Mesfushori llapjan i mungoi Dritës në ndeshjet e fundit të sezonit të kaluar, derisa nuk ia doli të bëhet gati as për garat evropiane.
Përkundër se nuk luajti as ndaj Deqiçit e as ndaj Feyenoordit, Namani i qëndroi afër skuadrës në këto dy takime, duke i motivuar bashkëlojtarët e tij.
Megjithatë rikthimi i shumëpritur për të erdhi të shtunën në mesditë, ku Drita luajti miqësore me Vjosën të cilën e fitoi me rezultat 2-1.
Namani zbriti në fushë nga minuta e parë, derisa shënoi edhe një gol në këtë test për skuadrën e Ardian Nuhiut.
Në një prononcim për Gazetën Olle, Lumi ka folur për kohën që ai qëndroi jashtë fushave.
“Ka qenë një kohë shumë e rëndë për mua. Lëndimi erdhi në momentin vendimtar të kampionatit dhe më vije keq që nuk munda dot t’i ndihmojë shokët e ekipit në ndeshjet e fundit të sezonit të kaluar”.
“Ai lëndim më la pa i zhvilluar edhe ndeshjet evropiane, por unë kam qëndruar afër ekipit gjatë gjithë kohës dhe tani jam mirë”, tha Namani për Gazetën Olle.
Ish-anëtari i Llapit është i lumtur që ka filluar të luaj përsëri.
“Për ne futbollistët mos të luajmë tre muaj është shumë kohë e gjatë dhe e mundimshme. Vërtetë jam i lumtur që kam filluar të luaj, edhe pse ende nuk jam në formën më të mirën të mundshme”, tha Namani.
Drita është përforcuar shumë për sezonin e ri, pasi klubi gjilanas synon që të fitojë trofe dhe i këtij mendimi është edhe Namani.
“Drita është skuadër që gjithmonë lufton për trofe dhe edhe këtë vit do të jetë njëjtë”.
“Qëllimi i skuadrës është që t’i fitojë të dy trofetë, kampionatin dhe Kupën dhe do ta japim maksimumin për ta bërë një gjë të tillë”.
“Sigurisht që me ndihmën e tifozëve tanë fantastik ‘Intelektualëve’ në tribuna, do të bëjmë më të mirën që t’i sjellim trofetë në qytetin tonë”, u shpreh Namani për Gazetën Olle.
Namani po fillon sezonin e tij të tretë me Dritën, derisa vlerësohet si njëri nga mesfushorët më të mirë në Kosovë.
/Gazeta Olle/