Shkup, 19 tetor – Kjo është rruga “Cvetan Dimov” e Çairit, e cila gjendet në “zemër” të Shkupit. Edhe pse e destinuar si trotuar për këmbësorë, është shndërruar në një mini-deponi të egër, për shkak të mbeturinave të shumta.
Edhe pse kontejnerët janë të zbrazët, megjithatë ky trotuar është shndërruar në shportë të mbeturinave. Siç po mund të shihni, në këtë trotuar janë hedhur një sasi e madhe e mbeturinave. Kjo ka bërë që qytetarët të detyrohen që të lëvizin nëpër rrugën kryesore, aty ku kalojnë edhe veturat.
Banorët e lagjes dhe kalimtarët e rastit janë të indinjuar nga kjo situatë. Thonë se ka më shumë se dhjetë ditë që po durojnë erën e keqe të mbeturinave dhe se kjo paraqet rrezik edhe për shëndetin e tyre.
“Ka dhjetë ditë që është kështu, nuk e di cilit shekull i takojmë dhe çfarë qytetërimi është këtu. Jemi qytetarë apo malësorë. Edhe banorët i kanë fajet, për arsye se hedhin gjëra që nuk duhet t’i hedhin. Mirëpo mbeturinat duhet t’i mbledh qyteti. Qyteti nuk guxon të jetë në kësi lloj gjendjeje.”, – tha një qytetar.
“Po pengojnë. Paraqiten sëmundje ngjitëse, papastërti e kështu me radhë. Mendoj se duhet të kemi ndërgjegje të gjithë.”, – tha një qytetar tjetër.
“Është turp kjo që po shohim mbeturina këtu. Këtë e ke vetëm në Maqedoni, askund tjetër.”, – u shpreh një qytetar.
“Realisht pengojnë. Higjiena komunale duhet të përkujdeset më tepër. Ka raste kur detyrohemi të dalim në anën tjetër. Tash është mirë që të merren masa në këtë aspekt dhe të pastrohen.”, – u shpreh një qytetar tjetër.
Qyteti i Shkupit: Fajtor për mbeturinat, qytetarët e papërgjegjshëm
Një pamje e ngjashme mund të shihet në më shumë lokalitete të Qytetit të Shkupit. Nga Qyteti i Shkupit thonë se për pastrimin e deponive të egra dhe mbeturinave nga buxheti i qytetit për këtë vit janë ndarë 10 milion euro, kurse vetëm gjatë 82 ditëve të para të mandatit të Arsovskës janë pastruar mbi 150 deponi ilegale.
Megjithatë thonë se problemi me deponitë dhe mbeturinat paraqitet vazhdimisht, për shkak të papërgjegjësisë së qytetarëve.
“Duhet të përmendim se çdo hedhje e plehrave jashtë kontejnerëve për mbeturina është hedhje ilegale. Në këtë drejtim, Qyteti i Shkupit, gjegjësisht kryetarja, Danela Arsovska, më 09.10.2023, në Kuvend dhe Qeveri ka dorëzuar projektligjin për policinë komunale të Qytetit të Shkupit. Me këtë besojmë se do të përmirësohet shumë efikasiteti i Inspektoratit të Qytetit të Shkupit në drejtim të ndaljes së qytetarëve të papërgjegjshëm në hedhjen e mbeturinave dhe ngritjen e llojeve të ndryshme të deponive.”