Wojciech Szczesny arriti ta priste penalltinë e Lionel Messi-t, në ndeshjen e mbrëmshme që Argjentina e mposhti Poloninë me rezultat 2:0, takim ky i xhiros së fundit të grupeve në Kupën e Botës.
Penalltia ishte diskutabile, pasi që portieri polak e goditi Messi-n pasi ky i fundit e kishte larguar topin.
Pas ndeshjes, Szczesny rrëfeu një moment interesant me shtatë herë fituesin e Topit të Artë, derisa ata kishin vënë një bast.
“Ne folëm para penalltisë. Unë i thashë se do të vë bast 100 euro që gjyqtari nuk do ta jepte penalltinë. Kështu që, unë kam humbur një bast kundër Messi-t”, tha fillimisht Szczesny.
“Unë nuk e di nëse kjo lejohet në Kupën e Botës. Ndoshta do të më dënojnë për këtë. Nuk më intereson tani. Nuk do ta paguaj as atë. Atij nuk i interesojnë 100 euro e mia”, tha polaku duke qeshur.
Megjithatë, shokët e Messi-it u përkujdesën që Argjentina të vijonte tutje në Kupën e Botës, teksa shënuan dy herë.
Në ndeshjen me eliminim direkt, Argjentina do të përballet me Australinë, ndërsa Polonia me Francën.