtet në Serbi, SNS, në zgjedhjet e 17 dhjetorit. Ata që janë në listë të rrogave janë kushtëzuar me to, ndërkaq për të tjerë janë ofruar vende pune në periudhë 3 dhe 6 mujore”.

Millan Radoiçiq, pas sulmit terrorist të kryer në veri, u lirua brenda ditës që të vazhdonte veprimtarinë e tij paramilitare e terroriste në shërbim të politikës shtetërore të Serbisë kundër Kosovës.
Kurti, gjithashtu ka përmendur edhe rastin e rrëmbimit të policëve të Kosovës në Leposaviq.
“U bënë pesë muaj pas rrëmbimit në Leposaviq të policëve tanë kufitar Rifat Zeka, Beqir Sefa e Shemë Mustafa dhe tetë javë nga vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. KFOR-i, EULEX-i dhe BE-ja, duhet të dalin me raport publik e zyrtar ku ia atribuojnë Serbisë aktin e agresionit dhe krimin e terrorizmit, dhe ku dënohet riorganizimi i grupit të Radoiçiqit”.

Mirëpo, sipas Kurtit edhe “pas presionit ndërkombëtar, Serbia ende nuk ka tërhequr të gjitha trupat dhe artilerinë nga afërsia e territorit të Kosovës”. Ajo vazhdon të kërcënojë sigurinë e Republikës së Kosovës me bazat e përparme operuese të Forcave të Armatosura të Serbisë përgjatë kufirit me vendin tonë. Për më tepër, Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën.

Deklarata e Kurtit nuk mund dhe nuk duhet të neglizohet, duke pasur parasysh se në rastin e Banjskës u dëshmua që Kosova tani posedon pajisje të sofistikuara me të cilat mund të përcjellë lëvizjet e grupeve paramilitare edhe brenda territorit serb./Zhurnal

Related posts

 I dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës është kapur në Türkiye, procedura për ekstradim ka filluar

Xh M

Spavoski konfirmon: Lupço Palevski është arrestuar në Turqi, ekzekutori i Vanjës u kap nga policia turke në Balikesir

Xh M

Pasiguri e panik pas vrasjes së 14-vjeçares në Shkup

Xh M