Agjencia Zhurnal.mk.

Të 24 senatoret amerikane kërkojnë mbrojtjen e grave në Afganistan

Të gjitha anëtaret gra të Senatit të Shteteve të Bashkuara i kanë bërë thirrje presidentit amerikan, Joe Biden, që t’i mbrojë të drejtat e grave dhe vajzave afgane, pas tërheqjes së ushtrisë amerikane nga Afganistani.

 

Në një letër dypartiake, 24 ligjvënëset amerikane, të udhëhequra nga demokratja Dianne Feinstein dhe republikania Joni Ernst, i kanë kërkuar administratës Biden të dalë me një “plan ndërinstitucional”, që ruan të drejtat politike, sociale, ekonomike dhe themelore të grave dhe vajzave afgane.

Pasi kanë përmbysur Qeverinë e njohur ndërkombëtarisht në Kabul, në mes të gushtit, talibanët kanë premtuar se do të jenë më të moderuar sesa gjatë sundimit të tyre brutal, nga viti 1996 deri më 2001, kur vajzat nuk janë lejuar të shkojnë në shkollë dhe gratë nuk janë lejuar të punojnë jashtë shtëpisë.

Megjithatë, Kombet e Bashkuara dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë thënë se talibanët nuk i kanë mbajtur premtimet dhe i kanë kritikuar ata për vendosjen e “kufizimeve të gjera” si ndaj grave, ashtu edhe ndaj mediave dhe fjalës së lirë.

“Shkëputja e Amerikës nga Afganistani vë në rrezik përfitimet e siguruara me vështirësi për gratë dhe vajzat afgane”, kanë thënë senatoret e SHBA-së.

Ato kanë kujtuar se, vitin e kaluar, rreth 3.5 milionë vajza afgane janë regjistruar në shkollë dhe se 100,000 të tjera po ndiqnin institucionet e arsimit të lartë.

“Duke mos pasur qeveri legjitime dhe forca ushtarake afgane për t’i mbrojtur ato, gratë dhe vajzat tani vuajnë nga një regjim taliban, me histori brutalizimi, izolimi dhe mohimi të jetës dhe lirisë”, thuhet në letrën e senatoreve.

“Gratë kanë qenë viktima të rrahjeve dhe vrasjeve dhe u ndalohet të dalin nga shtëpia pa një kujdestar mashkull”, kanë thënë ato.

Senatoret kanë thënë se plani i administratës Biden duhet të trajtojë mënyrën se si Shtetet e Bashkuara do të punojnë me organizatat ndërkombëtare – të tilla si Kombet e Bashkuara – për t’i mbajtur talibanët përgjegjës.

Related posts

Kroacia bëhet pjesë e Eurozonës

N E

Një person u përpoq t’ia vë zjarrin një xhamie në Gjermani

D V

SHBA kundërshton thirrjen e OBSH-së për të pezulluar vaksinimin

Redaksia

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More