Agjencia Zhurnal.mk.

Situata në gjyqësor dhe me korrupsionin veçse po përkeqësohet më shumë!

Shkup, 6 qershor – Se situata në gjyqësor dhe me korrupsionin veçse po shkon e po përkeqësohet më shumë po vërtetohet edhe nga deklaratat e diplomatëve të vendeve të huaja. I fundit që e konfirmoi këtë gjë ishte diplomati holandez, Dirk Jan Kop, ai kritikoi ashpër situatën në gjyqësore dhe luftën kundër korrupsionit. Por, nuk është i pari sepse para tij, edhe shumë ambasadorë të tjerë kishin alarmuar për një situatë të tillë. Aktualisht, edhe ambasadorja amerikane, Angela Aggeler, pasi një letër kishte drejtuar disa institucioneve në vend, në të cilën shprehte shqetësimin për mënyrën e procedimit dhe zvarritjen e lëndëve gjyqësore të profilit të lartë. Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në 2022, tregon se Korrupsioni në Maqedoninë e Veriut është shumë i lartë. Në të theksohet se edhe pse vendi ka ligj që parasheh dënime penale për korrupsionin, megjithatë ekzistojnë raporte për funksionarë që janë të përfshirë në korrupsion. Korrupsioni me shumë gjasë është fjala më e përmendur në Maqedoninë e Veriut, përmendet edhe nga ata që korruptojnë e janë të korruptueshëm, edhe nga ata që e luftojnë edhe nga ata që frikësohen, pra çdokush që e kupton fjalën korrupsion e përmend në çdo bisedë kur flitet për të ardhmen e vendit, e politikbërjen në vend. Gjyqësori është pushteti i tretë sipas radhitjes së pushteteve, që duhet të kontrollojë dy pushtetet tjera atë legjislativ dhe ekzekutiv. Por, në Maqedoninë e Veriut ky pushtet ka stagnuar së punuari dhe duket sikurse është jofunksional, shkruan Zhurnal.

Sa është besimi në gjyqësi sipas anketës së fundit?

Vetëm 4 për qind e të anketuarve i besojnë plotësisht gjyqësorit, kjo sipas anketës së fundit që IRI që është publikuar ditëve të fundit. Anketat e mëhershme tregonin se 8 për qind e qytetarëve të anketuar të Republikës së Maqedonisë së Veriut i besonin tërësisht gjyqësorit, për një vit ky besim ka shënuar ulje drastike. Në anketën në fjalë dukshëm është ulur besimi edhe në Prokurori, Polici, Sistemin shëndetësor, punën e Qeverisë, Arsimin.

Kjo tregon që besimi në gjyqësi dhe institucionet e drejtësisë është shqetësues se është shumë i ulët, e më shqetësuese se kaq është fakti se besimi nuk shkon në rritje vetëm në ulje e sipër. E kjo është dëshmuar që brenda vitit nga 8% ka rënë në 4%, e nuk dihet vitin e ardhshëm kjo përqindje ku do përfundojë.

Ambasadorja amerikane në vend, Kejt Meri Bërnz, në një konferencë para gjykatësve tha se qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk kanë besim në gjyqësi. Ajo u bazua në anketën e fundit të Eurothink, ku vetëm 8% e qytetarëve kanë besim në gjyqësi, ndërsa që të përmirësohet kjo, duhet të funksionojë sistemi.

“Nuk është sekret se opinioni nuk beson në gjyqësi. Në fakt, anketa e fundit e Eurothink tregoi se vetëm 8% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut kanë besim në gjyqësi dhe prokurori. Si duket, ka shumë gjëra për të bërë, duke përfshirë reformat gjyqësore dhe përforcimin e institucioneve, por gjithashtu duhet të adresohen dhe percepcionet – njerëzit duhet të shohin dhe të ndjejnë se sistemi funksionon. Qytetarët duhet të jenë të bindur se rastet e tyre do të dëgjohen nga gjykata neutrale dhe të pavarura në afat të caktuar. Ky është principi bazë në çdo demokraci të lirë dhe funksionale”, pati thënë Bërnz në konferencën ndërkombëtare gjyqësore në Shkup.

Raporti i DASH-it korrupsioni në nivel të lartë në RMV-

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për vitin 2022 vë në pah faktin që korrupsioni “lulëzon” në çdo sektor të vendit, edhe atë në qeveri, burgje, gjykata dhe ngjashëm. Në raport thuhet se edhe pse ka përpjekje për të përmirësuar situatën, ka sektorë në të cilat qytetarët përballet me diskriminim të skajshëm, trajtim çnjerëzor, korrupsion, dhunë dhe kërcënime.

“Në Kushtetutë parashihet gjyqësor i pavarur, por autoritetet jo gjithmonë e kanë respektuar pavarësinë dhe paanësinë gjyqësore. Rastet e sjelljes së pahijshme gjyqësore, presioni i papërshtatshëm politik dhe i biznesit ndaj gjykatësve, drejtësia e zgjatur dhe financimi dhe stafi i pamjaftueshëm i gjyqësorit vazhduan të pengojnë efikasitetin e gjykatave dhe të ndikojnë në besimin e popullit në sundimin e ligjit”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Në raport duke cituar Këshillin Gjyqësor, thuhet se besimi tejet i ulët i qytetarëve në gjyqësor vjen për shkak të korrupsionit të konsiderueshëm në gjyqësor, shtyrjes së seancave për të mundësuar vjetërsim të lëndëve, sidomos kur të akuzuar janë biznesmenë dhe politikanë dhe ngjashëm. Korrupsioni është radhitur ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve, gjithsej 357 denoncime për korrupsion kanë arritur deri te Komisioni Antikorrupsion. Ky institucion, ka shqiptuar 356 gjoba kundër zyrtarëve publik për shkelje të ndryshme, nga të cilët vetëm 220 kanë paguar gjobat në afat të caktuar.

Maqedonia e Veriut si shtet i pavarur nga 8 shtatori i vitit 1991, 31 vite shtet, përgjatë gjithë kësaj periudhe është përballë me luhatje e lëkundje të ndryshme që kanë dridhur edhe rrënjët e shtetit, por ja që të gjitha këto kanë qenë edhe të përballueshme e tejkaluese. Por, ajo që nuk po kalon dot e për të cilën mund të konstatohet lirshëm se është “sëmundje” kancerogjene që po dëmton në palcë shtetin tonë, është korrupsioni. Temë e stërfolur por pa ndonjë epilog konkret, komisione të shumta, apele të veçanta, veting i premtuar për çdo vit, e çka jo tjetër, vetëm për t’i shpallë luftë korrupsionit.

Megjithatë, një luftë e tillë ende nuk është parë në terren, ajo që publikohet në rrjete sociale dhe që thuhet në fushatë elektorale është krejtësisht tjetër dhe ka dallim të madh nga ajo që shihet në praktikë. Maqedonia e Veriut shtet i pavarur që 31 vite, që 17 vite shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ende nuk ka marrë datën për fillim të negociatave me BE-në. Kjo mbase edhe nuk po ndodhë rastësisht e as për inati të askujt, po ndodhë sepse Maqedonia e Veriut po ka problem serioz me korrupsionin, e që në BE nuk pranohen shtetet që kanë problem me korrupsionin. /Zhurnal.mk

Related posts

Babai i Vanjës në gjykatë – kërkohet paraburgim!

Xh M

Babai i Vanjës sillet para Gjykatës Themelore Penale

Xh M

Liderët vendosën, zgjedhje të dyfishta më 8 maj

Xh M