Agjencia Zhurnal.mk.

Studimi: Numri i spermatozoideve ka rënë për 62 për qind që nga viti 1973

Shkencëtarët izraelitë, të udhëhequr nga profesori Hagai Levine, njoftuan se një analizë e re tregoi se numri i spermatozoideve ka rënë me 62 për qind që nga viti 1973, gjë që paraqet rezultate alarmante dhe jashtëzakonisht të këqija për meshkujt.

 

Profesor Levin, i cili jep mësim në Universitetin Hebraik të Jerusalemit, tha se një numër i ulët i spermatozoideve konsiderohet një tregues i shëndetit të meshkujve, ndërsa nivelet e ulëta shoqërohen gjithashtu me një rrezik në rritje të sëmundjeve kronike, kancerit të testikujve dhe një jetëgjatësi më të shkurtër.

“Duhet të çuditemi dhe të shqetësohemi nga ky zbulim. Trendi në rënie është shumë i qartë. Ky është një zbulim i jashtëzakonshëm dhe ndihem përgjegjës për ta sjellë atë në botë. Rënia duket se po përshpejtohet”, ka thënë Levin, i cili drejtoi studimin me profesoreshën Shanna Swan nga New Yorku.

Punimi hulumtues u botua në revistën Human Reproduction Update, ndërsa The Times of Israel shkruan se “rënia prej 62 për qind i referohet numrit të spermatozoideve, që do të thotë numri i spermatozoideve të pranishme në një ejakulim mesatar. Përqendrimi i spermatozoideve për mililitër është ulur 52 për qind në rreth 50 milionë. Kjo është ende shumë mbi kufirin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, por sigurisht se është një e dhënë shqetësuese”.

Ndryshe, Levin publikoi një studim të ngjashëm në vitin 2017, i cili përfshinte të dhëna nga viti 1973 deri në vitin 2011. Në kuadër të këtij studimi, u shpjegua se si numri i spermatozoideve te meshkujt në Amerikë, Evropë, Australi dhe Zelandën e Re, kishte rënë me më shumë se 50 për qind.

Studimi i ri mbulon periudhën nga viti 1973 deri në vitin 2018 dhe janë shtuar shtatë vite të tjera të dhëna statistikore dhe ka një shtrirje gjeografike shumë më të gjerë, duke pasur parasysh se mbulon rreth 53 vende.

Gjithashtu, Levine thekson se fertiliteti fillon të bjerë kur përqendrimi i spermës bie nën 40 milionë për mililitër. Me ritmin aktual të rënies, ky numër mund të bëhet mesatarja globale brenda një dekade.

“Për më tepër, nëse shikojmë mesataret dhe nëse meshkujt sot kanë mesatarisht 50 milionë spermatozoide për mililitër, sot ka një numër të madh meshkujsh që kanë më pak se 40 milionë spermatozoide. Jemi duke u përballur me një problem serioz që nëse nuk zbutet, mund të kërcënojë mbijetesën e njerëzimit”.

“Urgjentisht bëjmë thirrje për veprim global për të promovuar një mjedis më të shëndetshëm për të gjitha speciet dhe për të reduktuar ekspozimet dhe sjelljet që kërcënojnë shëndetin tonë riprodhues”, ka theksuar profesori

Related posts

Stresi, pagjumësia, ankthi? Provoni ASMR-në!

D V

Ndikimi i fortë i arrave për uljen e kolesterolit të keq në gjak

Redaksia

Faktet interesante rreth gjumit që duhet t’i din

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More