Agjencia Zhurnal.mk.

Universiteti i Tetovës i ndau vendimet për specializantët e mjekësisë dhe indeksat për specializimet profesionale për ciklin e dytë

Tetovë, 13 dhjetor – Në vazhdën e aktiviteteve për 29-vjetorin e themelimit të Universitetit të Tetovës, sot, Fakulteti i Shkencave Mjekësore, përmes një ceremonie solemne për herë të parë e bëri ndarjen e vendimeve për specializantët e mjekësisë dhe ndarjen e indeksave për specializimet profesionale për ciklin e dytë. Në këtë ngjarje të pranishëm ishin Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Sekretari i përgjithshëm, Adem Beadini, dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore, Prof. Dr. Nevzat Elezi, Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Ilir Demiri, drejtori organizativ i Spitalit Klinik, Blerim Osmani, prorektorë, dekanë, profesorë, mjekë e studentë.

Mirëseardhje të pranishmëve u uroi Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli. Ai tha se ngjarja që po e shënojmë sot për të dhe Universitetin e Tetovës është shumë speciale për arsye se sot po ndahen edhe zyrtarisht vendimet për specializim të profesionistëve dhe bashkëpunëtorëve të shëndetësisë me arsimim të lartë në fushën e mjekësisë. “Specializimet në shkencat mjekësore janë një hap i rëndësishëm për Universitetin tonë sepse këto programe të specializuara mjekësore u mundësojnë të gjithë punonjësve shëndetësorë të hapin shtigje të reja karriere në aspekt profesional dhe akademik. Meqenëse mjekësia përfshin degë dhe specialitete të ndryshme, ofrimi i këtyre programeve të specializuara siguron që mjekët të kenë mundësi të ndjekin fushat e tyre specifike të interesit. Specializimet adresojnë nevojat në zhvillim dhe komplekse të sektorit të kujdesit shëndetësor. Duke u fokusuar në disiplina specifike mjekësore, Universiteti ynë do t’i përgatitë më mirë profesionistët e ardhshëm të kujdesit shëndetësor, për të trajtuar sfidat e ndryshme shëndetësore, për të përmirësuar kujdesin ndaj pacientëve dhe për të kontribuar në mënyrë domethënëse në fushat e tyre përkatëse. Programet e specializuara kontribuojnë ndjeshëm në avancimin e njohurive dhe ekspertizës mjekësore. Ato u mundësojnë mjekëve të gërmojnë më thellë në fusha specifike të kërkimit dhe inovacionit, duke çuar në zbulime, përparime dhe praktika të përmirësuara mjekësore. Jemi shumë të lumtur që universiteti i Tetovës tanimë është pjesë e universiteteve që ofrojnë një gamë të gjerë programesh të specializuara mjekësore sepse në këtë mënyrë ne do të krijojmë bashkëpunime dhe partneritete me institucionet e kujdesit shëndetësor, qendrat kërkimore dhe ekspertët e industrisë. Këto partneritete mund të çojnë në mundësi për punë praktike, si dhe mundësi për t’u bashkuar në projekte të ndryshme kërkimore. Në thelb, nëpërmjet

programeve të specializuara mjekësore, ne si Universitet rritim pozitën tonë akademike, nxitim kërkimin dhe inovacionin, krijojmë partneritete dhe përmbushim nevojat dhe interesat specifike të studentëve që ndjekin karrierën e tyre në mjekësi.” – tha Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.

Ministri i Shëndetësisë, Prof. Dr. Fatmir Mexhiti, u shpreh se ndihet i kënaqur nga fakti se kjo është gjenerata e parë e specializantëve në Fakultetin e Mjekësisë në Tetovë dhe sipas tij, të gjithë këta mjek të rinj, të cilët do të vazhdojnë zhvillimin e tyre profesional dhe ngritjen profesionale në këtë institucion të arsimit të lartë, do të forcojnë kapacitetet e sistemit tonë shëndetësor në të ardhmen. “Përmirësimi i vazhdueshëm profesional është thelbësor për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe pikërisht për këtë arsye Ministria e Shëndetësisë i është përkushtuar veçanërisht kësaj fushe. Me programin për specializime dhe subspecializime, të cilin Ministria e miraton në nivel vjetor, për këtë vit vetëm për Universitetin e Tetovës janë ndarë gjithsej 25 specializime për institucionet publike shëndetësore, si dhe 34 për institucione shëndetësore private. Bëhet fjalë për fusha të shumta mjekësore dhe më gëzon veçanërisht që në mesin e tyre ka fusha të mangëta si pediatria, gjinekologjia dhe obstetrika, kardiologjia, si dhe specializimet në fushën e kirurgjisë së përgjithshme, mjekësisë interne e të tjera. Gjithashtu sot do të jepen 40 indeksa për ciklin e dytë të specializimeve në veprimtari të tjera mjekësore. Është një nder i madh që në kohën time si ministër, për herë të parë në histori, u hapën specializime në këtë fakultet. Do të vazhdoj të investoj në kuadro të reja, me qëllim për t’ju mbajtur këtu, pranë vendlindjes suaj. Unë jam këtu pas jush, duke ju brohoritur dhe për t’ju shtyrë të ecni përpara!” – theksoi Ministri i Shëndetësisë, Prof. Dr. Fatmir Mexhiti.

Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Nevzat Elezi tha se synimi i Fakultetit të Shkencave Mjekësore dhe Këshillit mësimor – shkencor është që Universiteti i Tetovës, së bashku me Spitalin Klinik të Tetovës në një të ardhme shumë të shkurtër, me ndihmën e ministrit, ta themelojnë spitalin universitar. Po ashtu ai kërkoi që së bashku me profesorët dhe mjekët dhe Këshillin mësimor – shkencor të UT-së, t’i zgjerojmë kërkesat tona dhe në drejtimet e tjera të specializimeve, siç është drejtimi i stomatologjisë.

Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë i Universitetit të Tetovës, paraprakisht bëri shpalljen publike për paraqitjen e kandidatëve për regjistrim ose miratim të specializimeve të profesionistëve të shëndetësisë me arsimim të lartë në fushën e mjekësisë dhe bashkëpunëtorëve shëndetësorë me

arsimim të lartë për vitin 2023. Të drejtë aplikimi në këtë konkurs të degëve specialistike dhe subspecialistike kanë pasur punonjësit e kujdesit shëndetësor me arsim të lartë, në fushën e mjekësisë edhe atë në programet e specializimit: Pediatri, Kirurgji urologjike, Kardiologji, Mjekësi interne, Psikiatri, Gjinekologji dhe akusheri, si dhe Kirurgji e përgjithshme.

Related posts

Gërkovska: Pjekuri demokratike në periudhën zgjedhore dhe të dimë të dallojmë aktivitetet partiake dhe shtetërore

Xh M

Skandali në Onkologji huton qytetarët  – S’ka detaje nga Prokuroria për hetimet

Xh M

Mariçiq: Jo ndryshime ligjore, por nevojitet dinamikë ku i gjithë procesi për dhënien e pasaportave do të përfundonte këtë verë

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy