Shkup, 19 tetor – Vetëm 70% e fëmijëve vitin e kaluar u vaksinuan me vaksinën kundër Fruthit, prandaj me këtë shifër të pamjaftueshme të imunizimit vendi kërcënohet sërish nga shfaqja e epidemisë, alarmojnë autoritetet shëndetësore.
Tek prindërit akoma ekziston frika nga kjo vaksinë, sepse e ndërlidhin me autizmin, mirëpo profesoresha Grozdanova, qetëson dhe si shembull për sigurinë tek vaksinat përmendi vitin 2019. Në kohën e epidemisë, për 6 muaj, vaksinën MRP e kanë marrë mbi 40 mijë fëmijë dhe tek asnjëri nuk është paraqitur një gjë e tillë.
“Është shembull real, ku këtu në ambientet tona, është vërtetuar se vaksina është me të vërtetë e sigurt. Ne kemi pasur 40 mijë familje që ishin të shqetësuar nga kjo gjë, më pas e morën vendimin e duhur, i vaksinuan fëmijët e tyre dhe falë saj, në këtë periudhë në 5 vitet e ardhshme, ne kemi situatë të qetë dhe nuk është shfaqur epidemi e re e Fruthit.”, – deklaroi koordinatorja kombëtare për imunizim, prof. dr. Aleksandra Grozdanova.
Vetëm me 95% të imunizimit mund të garantojmë se nuk do të kemi shfaqje të sërishme të Fruthit në vend, thotë doktori Mehmedoviq. Ai theksoi se në Kumanovë vaksinë kanë marrë vetëm 40% e fëmijëve.
“Komplikimet që shfaqen si rezultat i sëmundjes, të cilat nuk preventohen me vaksinë, janë vërtet serioze. Fruthin e njohim si një ndër sëmundjet më të përmendura të epidemive.”, – theksoi prof. dr. Zlate Mehmedoviq.
Problem shtesë paraqiten edhe lajmet e rreme në mediume që rrisin dyshimin dhe frikën tek prindërit për vaksinimin e fëmijëve të tyre.
“Ajo ekziston dhe mund të marrë jetë dhe të vijë deri tek fataliteti, sepse lajmet e rreme nuk janë atje diku, por janë këtu në mesin tonë dhe na takojnë dhe ndikojnë ne si prindër, si qytetarë e si popull.”.
Shkupi, Kumanova, Tetova, Manastiri dhe Strumica janë vendet me imunizim më të ulët të vaksinës, ndërsa në Koçan me vaksina të caktuara janë vaksinuar mbi 95% e fëmijëve. Autoritetet thonë se duhet të ndiqen shembujt dhe përvoja e komunave tek të cilat vaksinimi është në numër më të madh.