Agjencia Zhurnal.mk.

Toma Vajc: Bullgarinë e kemi izoluar nga disa projekte të BE-së, ka presion të madh

Shkup, 27 tetor – Eurodeputeti austriak nga radhët e të Gjelbërve dhe anëtar i disa delegacioneve parlamentare me vendet e Ballkanit Perëndimor, Tomas Vajc në një intervistë për MIA-n tha se ndaj Bullgarisë ka presion të madh diplomatik për heqjen e vetos për Maqedoninë e Veriut dhe besim se çështja do të zgjidhet sapo të formohet qeveria e re në Sofje.

 

Na ndajnë dy muaj nga Këshilli i ardhshëm Evropian dhe Bullgaria do të ketë zgjedhje në nëntor, kështu që nuk duket se problemi do të zgjidhet deri në dhjetor. Kjo do të nënkuptonte sërish veto për Maqedoninë e Veriut. A prisni ndonjë lëvizje deri në dhjetor?

Sapo u ktheva nga Bullgaria një javë më parë, ku fola me faktorë të ndryshëm politikë, duke përfshirë edhe partitë që konkurrojnë në zgjedhje. Unë shoh një ndryshim të përgjithshëm në narativ. Mbështetësit kryesorë të kësaj veto ose nuk u rizgjodhën në parlament ose nuk treguan rezultate të mira në sondazhe, madje edhe GERB-i, i cili e përdori këtë imazh antimaqedonas, e bëri këtë më së shumti për t’u defokusuar nga problemet e brendshme politike. Fatkeqësisht, kjo ka çuar në një bllokadë në nivel të BE-së. Por mund t’ju them se ndaj Bullgarisë ka presion të madh politik. Për momentin, Bullgaria është distancuar nga një sërë projektesh, kështu që ata e ndjejnë këtë në punën e tyre të përditshme diplomatike. Kam biseduar edhe me një përfaqësues të Bullgarisë në Këshillin e Evropës, i cili gjithashtu është i angazhuar politikisht, dhe ai përsëriti disa nga problemet që kanë dhe që duhet të zgjidhen mes dy vendeve fqinje. Kjo është diçka krejtësisht normale. Për shembull, Austrisë pas Luftës së Dytë Botërore ende iu desh të zgjidhte disa çështje me Slloveninë, kjo është krejtësisht normale.

Bullgarët thonë se nuk mund ta përballojnë më këtë presion, janë krejtësisht të izoluar nga skena diplomatike, nuk ia vlen që Bullgaria të marrë këtë rrezik sepse nuk ka asnjë çështje të madhe ekonomike pas kësaj, kjo është vetëm një ndërtim i retorikës nacionaliste. Fatkeqësisht, në Bullgari janë zgjedhjet e treta. Prisja negociata për një qeveri pas zgjedhjeve të dyta, por tani ka të tretat. Ajo që shoh në prapaskenë është se asnjë nga palët nuk do ta trajtojë këtë çështje përpara formimit të qeverisë së re. Këtë arsye e kupton edhe pala maqedonase dhe për këtë debati tani është i qetë. Emocionet u nxitën dhe tani janë këtu. Diplomatët më përsëritën se Bullgaria ishte e para që e njohu pavarësinë e Maqedonisë. Pra, ka një histori të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mbi të cilën mund të ndërtohet. Bullgaria udhëhoqi procesin e njohjes së pavarësisë së Maqedonisë. Fatkeqësisht, për shkak të zgjedhjeve të nëntorit dhe derisa të formojnë qeverinë, nuk pres që të ndryshojnë qëndrim deri në dhjetor. Ne ende shpresojmë dhe po e nxitim këtë. Do të varet edhe nga sa shpejt do të formojnë një qeveri, por unë mendoj se ata do të jenë ende në proces të formimit të qeverisë dhe nuk do të jenë në gjendje të marrin vendime me ndikim të gjerë. Kjo është ajo që duhet të prisni për fat të keq tani për tani. E shoh se janë të gatshëm të heqin dorë, por do t’u duhet edhe një lëvizje simbolike nga pala maqedonase

Një lëvizje simbolike si heqja dorë nga diçka apo…?

Disa nga këto debate janë qesharake. Të kujt janë këngët apo pse ky libër quhet tani këngë popullore maqedonase, jo bullgare dhe anasjelltas. Për mua kjo është e pakuptueshme si austriak. Unë kam tokë në kufi me fqinjët e mi sllovenë dhe ndalemi dhe këndojmë të njëjtat këngë, secili në gjuhën tonë. Është një trashëgimi e përbashkët evropiane, ne të gjithë kemi një trashëgimi dhe identitet të lidhur. Por, një lëvizje simbolike si riemërimi i një libri me këngë popullore “këngë maqedonase dhe bullgare”. Ne po mundohemi të gjejmë një zgjidhje.

Shumica dërrmuese në Parlamentin Evropian ka të njëjtin qëndrim: ne i premtuam Maqedonisë së Veriut, i kërkuam të plotësonte disa kritere dhe premtuam fillimin e negociatave. Dhe tani ia kemi borxh Maqedonisë së Veriut. Është një premtim dhe nëse duam të jemi një partner i besuar duhet ta mbajmë premtimin. Ne bëjmë gjithçka që mundemi për të hapur rrugën dhe për të bërë shumë presion. A është ky presion përmes diplomacisë, në qeveri, në Këshill. Shikoni edhe Parlamentin Evropian. Kemi disa eurodeputetë të çmendur bullgarë që nuk kanë parti në parlament dhe nxisin urrejtje dhe nga ana tjetër keni mbi 700 eurodeputetë nga të gjitha partitë politike që thonë “kjo është qesharake, ta tejkalojmë këtë veto”. Presioni ndaj Bullgarisë është i madh.

Ju thatë se ka presion ndaj Bullgarisë për të qëndruar larg disa projekteve, përmendët Këshillin e Evropës, a është kështu edhe në BE?

Po. Nuk do të hyj në detaje sepse do të ishte në kundërshtim me strategjinë. Por ja një shembull konkret: nuk është thjesht lënia mënjanë apo distancimi nga disa nismave, por edhe nuk bëhet presion për kërkesat e tyre. Bullgaria ka kërkesa nga BE, ka nevojë për mbështetje shtesë. Fondet e kohezionit, fondet e rimëkëmbjes, tranzicion i drejtë. Bullgaria ka nevojë për shumë mbështetje për të kapërcyer përdorimin e qymyrit, për shembull. Mirëkuptimi nga qeveritë e tjera të BE-së për kërkesat e Bullgarisë është shumë i kufizuar në këtë kohë. E tillë është situata.

Ju përmendët se çështja maqedonase nuk është e rëndësishme për qytetarët bullgarë dhe kjo u duk edhe në zgjedhje nëse i shikoni rezultatet, të cilat tashmë janë treguar në zgjedhjet e para të kësaj vere, por kjo ende nuk i ka penguar politikanët bullgarë të vazhdojnë retorikën nacionaliste, madje edhe presidentin, pavarësisht se nuk u sjell vota.

Siç thashë kjo çështje është bërë emocionale. Një pjesë e popullsisë është e përqendruar në një problem që nuk është një problem i rëndësishëm. Partitë e moderuara gjithashtu distancohen nga ngritja e çështjes sepse nuk duan që partitë e djathta dhe të djathta ekstreme të kapitalizojnë nga ky emocion. Ata po përpiqen të jenë të kujdesshëm me këtë tani për të shmangur shumicën nacionaliste që do ta përdorë këtë. Qytetarët bullgarë janë të lodhur nga institucionet jofunksionale, nga korrupsioni i lartë, ata janë të lodhur nga gangsterët që sundojnë vendin e tyre. Dhe ka një fokus të madh në procesin e brendshëm, si të kapërcehen strukturat e vjetra, si ta bëjmë Bullgarinë një shtet modern perëndimor pas kaq shumë vitesh.

Pra, çështja e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut nuk është aq prezente për momentin. Edhe partitë progresive duan të flasin për standardin e jetesës, institucionet që i shërbejnë qytetarëve, sistemin ligjor funksional dhe partitë progresive e mbajnë fokusin aty për të formuar një shumicë. Le të bëhen zgjedhjet, le të bëhet një qeveri dhe ne do ta zgjidhim problemin, jam shumë optimist.

Domethënë as ju nuk keni shpresë për dhjetorin?

Ne ende po përpiqemi ta arrijmë këtë. Nuk do ta përjashtoja plotësisht si opsion. Dua të përcjell mesazhin se edhe nëse nuk ndodh tani në dhjetor, do të ndodhë shumë shpejt, shumë shpejt pasi Bullgaria të formojë qeverinë, do të jetë një nga temat e para që do të trajtohen. Bullgaria mund të tërheqë veton kur të dojë, cilën ditë që të dojë, nuk ka nevojë për Këshillin Evropian, mund të vendosë të hënën në mëngjes heqjen e vetos, ua përcjellin mesazhin vendeve të tjera anëtare dhe fillon Konferenca e parë Ndërqeveritare.

Ndërkohë, mbështetja dhe besimi i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në BE po bie në mënyrë dramatike, shifrat tregojnë se njerëzit nuk besojnë atë që thotë BE-ja, besueshmëria është dëmtuar plotësisht. Si do ta rivendosni këtë besueshmëri?

Së pari, mund të mos e keni vënë re, por ne duam që të mos ketë shkëputje nga Shqipëria. Ka një qasje që thotë se Shqipëria nuk duhet të dënohet për një situatë ku ata nuk kanë ndikim, ata ankohen tek ne, duan të fillojnë negociatat, por ne i qëndrojmë këtij parimi, sepse me këtë bëjmë presionin. Ky është një nga angazhimet. Një angazhim i dytë është investimi i BE-së në rajon. E di që kjo nuk mund të zëvendësojë përparimin në anëtarësimin në BE, por është domethënës. Ne investojmë shumë para në rajon, në infrastrukturë, n ë ndërtimin e institucioneve, mbështetja është këtu dhe është e fortë.

Angazhimi është këtu, por unë dua të sugjeroj një këndvështrim tjetër. Sado që nuk më pëlqen kjo veto nga Bullgaria, megjithatë tregon se në BE kur je anëtar nuk heq dorë nga autonomia kombëtare. Edhe një shtet i vogël, i mesëm, kur merr një vendim, ne e pranojmë dhe merremi me të. Ne nuk i injorojmë, por ne negociojmë, bëjmë presion, duam që ata të kthehen në një pozicion të arsyeshëm, por megjithatë vendet e vogla dhe të mesme mund të mbrojnë interesin e tyre në BE dhe kjo mund të shihet si diçka pozitive nga një anëtar potencial i ardhshëm i Unionit, siç është Maqedonia e Veriut, e cila do të jetë një shtet i vogël anëtar. Të drejtat tuaja për të shprehur vullnetin tuaj, për të ndikuar në vendime të mëdha, do të respektohen. Kjo është BE-ja, ky është unioni i kompromisit, negociatave, ndonjëherë kjo e zgjat procesin, na ngadalëson, por kështu i zgjidhim problemet.

E pamë në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve lokale se partia në pushtet LSDM po humbet ndikimin. Si e interpretoni këtë si eurodeputete, a lidhet me dështimet ndaj BE-së?

Nga sa shoh në sondazhe, ata po humbasin ndikimin në nivel lokal, por në nivel kombëtar shohim mbështetje edhe më të theksuar nga qytetarët për partinë në pushtet. Këto janë dy nivele të ndryshme. Fakti që partia e Zaevit humbet në nivel lokal është sepse nuk i realizuan shpresat e qytetarëve në nivel lokal për qeverisje të mirë. Nuk dua të tregoj me gisht, ky është një proces dhe kërkon kohë, vendi nuk ndryshon brenda natës, por qytetarët presin më shumë, më shumë transparencë, distancim nga klientelizmi, institucione më pak partiake, mendoj se është e qartë që këtu qytetarët prisnin më shumë dhe mendoj se kjo është arsyeja pse humbasin në nivel lokal, në nivel lokal ndjehet më shumë. Nga kjo duhet të nxjerrin mësime socialdemokratët, por edhe të gjitha partitë e tjera.

Related posts

Zaev: “Lulja e Srebrenicës” e Pçinjës te Konjari i Poshtëm është ura më e gjatë në vend që lidh dy drejtime rrugore rajonale

D V

Moti sot me vranësira dhe shi

Z H

Salihu: Edhe zogjtë në çati e dinë që Danela Arsovska luan për koalicionin partiak VMRO-Aleanca dhe Alternativa

Redaksia

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More