Agjencia Zhurnal.mk.

Tcherneva: Kosova dhe Serbia nuk po punojnë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve

Kosova dhe Serbia nuk po angazhohen për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve prandaj dialogu mes tyre është në “rrugë qorre”, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) Vessela Tcherneva, zëvendësdrejtore e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë.

 

Ajo mendon se për shkak të zhvillimeve të brendshme në Prishtinë dhe Beograd, përkatësisht zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe atyre që do të mbahen vitin e ardhshëm në Serbi, të dyja palët do të përdorin dialogun për deklarata drejtuar elektoratit të brendshëm.

Sipas saj, ekziston rreziku i incidenteve në rast se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara nuk ua bëjnë të qartë liderëve të të dyja vendeve se dhuna është e papranueshme.

Ajo e sheh si “sinjal premtues” angazhimin e Shteteve të Bashkuara në dialogun Kosovë-Serbi.

“Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të dakordojnë politikën e tyre ndaj rajonit dhe të intensifikojnë bashkëpunimin dhe fokusin (drejt Ballkanit Perëndimor)”, thotë Tcherneva.

Intervista u zhvillua derisa ekspertja Tcherneva mori pjesë në Forumin e Sigurisë në Beograd.

Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë është një institut joqeveritar që hulumton politikën e jashtme dhe të sigurisë evropiane.

REL: Ekzistojnë shumë zëra, edhe këtu në Forumin për Siguri në Beograd, që thonë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i bllokuar. Si e shihni ju këtë proces?

Tcherneva: Nuk mendoj se dialogu është bllokuar në kuptimin klasik sepse palët ende po zhvillojnë takime në Bruksel. Gjatë verës kemi pasur takimin mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe tashmë ka informacione se mund të takohen prap gjatë muajit nëntor. Ata (zyrtarët) janë të kënaqur me këto takime, sepse i shfrytëzojnë raundet e dialogut në Bruksel për të dërguar mesazhe politike për audiencën e tyre, për të fituar ndoshta pikë politike në mesin e votuesve në Kosovë dhe Serbi. Pavarësisht se dialogu nuk ka ngecur në kuptimin klasik, ai është në “rrugë qorre” pasi palët nuk pajtohen për mosmarrëveshjet. Kemi dëgjuar se takimet mes tyre u zhvilluan në një atmosferë ku kishte ofendime të ndërsjella dhe britma. Këto nuk janë takime të këndshme. Pavarësisht se po takohen ata kanë mosmarrëveshje në shumë pika, nuk po bëjnë asgjë për zgjidhjen e tyre dhe nuk po zhvillojnë dialog konstruktiv. Pikëpamjet e tyre janë të kundërta. Pra edhe pse nuk është “i bllokuar” ky dialog nuk mendoj se të shpie diku.

REL: Ju i përmendet planet që të ketë edhe një takim në nëntor, por ka një problem me agjendën. Serbia këmbëngul që temë e takimit të rradhës të jetë formimi i Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, ndërsa pala kosovare thotë se nuk ka për çfarë të diskutohet në lidhje me këtë temë. Si mendoni se do të rrjedhin gjërat?

Tcherneva: Ka sinjale për një takim të ri të zyrtarëve në nëntor. Ende nuk është e qartë se kur do të mbahet, por për këtë mund të mësojmë së shpejti. Presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti deri më sot nuk janë pajtuar për temat dhe dinamikën e dialogut prandaj mendoj se rendi i ditës është në problem i madh. Nuk mendoj se do të shohim përparim derisa të dyja palët të bien dakord për agjendën e diskutimeve. Nuk është e qartë nëse Asociacioni i Komunave Serbe do të jetë në agjendë, sepse të dyja palët kanë qëndrime të kundërta se si duhet të zhvillohet procesi.

A po hesht BE-ja për agjendën?

REL: Nëse Vuçiq dhe Kurti kanë pikëpamje kaq të kundërta atëherë cili do të duhej të ishte roli i Bashkimit Evropian në dialog? Nuk kemi dëgjuar shumë nga zyrtarët e BE-së për agjendën e bisedimeve.

Tcherneva: Nuk e kemi dëgjuar Bashkimin Evropian, prandaj nuk dimë. Pra, i kthehemi sërish mungesës së transparencës në dialog. Shumë njerëz e përmendin këtë si një çështje kyçe. Duhet të kemi më shumë informacione. Për momentin nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me rendin e ditës. Fatkeqësisht, nuk kam përgjigje për pyetjen tuaj. Mbase do të ishte pak joserioze nga ana ime të përpiqem të përgjigjem, sepse ne nuk e dimë se çfarë ka në tryezë të bisedimeve.

REL: Por, a mendoni se Bashkimi Evropian duhet të bëjë më shumë presion ndaj të dyja palëve në dialog?

Tcherneva: Unë mendoj se po, ndoshta duhet të ketë pak më shumë presion. Por, edhe në atë mënyrë nuk të funksiononte. Edhe nëse do të kishte më shumë presion nga Brukseli, mendoj se ne do të vazhdojmë të shohim zvarritjen e procesit.

Tcherneva: Ka sinjale shumë premtuese, por mendoj se roli i SHBA-së duhet të jetë më intenziv. Ende është herët të bëhet një vlerësim. Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të dakordojnë politikën e tyre ndaj rajonit dhe të intensifikojnë bashkëpunimin dhe fokusin (drejt Ballkanit Perëndimor).

REL: Në nëntor mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë, pastaj kemi zgjedhjet e përgjithshme në pranverë në Serbi. A do të vendoset “në pritje” dialogu i Brukselit për shkak të proceseve zgjedhore në të dyja vendet?

Tcherneva: Nuk mendoj kështu. Mendoj se dialogu do të përdoret për politika të brendshme. Do të ketë takime (në Bruksel) dhe deklaratat e të dyja palëve do të jenë të drejtuara në elektoratin e tyre.

REL: Brenda dy muajsh kemi pasur dy incidente në veri të Kosovës. A prisni se mund të ketë incidente të reja?

Tcherneva: Nëse nuk ka një bashkëpunim mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për harmonizimin politikave une e shoh këtë rrezik. Gjëja e parë me të cilën duhet të merren është t’u bëjnë të qartë liderëve se dhuna nuk do të jetë e pranueshme, dhe se ndaj saj është një “jo” e madhe. Shpresoj që kjo të ndodhë. Përndryshe, çdo shkëndijë e vogël mund të shpërthejë në rajon. Kemi parë sesi mosmarrëveshja e vogël për targat është shndërruar në çështje ushtarake. Unë mendoj se kjo duhet të parandalohet.

REL: Më herët thatë se dialogu nuk po shpie askund, cila është zgjidhja, çfarë duhet bërë?

Tcherneva: Mendoj se që kur filloi më 2011 dialogu kishte mangësi. Edhe ne diskutimet në Forumin e Sigurisë në Beograd për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dëgjuam shumë argumente për mungesën e transparencës së dialogut të Brukselit. Qytetarët, të cilët duhet të kenë përfitime të drejtpërdrejta nga dialogu, nuk e dinë se çfarë po ndodh, çfarë po negociohet apo vendoset për ta. Së pari, duhet të ketë më shumë transparencë. Çështja e dytë ka të bëjë me moszbatimin e marrëveshjeve të arritura. Procesi nuk u zhvillua “nga poshtë lart”, por “nga lart poshtë”. Pra, nëse liderët vendosin se çfarë të bëjnë dhe arrijnë një marrëveshje, qytetarët, edhe pse nuk janë konsultuar, duhet ta zbatojnë atë. Mbase i gjithë formati i negociatave duhet të ndryshojë dhe mendoj se Bashkimi Evropian duhet të përfshihet më shumë në aspektin politik. BE-ja duhet t’i japë më shumë peshë politike procesit. Ne kemi parë që mbështetja politike për procesin erdhi nga Gjermania. Por, mendoj se edhe anëtarët e tjerë të Bashkimit Evropian duhet të qëndrojnë prapa dialogut dhe t’i japin peshë politike. Bashkimi Evropian duhet të ofrojë më shumë mbështetje politike dhe të fokusuar. Ne kemi dëgjuar tashmë deklarata se është e rëndësishme të mbështeten liderët me orientim evropian në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe se shtetet anëtare duhet të jenë më të qartë për këtë. Gjithashtu, mendoj se duhet të ketë një plan serioz investimesh, i lidhur me përparimin në shtetin e së drejtës./REL

Related posts

Qytetarët e Ballkanit Perëndimor kërkojnë nga qeveritë e tyre dhe BE-ja udhëtime pa viza

D V

Ramosaj: Në Deçan ka mungesë të barnave kundër helmimit

D V

Goran Stanishiq dënohet me 20 vjet burg për vrasjen e 13 civilëve gjatë luftës në Kosovë

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More