Përgjatë një rruge plot zhurmë, në një qytet në perëndim të Ukrainës, Denys Abdulin bën hapat e tij të parë të pavarur prej kur u plagos rëndë dhe u verbua, ndërsa luftonte trupat pushtuese ruse më shumë se një vit më parë.
Ish-ushtari 34-vjeçar, me syze të zeza dhe me një shkop të bardhë në duar, shkon në një pjesë më të ngarkuar me njerëz të trotuarit. Lëvizjet e tij bëhen të tensionuara.
Ai ndalon aksidentalisht një grua që po ecte drejt një bankomati për të tërhequr para.
Si shumë këmbësorë të tjerë, edhe ajo i përgjigjet me një buzëqeshje dhe lëviz mënjanë. Gradualisht, Abdulin ec rreth 600 metra, i udhëhequr nga një udhëzues që ecën përpara tij me një byzylyk me zile të vogla metalike.
Pesë veteranë të tjerë ushtarakë ukrainas kaluan sfida të ngjashme ndërsa ndiqnin një kamp rehabilitimi për ish-ushtarët që humbën shikimin gjatë luftës. Për disa javë, burrat mësuan ta gjenin drejtimin në qytetin Rivne, t’i përgatisnin vetë ushqimet e tyre, dhe ta përdornin transportin publik ndërsa udhëtonin vetëm.
Detyrat e përditshme, që më parë i kryenin pa i menduar, tani u kërkojnë fokus, forcë dhe përkushtim.
“Të gjithë e paguajnë çmimin e tyre për liri në Ukrainë”, tha Abdulin, i cili kaloi disa muaj i mbyllur në një shtrat spitali dhe rrallë i heq syzet e errëta nga sytë.
Lufta e nisur nga Rusia në Ukrainë, më 24 shkurt të vitit 2022, ka vrarë dhjetëra mijëra luftëtarë nga të dyja palët. Shumë të tjerë, si personeli ushtarak ukrainas ashtu edhe civilët që morën armët për ta mbrojtur vendin e tyre, janë gjymtuar ose kanë pësuar lëndime të tjera, që kanë ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme jetën e tyre.
Aktualisht nuk ka statistika se sa pjesëtarë të shërbimit kanë humbur shikimin për shkak të plagëve të rënda të marra në luftë, sipas Olesia Perepechenkos, drejtoreshës ekzekutive të Modern Sight, organizatës joqeveritare që organizon kampin.
Por, kërkesat për pjesëmarrje në këtë kamp, të quajtur “Jeta Pas Luftës”, po rritet.
Gjatë disa javëve, veteranët, të shoqëruar nga familjet e tyre, banojnë në një qendër rehabilitimi jashtë qytetit Rivne. Shumica marrin shkopin e parë të bardhë aty, bëjnë shëtitjet e tyre të para nëpër mjedise urbane dhe natyrore, pa ndihmën e askujt, dhe mësojnë të përdorin programe të bazuara në zë për përdorimin e celularëve dhe kompjuterëve.
“Qëllimi ynë nuk është t’i rikualifikojmë, nuk është t’i ndryshojmë, por thjesht t’iu japim një shans për t’u bërë të pavarur dhe për t’u mbështetur te vetja”, tha Perepechenko, e cila është edhe vetë e verbër.
Abdulin iu bashkua vullnetarisht ushtrisë kur Rusia e pushtoi Ukrainën gati 18 muaj më parë. Përfundimi i ecjes prej 600 metrash e shënoi një fazë të re në procesin rikuperues të tij, pas plagëve që mori kur një minë shpërtheu disa metra larg tij në Severodonjeck, një qytet në Ukrainën lindore të pushtuar tani nga rusët.
“Më dukej se një flakë shpërtheu nga sytë e mi”, tha ai për atë ditë në maj të vitit 2022. “Menjëherë e kuptova se kisha humbur shikimin”.
“Sigurisht, prisja gjithçka, por të bëhesha i verbër, as që mund ta imagjinoja”, vazhdoi Abdulin. “Mendova se mund ta humbisja një krah ose një këmbë dhe nuk doja të vdisja fare. As që e kisha menduar kurrë se do të mbetesha i verbër. Prandaj, në fillim, ishte shumë e vështirë”.
Në vitin 2014, kur Rusia aneksoi në mënyrë të paligjshme Krimenë dhe shpërtheu konflikti i armatosur në rajonin e Donbasit të Ukrainës, Perepechenko donte të ishte në vijën e parë të frontit duke ndihmuar në ndonjë mënyrë. Kërkesa e saj për t’u bashkuar me ushtrinë u refuzua, kështu që ajo vendosi ta përqafonte një mision të ri: t’i ndihmonte ushtarët që humbnin shikimin në rimarrjen e ndjenjës së autonomisë.
Modern Sight, që aktualisht merr fonde nga Fondacioni i Bamirësisë Oleksandr Tereshchenko, mbajti kampin e parë rehabilitues në vitin 2019 dhe ka organizuar rreth dhjetë të tjerë që prej atëherë. Megjithatë, vetëm dy kampe janë zhvilluar gjatë luftës. Megjithëse ka një listë pritjeje prej 30 personash për seancën e ardhshme, pengesa kryesore e organizatës jofitimprurëse është të sigurojë financim të vazhdueshëm: çdo kamp kushton rreth 15.000 euro për t’u organizuar.