Mbi 361 milion euro, vijnë çdo vit në Maqedoni të Veriut nga mërgimtarët. Remitencat në vendin tonë, sipas një përllogaritje të Eurostat, kapin vlerën e 3.4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, edhe pse shifra reale thuhet se është më e lartë, pasi shumica e remitencave transferohen përmes kanaleve të parregulluara.
“Vlerësimet tona të bazuara në metodologjinë e harmonizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar tregojnë se shuma e këtyre dërgesave, që nga viti 2009 e këndej tejkalon një miliard euro apo është afër 16 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto”, thonë nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut.
Profesori universitar Hamit Aliu vlerëson se ndikimi i remitencave në ekonominë e përgjithshme të vendit është në nivel shumë dominant.
Ato sipas Aliut ndikojnë në përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe në reduktimin e varfërisë.
“Mbi 45% deri më 50%, remitencat përmirësojnë mirëqenien ekonomike në Maqedoni. Me këtë ekonomi, me këtë nivel të zhvillimit dhe me këtë letargji që nuk ka interesim për zhvillim ekonomik për këto 30 vite, most ë kishin qenë remitencat, çdo i treti do të kishin problem për kafshatën e bukës. Vetëm punëtorët e vendit tonë në diasporë kanë ndiku shumë në aspket pozitiv edhe në mirëqenien e popullatës, por edhe në aspekt të të ardhurave të shtetit” – u shpreh profesori universitar, Hamit Aliu.
Ndërkohë sa i përket shifrave në rajon, të ardhura më të mëdha nga remitencat ka Serbia me mbi 7 milionë banorë, me 3.3 miliardë euro, pason Bosnjë e Hercegovina me 1.6 miliard euro, Shqipëria me afër 1.3 miliard euro, Kosova me 1.2 miliard euro. E shprehur si përqindje e PBB-së, në Kosovë janë dërguar 18.5 për qind, në Mal të Zi 12.5 për qind, në Shqipëri janë dërguar 9.8 për qind, në Bosnje e Hercegovinë 9.3 për qind dhe në Serbi janë dërguar 7.2 për qind.