Agjencia Zhurnal.mk.

Turqia zotohet për kundërpërgjigje të mëtejshme, pasi vriten dy persona nga sulmet kurde

Turqia njoftoi se një milici kurde vrau të hënën dy persona me goditje me mortaja nga brenda territorit të Sirisë veriore. Ky është një përshkallëzim i kundërpërgjigjeve ndërkufitare, pas një operacioni ajror turk gjatë fundjavës dhe një shpërthimi vdekjeprurës me bombë një javë më parë në Stamboll.

 

Nëpërmjet zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Ned Price, Shtetet e Bashkuara bënë thirrje për çtensionim të situatës në Siri për të mbrojtur jetët e civilëve dhe për të mbështetur objektivin e përbashkët për mposhtjen e ISIS-it.

Forcat e armatosura turke thanë se kishin filluar tashmë kundërpërgjigjen, dhe një zyrtar i lartë i sigurisë i tha agjencisë së lajmeve Reuters se avionët turq kishin filluar sërish të godisnin objektiva në Sirinë veriore.

Ndër kundërsulmet më të fundit, predhat e mortajave goditën një rajon kufitar në provincën turke Gaziantep, duke lënë disa të vdekur, mes tyre edhe një fëmijë dhe një mësues, si dhe të paktën gjashtë të plagosur, tha Ministri i Brendshëm, Suleyman Soylu.

Një grua shtatzënë që fillimisht u raportua e vdekur, mbeti e plagosur rëndë dhe po kurohet në spital, tha më vonë zoti Soylu.

Guvernatori rajonal Davut Gul tha se pesë raketa kishin goditur një shkollë, dy shtëpi dhe një kamion pranë zonës kufitare Karkamis. Kanali CNN Turk tha se sulmi ishte bërë nga zona Kobani e Sirisë, që është nën kontrollin e milicisë siriane kurde YPG.

Avionët turq goditën të dielën në Siri dhe në Irak, duke shkatërruar 89 objektiva të lidhura me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) të shpallur të jashtëligjshme dhe YPG-në, për të cilën Ankaraja thotë se është degë e PKK-së.

Në një deklaratë, ministria turke e mbrojtjes tha se 184 militantë u vranë gjatë operacioneve të dielën dhe të hënën. Ajo njoftoi se operacionet kishin përfshirë sulme ajrore dhe goditje nga toka.

Turqia njoftoi se operacioni i fundjavës ishte në kundërpërgjigje të sulmit me bombë në Stamboll javën e kaluar që shkaktoi gjashtë viktima, dhe për të cilin autoritetet fajësuan militantët kurdë. PKK-ja dhe Forcat Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga YPG-ja, kanë mohuar përfshirjen me bombën që shpërtheu në 13 nëntor në një bulevard plot me këmbësorë.

Uashingtoni hyri në një aleancë me SDF-në gjatë luftës kundër Shtetit Islamik në Siri, duke shkaktuar kështu një ftohje të thellë dhe afatgjatë në marrëdhënien me vendin aleat anëtar të NATO-s, Turqinë.

Një zëdhënës i SDF-së tha se sulmet ajrore turke gjatë fundjavës shkatërruan hambarë gruri, një stacion elektrik dhe një spital, duke vrarë 11 civilë, një luftëtar të SDF-së dhe dy roje. SDF-ja shtoi se do të kundërpërgjigjet.

Mundësia e dislokimit të forcave tokësore

Gjatë dhunës së fundjavës, tetë anëtarë të shërbimeve turke të sigurisë u plagosën nga sulmet me raketa të YPG-së nga posta policore në Tal Rifat të Sirisë, pranë një pike kufitare në provincën Kilis, njoftoi Ankaraja.

Të hënën, Turqia goditi një objekt të ushtrisë siriane në perëndim të Kobanit, ku gjendet një kazermë e YPG-së, tha një burim nga SDF-ja. Ky është një ndër objektet ku është sjellë ushtria siriane në mënyrë që të parandalohen sulmet turke ndaj SDF-së.

Turqia mbështeti rebelët që luftuan për largimin e Presidentit sirian Bashar Assad dhe ndërpreu marrëdhëniet me Damaskun në fillimet e konfliktit 11-vjeçar.

Forcat e armatosura të Turqisë kanë bërë disa operacione të gjera gjatë viteve të fundit në Irakun verior dhe në Sirinë veriore, kundër YPG-së, PKK-së dhe Shtetit Islamik.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan tha se operacionet e Turqisë nuk do të kufizoheshin vetëm me fushatën ajrore dhe se do të përfshinin edhe forca tokësore.

“Ministria jonë e mbrojtjes dhe shtabi i përgjithshëm vendosin bashkarisht se sa forca tokësore duhet të marrin pjesë. Bëjmë konsultimet tona dhe pastaj ndërmarrim hapat e duhur”, u citua ai nga mediat turke të ketë thënë gjatë një udhëtimi me avion nga Katari.

PKK-ja filloi një rebelim ndaj shtetit turk në vitin 1984 dhe mbi 40 mijë njerëz janë vrarë gjatë konfliktit. Ajo konsiderohet organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian./voa

Related posts

Pekini: Fajësimi i Kinës për koronavirusin nuk e pastron SHBA-në

Redaksia

Jeto shëndetshëm me 24 fazat stinore – Sanatadita e vjeshtës

Z.H

Uragani Ida – rreth një milion njerëz në Luiziana kanë mbetur pa energji elektrike

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More