Ndeshje tejet interesante u zhvillua në stadiumin “Liman Gegaj”, shkruan Gazeta Olle.
Dueli ndërmjet Malishevës dhe Dukagjinit në fund u mbyll me barazim 2-2.
Trajneri i Malishevës, Arsim Thaçi, është shprehur i kënaqur me barazimin 2:2, të dielën ndaj Dukagjinit.
Thaçi beson se barazimi ishte epilog real në këtë takim.
“Kishim raste dhe goditëm shtyllën, por ky është futbolli. Ishim pa fat në pjesën e parë. Goli që e pësuam na vuri në vështirësi në pjesën e dytë, edhe pse e rikthyem rezultatin. Mirëpo gjithmonë janë gjëra që ndodhin në futboll. Goli i pësuar ishte një pakujdesi. Në këtë ndeshje besoj që barazimi është epilog real. Jam i kënaqur me angazhimin e lojtarëve. Tani kam arritur të njoh edhe potencialin e skuadrës. Është një ekip që ka përfunduar një vit të suksesshëm në Superligë. Presim që gjatë afatit kalimtar të bëjmë përforcime dhe të jemi skuadër e fortë”, deklaroi Thaçi.
/Gazeta Olle/