Shkup, 24 shtator – Të hënën në orën 18:00 do të mbahet protesta e re për rastin “Onkologjia”. Siç theksojnë organizatorët, protesta do të nisë para Qeverisë dhe do të vazhdojë para godinës së Ministrisë së Shëndetësisë, ku siç thonë ata do të kërkojnë përgjegjësi për të gjithë të përfshirët në skandalin me Klinikën e Onkologjisë, por edhe për zbardhjen e informacioneve për hetimin e tragjedisë në spitalin modular në Tetovë, përfshirë personat nga Ministria e Shëndetësisë si ministrat paraprak që ndikuan në mbulimin e rasteve.
“Ju ftojmë edhe një herë në protestë të hënën para Qeverisë, së bashku në një zë për të shprehur zemërimin dhe revoltën tonë ndaj gjithë krimit që zien prej vitesh në Klinikën e Onkologjisë, por edhe në të gjithë sistemin shëndetësor dhe politik. Duhet të ketë drejtësi për viktimat!”, thuhet në njoftim.