Roberto De Zerbi i ka bërë për vetë tifozët e Brajtonit me futbollin e tij sulmues dhe zbavitës që aplikon tek ekipi i Premier Ligë. Por jo vetëm, skuadra e trajnerit guximtar italian vazhdon të thithë tifozë të rinj.
Sigurisht falë futbollit të bukur, që po shoqërohet me rezultate pozitive. De Zerbi udhëhoqi Brajtonin drejt kualifikimit të parë europian në histori, duke dërguar skuadrën në grupet e Ligës Europa. Në Premier Ligë, “Pulëbardhat” kanë sulmi më të mirë me 18 gola dhe renditen si forcë e tretë me vetëm tri pikë më pak se Man. Siti, si kryesues.
Ndërkohë, një statistikë interesante po qarkullon në rrjet. Dhe që ka lidhje me topat e gjatë të shkelmuar nga portierët në nisjen e aksioneve. Te Brajtoni është 0%!
Si Steele edhe Verbrugen, nuk kanë zgjedhur në asnjë moment të nisin një top të gjatë drejt shokëve të skuadrës. Pasi “urdhri” i De Zerbit është i prerë: luajmë gjithmonë poshtë dhe fillojmë çdo aksion me pasime. 44-vjeçari nga Bresha, i cili prodhoi një futboll të tillë edhe te Sassuolo, po e përsërit vetën edhe në ishull. Topat e gjatë janë të palejuar në principet dhe idetë e futbollit të tij.
Dhe lojtarët po ia dalin t’i zbatojnë me përsosmëri porositë e trajnerit. Duke u shndërruar në një nga skuadrat më të veçanta dhe emocionuese në Europë. Pas Brajtonit me 0% në topat e gjatë, i dyti vjen Andre Onana (Mançester Junajted) me 20% dhe më pas braziliani Ederson (Man. Siti) me 40%.