Shkup, 9 mars – Me rastin e jubileut të themelimit të Klubit të Deputeteve të Kuvendit, sot në Qendrën për Ndërmarrësi Sociale në Shkup, deputetet do të mbajnë takim me përfaqësueset e Qendrës për Ndërmarrësi Sociale dhe përfaqësuesit dhe përfaqësueset që drejtojnë ndërmarrjet sociale.
Në fokus të këtij takimi janë angazhimet nacionale për ndërmarrjet sociale të cilat i realizon Qendra për Ndërmarrësi Sociale e themeluar në bashkëpunim ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian. Klubi i Deputeteve do të ketë mundësinë t’i ndjekë prezantimet e iniciativave të mbështetura nga Qendra për Ndërmarrësi Sociale, si dhe diskutimin për bashkëpunim të mëtejshëm për të përfaqësuar këtë strategji nacionale.
“Deputetet do të kenë mundësinë të njihen me punën e Qendrës për Ndërmarrësi Sociale, por edhe iniciativat e ndërmarrësisë sociale ku bartësit janë pjesëtaret dhe pjesëtarët e grupeve vulnerable. Prandaj deputetet duhet të jenë bartëse të ndryshimeve pozitive në drejtim të fuqizimit ekonomik të grave”, thuhet në kumtesën e pres-shërbimit të Qeverisë.
Qendra u themelua për të zbatuar Strategjinë Nacionale për Ndërmarrjet Sociale.
Vizita e punës e Qendrës për Ndërmarrësi Sociale “Fuqizimi Ekonomik i Grave në Strategjinë Nacionale për Ndërmarrjet Sociale” do të realizohet në kuadër të Programit për Mbështetjen Parlamentare, të financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
Ky takim ka rëndësi të madhe për promovimin e fuqizimit ekonomik të grave në zbatimin e Strategjisë Nacionale për Ndërmarrjet Sociale 2021 – 2027.