Shkup, 27 mars – Në kazermën “Ilinden” në Shkup sot me fillim në ora 11:00, do të mbahet ceremoni qendrore për shënimin e përvjetorit të tretë nga anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO.
Janë paralajmëruar fjalime të kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ministres së Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska dhe kryeshefit të Shtatmadhorisë së Armatës gjeneral-nënkolonelit Vasko Gjurçinovski.
Pjesë e ceremonisë do të jenë disa ushtrime dhe aktivitete demonstruese të Armatës, duke përfshirë një fluturim të avionëve aleatë në kuadër të misionit “Air Policing”.
Paraprakisht, në organizim të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Klubin e deputetëve do të mbahet “mëngjesi tradicional i NATO-s”, me pjesëmarrje të trupit diplomatik, aktivitet me të cilin fillojnë Ditët e NATO-s në vend, që do të zhvillohen deri më 4 prill.
Nga MPJ theksojnë se ngjarja mbahet në tre vjetorin e anëtarësimit tonë në NATO, që theksojnë, është veçanërisht e rëndësishme për sigurinë rajonale dhe stabilitetin, veçanërisht në kontekst të sfidave aktuale të sigurisë. Në atë ngjarje do të mbajnë fjalim kryeministri Dimitar Kovaçevski, ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, si dhe ambasadorja e Ukrainës Larisa Dir.

Më 27 mars të vitit 2020, Republika e Maqedonisë së Veriut u bë vendi i tridhjetë anëtar i Aleancës. Angazhimi për integrimin euroatlantik daton që nga viti 1993, kur Kuvendi miratoi një Rezolutë që përcaktonte prioritetet e jashtme politike të vendit, përkatësisht anëtarësimin në NATO dhe BE.
Më 15 nëntor të vitit 1995, vendi e nënshkruajti Dokumentin kornizë për inkuadrim drejt programit Partneritet për paqe.
Më 14 qershor të vitit 1996 ishte hapur Zyra për lidhje, ndërsa në fund të vitit 1997 edhe Misioni i përhershëm në selinë e NATO-s në Bruksel. Në prill të vitit 1999 në Samitin e NATO-s në Uashington, Republika e Maqedonisë fitoi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Aleancë, pas së cilës filloi përgatitja dhe zbatimi i Planit aksionar për anëtarësim.
Në Deklaratën përfundimtare të Samitit të NATO-s në Bukuresht në vitin 2008, Aleanca solli vendim se vendi duhet të marrë ftesë për anëtarësim pas zgjidhjes së kontestit për emrin me Greqinë. Në suaza të deklaratave në Samitet e ardhshme të NATO-s (Lisbonë 2010, Çikago 2012, Uells 2014 dhe Varshavë 2016), ishte përsëritur formulimi i Bukureshtit se Aleanca do të dërgojë ftesë për anëtarësim në NATO menjëherë pas arritjes së zgjidhjes së pranueshme për emrin në suaza të KB-së.
Në Samitin e NATO-s në Bruksel, 11-12 korrik të vitit 2018 – Këshilli Veriatlantik, në takimin në nivel të shefave të shteteve dhe qeverive, mori vendim ta ftojë Republikën e Maqedonisë së Veriut për t’i filluar bisedimet inkuadruese për anëtarësim në Aleancë.
Më 1 gusht të vitit 2018, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s dërgoi letër te ministri i punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut së bashku me Planin për zbatimin e procesit të inkuadrimit në NATO.
Më 18 dhe 19 tetor të vitit 2018, në takimin e mbajtur në selinë e NATO-s në Bruksel, Republika e Maqedonisë së Veriut përfundoi me sukses bisedimet për anëtarësim të vendit në Aleancë. Më 21 janar të vitit 2019, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut i dërgoi një letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, në të cilën shprehet gatishmëria dhe aftësia e vendit për të pranuar dhe respektuar obligimet dhe zotimet e anëtarësimit të vendit në NATO të përfshira në Marrëveshjen e Uashingtonit dhe studimin e zgjerimit të NATO-s të vitit 1995, si dhe dëshirën për të marrë një ftesë për t’u anëtarësuar në NATO.

Më 6 shkurt të vitit 2019, në selinë e NATO-s në Bruksel, përfaqësuesit e 29-të vendeve anëtare të NATO-s, në praninë e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut e nënshkruan Protokollin inkuadrues për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Aleancë.
Pas ceremonisë solemne në Bruksel, filloi procedura për ratifikimin e Protokollit inkuadrues nga ana e të gjitha 29 vendeve anëtare të Aleancës. Procedura për ratifikimin e Protokollit inkuadrues ishte finalizuar më 19 mars të vitit 2020, kur ambasadori i Mbretërisë Spanjolle në Uashington, e dorëzoi instrumentin për ratifikimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, me të cilën e rrumbullaksoi fazën e tretë dhe të fundit nga procesi i anëtarësimit.
Në mënyrë që procesi i anëtarësimit të vendit në NATO të zhvillohet pa ndërprerë, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, më 11 shkurt të vitit 2020, njëzëri ratifikoi Traktatin e Atlantikut të Veriut, me ç’rast më 20 mars të vitit 2020, vijoi edhe nënshkrimi i instrumentit për ratifikimin e Protokollit inkuadrues në NATO nga ana e presidentit të Republikës.
Më 27 mars të vitit 2020, përmes Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Uashington, në departamentin e shtetit në SHBA u depozitua instrumenti për inkuadrim drejt Traktatit të Atlantikut të Veriut me të cilin Republika e Maqedonisë së Veriut u bë zyrtarisht shteti i tridhjetë anëtar i Aleancës.