Agjencia Zhurnal.mk.

Trenovski: Inflacioni është në rritje në të gjitha vendet sidomos në ato vende që varen nga importi

Shkalla e lartë e inflacionit e cila në tetor sipas të dhënave zyrtare statistikore arriti në 19.8 për qind, sipas profesorit të Fakultetit Ekonomik në Shkup, Borçe Trenovski, në një pjesë të konsiderueshme është rezultat i varësisë nga importi i ekonomisë sonë, kapaciteti modest për prodhimin vendas të ushqimit dhe energjisë dhe struktura e konsumit (53 për qind për ushqim dhe energji).

 

Në një deklaratë për MIA-n, Trenovski vlerëson se politikat ekonomike, nëse janë me kohë dhe të orientuara mirë, mund të ndikojnë në çmimet afatshkurtër, por për ndryshime më të rëndësishme, siç thotë ai, do të duhet të punohet në afat të mesëm.

“Ajo që kemi mësuar nga kjo krizë ekonomike/energjetike globale dhe e brendshme është se nuk ka vend rezistent ndaj krizave globale, ekonomitë e vogla dhe të hapura janë veçanërisht të cenueshme dhe duhet të investohet në kohë për ndërtimin e një sistemi ekonomik të qëndrueshëm dhe elastik. Për momentin, është evidente se normat më të ulëta të inflacionit në një pjesë të madhe të ekonomive lidhen me strukturën e tyre të ekonomisë, me prodhimin e tyre të energjisë elektrike/ushqimit dhe mundësinë që këto ekonomi të reduktojnë presionin e çmimeve globale në vitin e kaluar. Kjo nuk është punë e lehtë dhe janë detyrat tona të pashkruara që janë shkruar dhe fshirë në dy dekadat e fundit”, thekson Trenovski.

Zvogëlimi i vazhdueshëm i varësisë nga importi, pavarësia energjetike, diversifikimi i eksporteve, zhvillimi i bujqësisë, prodhimi i ushqimit dhe investimi në kapitalin njerëzor, sipas Trenovskit, do të na mundësojnë të jemi të gatshëm për të përballuar shqetësimet e tanishme dhe të ardhshme ekonomike.

“Kjo nuk është punë e lehtë, por shpresoj se nuk do të humbim kohë dhe nuk do të duhet të mësojmë përsëri të njëjtin mësim në të ardhmen”, thotë Trenovski për MIA-n.

I pyetur se si të zbutet inflacioni dhe si të zvogëlohet cenueshmëria ndaj goditjeve të jashtme dhe të brendshme, Trenovski tha se politikat fiskale dhe ato monetare janë të rëndësishme.

Banka Qendrore, thotë Trenovski, ka filluar të ndërmarrë më shumë masa që nga viti i kaluar, përmes rritjes së normës bazë të interesit e cila tani është 3,5 për qind, ndryshimit të rezervës së detyrueshme për të stimuluar kursimin në denarë dhe nxitjen e kreditimit të gjelbër, si dhe normat e interest të huamarrjes brenda një nate për shtatë ditë.

“Megjithatë, është veçanërisht e rëndësishme të monitorohen lëvizjet monetare, stabiliteti i sektorit financiar, tregu i pasurive të paluajtshme, sjellja e politikës fiskale dhe të veprohet me vendosmëri. Banka Popullore duhet të monitorojë nga afër pritjet inflacioniste, si dhe politikën e Bankës Qendrore Evropiane për shkak të lidhjes së kursit të denarit me euron. Është e nevojshme të veprohet nga disa aspekte dhe përmes disa instrumenteve – norma bazë e interesit nuk është instrumenti i vetëm. Imagjinoni një rritje enorme të normës së interesit në kushtet kur rreth 70 për qind e kredive janë me interes të ndryshueshëm, kur keni ulje të likuiditetit, kur inflacioni vjen kryesisht nga çmimet e produkteve bazë. A do ta zvogëlojmë me këtë shkallë interesin, kërkesën për bukë dhe mish apo do ta zvogëlojmë ndonjë pjesë tjetër të kërkesës?”, thekson Trenovski.

Në anën tjetër, sipas Trenovskit, Qeveria duhet ta orientojë tërë fokusin në zvogëlimin e pasigurisë për hapat e saj, mbledhjen më efikase të të hyrave fiskale dhe mbështetjen e synuar për bizneset dhe qytetarët.

“Është e nevojshme të fokusohet në informimin e mirë dhe zbatimin e përgjegjshëm/efikas të masave të shpallura, veçanërisht duke marrë parasysh disiplinën/manipulimet e tregjeve. Një lirim i ndjeshëm i portofolit fiskal pa marrë parasysh efektet në lëvizjet e çmimeve mund të ketë efektin e shtimit të benzinës në zjarr dhe nafta nuk është e lirë për momentin dhe mund të nxisë edhe më shumë zjarrin. Prandaj rëndësia dhe përgjegjësia e politikës fiskale është e madhe”, konsideron Trenovski.

Byroja Shtetërore e Statistikave njoftoi se kostoja e jetesës në muajin tetor krahasuar me tetorin e vitit të kaluar shënoi rritje prej 19,8 për qind, ndërsa çmimet e shitjes me pakicë 15,4 për qind.

Nga Lidhja e Sindikatës së Maqedonisë e cila prodhon një shportë të konsumit sindikal për çdo muaj, thonë se një pagë mesatare dhe një pagë minimale prej kohësh janë të pamjaftueshme për të përballuar shpenzimet minimale mujore të një familjeje katër anëtarësh. Nga atje për sot kanë paralajmëruar mbledhjen e Kryesisë së LSM-së, ku do të shqyrtohen të gjitha format dhe presionet e mundshme që do të ndërmarrin.

Related posts

Kasami: 500 mijë euro kemi paguar përmbarues shkaku i kamatave nga udhëheqësia e kaluar!

Xh M

Danillovski: Lloji i virusit “Delta” është më i rëndë se ai “Alfa”

D V

Dendias e përsëriti mbështetjen për perspektivën e BE-së të rajonit

Z.H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More