Agjencia Zhurnal.mk.

Turqit zgjedhin mes Erdoganit dhe Kilicdaroglut

Turqi, 28 maj – Mbi 60 milionë qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhim midis presidentit aktual, Recep Tayyip Erdogan, dhe kandidatit të koalicionit opozitar, Kemal Kilicdaroglu.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 08:00, sipas kohës lokale, dhe do të mbyllen në orën 17:00. Rezultatet e para jozyrtare të rundit të balotazhit pritet të dalin mbrëmjen e së dielës.

Në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, që u mbajtën më 14 maj, Erdogan doli i pari, duke fituar 49.5 për qind të votave, ndërkaq Kilicaroglu arriti të merrte 44.9 për qind të votave.

Kjo ishte hera e parë në 20 vjet sa është në pushtet që Erdogan nuk fitoi zgjedhjet në rundin e parë.

Një ditë para balotazhit, Erdogan u bëri thirrje turqve që të dalin në votime, teksa Kilicaroglu bëri thirrje që shteti të largohej “nga errësira” që sipas tij është futur gjatë qeverisjes dydekadëshe të Erdoganit.

Opozita i ka parë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të majit, si mundësinë më të mirë për të rrëzuar nga pushteti Erdoganin dhe për të hequr dorë nga ndryshimet që presidenti turk ka bërë në shtet.

Dy kandidatët kanë përqendruar fushatën për balotazh në përpjekjet për të bindur rreth 8 milionë votues, që nuk votuan në rundin e parë të zgjedhjeve.

Në zgjedhjet e 14 majit, përveç zgjedhjeve presidenciale, u mbajtën edhe ato parlamentare, dhe partia e Erdoganit, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) fitoi shumicën parlamentare.

Duke folur para mbështetësve të tij në Stamboll, në përmbylljen e fushatës më 27 maj, Erdogan bëri thirrje për dalje të lartë në zgjedhje.

“A do të vrapojmë nesër drejt qendrave të votimit? A do të votojmë që në mëngjes? Nuk do të mungojë askush që ka votuar në rundin e parë”, tha ai.

“Ne do të inkurajojmë qytetarët që nuk dolën në rundin e parë të zgjedhjeve. A do ta përfundojmë punën që mbeti përgjysmë më 14 maj, me një shumicë dërmuese, duke e bërë diferencën më të madhe nesër?”, u shpreh presidenti turk.

Ndërkaq, Kilicdaroglu, që është kandidat i aleancës opozitare të përbërë prej gjashtë partish, tha se kushdo që e do Turqinë duhet të votojë në rundin e balotazhit.

“Nëse vërtetë doni, ne mund të dalim së bashku nga kjo gropë e errët”, shkroi ai në Twitter. “Po i bëj thirrje të gjithë popullit, pavarësisht pikëpamjeve që kanë. Kjo është ndalesa e fundit. Të gjithë që e duan shtetin e tyre duhet të dalin të votojnë”, tha ai.

Erdogan më herët gjatë kësaj jave mori mbështetje nga Sinan Ogan, politikanit nacionalist që doli kandidati i tretë në rundin e parë. Ogan, që tha se do ta mbështesë Erdoganin në balotazh, në rundin e parë të zgjedhjeve arriti të merrte 5.2 për qind të votave.

Kilicdaroglu, që është kryetar i partisë më të madhe opozitare, Partisë Popullore Republikane (CHP), arriti të fitonte mbështetjen për balotazh të Partisë Fitorja, që ka qëndrime kundër migrantëve.

Zgjedhjet presidenciale turke jo vetëm që do të përcaktojnë se kush do ta udhëheqë Turqinë – shtetin anëtar të NATO-s me 85 milionë banorë – por edhe si do të udhëhiqet shteti, cilin drejtim do të marrë ekonomia e cila është goditur nga kriza e kostos së jetesës, dhe do të formësojë politikën e jashtme.

Një fitore për Erdoganin do të mundësonte vazhdimin e qeverisjes së këtij lideri që ka transformuar Turqinë, duke riformuar shtetin laik të themeluar 100 vjet më parë për ta përshtatur me vizionin e tij për një shtet më fetar. Humbja e tij po ashtu do t’i jepte fund rrugës e më autoritare të Qeverisë së tij.

Kilicdaroglu ka premtuar se ai do të ndryshojë drejtimin e ekonomisë nëse fiton zgjedhjet. Ai po ashtu ka thënë se dëshiron të ndryshojë sistemin politik dhe ta kthejë shtetin në sistem parlamentar. Kilicdaroglu po ashtu ka premtuar se do të rivendosë pavarësinë e gjyqësorit.

Related posts

Mjekët kërkojnë rritje pagash e pacientët shërbime

Xh M

Dallimet në paga, rritet numri i punëtorëve me pagë minimale, Sektori IT kryeson me pagë më të lartë

Xh M

Dukuria e dhunës në familje nuk po merr fund, të përfshirë gratë dhe burrat!

I.A

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy