Shkup, 31 janar – Nuk është definitive hyrja e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, por gjasat për këtë janë të mëdha. Rreth 90 për qind e programit është sinkronizuar, por për çështjet kadrovike nuk kemi biseduar aspak, deklaroi sot kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski.
Për çështjet kadrovike, siç theksoi, do të bisedojnë gjatë ditëve në vijim.
“Shpresoj se gjatë ditës edhe nga Qeveria do të informojnë për çështjet për të cilat jemi marrë vesh. Aspak nuk kemi diskutuar për çështjet kadrovike, por shpresoj se gjatë ditëve të ardhshme do ta hapim edhe temën e çështjeve kadrovike. Më së shumti kemi folur për programin e partisë sonë dhe Qeverisë dhe për çështje të cilat duhet t’i qojmë bashkë në periudhën që vijon deri në fund të mandatit të kësaj Qeverie. Bëhet fjalë për integrimet evropiane, ligje për luftën kundër korrupsionit, ligji për qeveri dhe ligje të tjera”, tha Taravari.
Ai shtoi se një prej dikastereve për të cilët “kanë kuadro më të mira” është Ministria e Shëndetësisë, por theksoi, se bisedë për këtë temë aspak nuk ishte filluar.
Njoftim edhe nga Qeveria:
“U diskutuan përfitimet nga anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO, fillimi i negociatave me BE-në me qëllimin përfundimtar anëtarësimin e plotë në BE dhe partneriteti strategjik që Maqedonia e Veriut ka zyrtarizuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fokus të bisedimeve mes Kryeministrit Kovaçevski dhe Taravari ishte lufta e padiskutueshme kundër korrupsionit në kuadër të proceseve reformuese që po ndodhin në vend, si dhe procesi i skriningut i cili deri më tani realizohet me sukses por edhe procesi për të sjell vendime dhe reforma që do të kontribuojnë në integrimin sa më të shpejtë të vendit në BE”, bëhet e ditur në kumtesën e Qeverisë.
Duke pasur parasysh harmonizimin programor dhe përkushtimin për arritjen e qëllimeve prioritare të shtetit, Kryeministri Kovaçevski dhe Taravari diskutuan dhe ranë dakord për rëndësinë e promovimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, të cilat janë karakteristikë e politikës dhe diplomacisë maqedonase ndër vite, , me qëllimin përfundimtar – kohezionin e brendshëm dhe integrimin ndërkombëtar të Maqedonisë së Veriut, por edhe përparimin dhe zhvillimin e ardhshëm të shpejtë të shtetit.
“Gjithashtu, kryeministri Kovacevski dhe Taravari diskutuan për trajtimin efikas të krizës energjetike dhe ekonomike, zhvillimin ekonomik si dhe miratimin e ligjeve reformuese që nënkuptojnë përmirësimin e funksionimit të shtetit si zgjidhje ligjore për kontrollin financiar publik, parandalimi i abuzimit me balancuesin, mbrojtja e kategorive të cenueshme të qytetarëve, si dhe ligji për Qeverinë, por edhe fuqizimi institucional i Byrosë së Zhvillimit Rajonal”, bëhet e ditur në kumtesën e Qeverisë.
Ky ishte takimi i dytë i kryeministrit Kovaçevski me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Taravari.