Agjencia Zhurnal.mk.

Si do ta vaksinojë Bullgaria publikun kur as mjekët nuk binden?

“Unë kurrë nuk iu kërkoj pacientëve të mi t’i bëjnë ato vaksina”, thotë një mjek. “Ka njerëz që nuk e dinë se çfarë është aspirini dhe kanë mbijetuar. Marrëveshja e vetme tani është të tremben njerëzit, përmes mediave dhe burimeve të tjera të informacionit”.

 

Ky mjek i përgjithshëm që ka folur në kushte anonimiteti, punon me ekipet kombëtare bullgare dhe atletët olimpikë në disa sporte, përfshirë: futbollin, mundjen dhe karatenë.

Ai i ka thënë Shërbimit bullgar të Radios Evropa e Lirë se nuk është vaksinuar kundër koronavirusit, sepse “nuk ka asnjë provë” që “një virus i tillë ekziston”.

Ai është vetëm njëri prej shumë punonjësve shëndetësorë bullgarë që refuzojnë të vaksinohen.

Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, 25.5 për qind e stafit shëndetësor të Bullgarisë është vaksinuar. Kjo është shkalla më e ulët midis vendeve anëtare të BE-së.

Sipas Ministrisë bullgare të Shëndetësisë, rreth gjysma e një kategorie më të ngushtë të “personelit mjekësor” është vaksinuar plotësisht.

Në Shtetet e Bashkuara, për krahasim, rreth 75 për qind e profesionistëve mjekësorë janë vaksinuar plotësisht.

Mjeku anonim, që ka folur për Shërbimin bullgar të Radios Evropa e Lirë, ka pohuar, pa sjellë asnjë provë, se “autopsitë e njerëzve që vdesin nga koronavirusi janë të ndaluara”. “Viruset e tjera vdekjeprurëse mund të diagnostikohen… me COVID-in nuk mund ta bëni këtë”, ka thënë ai.

Skeptikët e koronavirusit shpesh argumentojnë se pacientët – vdekjet e të cilëve i atribuohen sëmundjes që e shkakton koronavirusi, COVID-19 – në të vërtetë vdesin nga shkaqe të tjera.

Shkalla e përgjithshme e vaksinimit në Bullgari mbetet nën 25 për qind – më e ulëta në BE. Për krahasim, shkalla e vaksinimit në Portugali është mbi 90 për qind.

Deri më tash, mbi 25,000 njerëz kanë humbur jetën nga koronavirusi në Bullgari, ndërsa rritja e numrit të të infektuarve ka mbushur spitalet.

Në fund të javës së kaluar, dhjetëra drejtues të shoqatave mjekësore bullgare dhe disa pacientë janë mbledhur së bashku me ministrin bullgar të Shëndetësisë, Stoycho Katsarov, për të paraqitur një front të bashkuar kundër koronavirusit.

Që të gjithë me maska në fytyrë dhe me duar të shtrënguara, ata u kanë bërë thirrje bullgarëve që të vaksinohen sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Ne të gjithë po përballemi me një kërcënim të madh dhe nevojiten veprime të përbashkëta”, ka thënë Katsarov.

Nga 21 tetori, Qeveria bullgare ka marrë vendim që qytetarëve t’iu kërkohet “leja e gjelbër”, nëse duan të kenë qasje në shumicën e aktiviteteve që zhvillohen në ambiente të brendshme.

Kjo leje nënkupton dëshmi të vaksinimit, të testit negativ të koronavirusit ose të shërimit nga sëmundja.

Punonjësit në sektorin e kujdesit shëndetësor duhet ta kenë gjithashtu “lejen e gjelbër”.

“Bullgaria ka dështuar me vaksinat”, ka thënë në takim me Katsarovin Stanimir Hasardjiev, i cili kryeson Organizatën Kombëtare të Pacientëve në Bullgari dhe është anëtar i bordit të Forumit Evropian të Pacientëve.

Ai ka shfaqur shpresën se bullgarët ngurrues ndaj vaksinave, do ta kuptojnë se “nuk ka komplote”. “Vëllezër, për hir të Zotit, vaksinohuni”, ka thënë ai.

Aleksander Naidenov, doktor i mjekësisë dentare, i cili ligjëron për biologji në shkollën private STEM në Sofje, thotë se fajtore për shkallën e ulët të vaksinimit në Bullgari është “kultura e pakët shëndetësore”, por edhe mosbesimi ndaj autoriteteve dhe “cirku mediatik”.

Ai thotë se rezistenca kokëfortë e mjekëve bullgarë për të përqafuar risitë, siç janë vaksinat anti-COVID, është trashëgimi e zakoneve të këqija të bllokut lindor.

“Shumica e tyre nuk janë kundër vaksinave, por thjesht nuk i kuptojnë vaksinat”, thotë Naidenov, i cili është bërë mbështetës i zëshëm i vaksinimit.

“Ata [skeptikët ndaj vaksinave] nuk u besojnë fare autoriteteve në Bullgari, por jo vetëm atyre. Ata nuk i besojnë Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nuk i besojnë CDC-së [Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve] në SHBA, ata nuk besojnë në asgjë”, thotë Naidenov.

Skepticizmi ndaj vaksinave në Bullgari ka qenë i theksuar shumë kohë përpara se të shfaqej koronavirusi i ri.

Një raport i publikuar nga Komisioni Evropian në vitin 2018, mbi “gjendjen e besimit në vaksina”, ka konstatuar se, në mesin e të gjitha vendeve të BE-së, bullgarët “kanë më pak gjasa të pajtohen se vaksinat janë të sigurta”.

Kjo sugjeron nevojën për një fushatë të fuqishme të ndërgjegjësimit të publikut dhe për këshilla të besueshme mjekësore, pasi studimet e detajuara klinike kanë treguar se vaksinat e reja janë të sigurta dhe efektive.

“Prejse ka filluar pandemia dhe më vonë, kur kanë nisur të vijnë vaksinat, fushata e informimit e Ministrisë së Shëndetësisë ka qenë shumë kaotike, konfuze, dhe informacionet e dhëna kanë krijuar më shumë frikë sesa besim në vaksinë”, thotë për Radion Evropa e Lirë nënkryetari i Shoqatës Kombëtare të Mjekëve të Përgjithshëm të Bullgarisë, Hristo Dimitrov.

Disa shtete evropiane, përfshirë Greqinë, Hungarinë dhe Francën, kërkojnë tashmë nga punonjësit e kujdesit shëndetësor që të vaksinohen.

Disa vende të tjera që kanë shkallë të lartë të vaksinimit, të tilla si Mbretëria e Bashkuar, kanë lënë të kuptohet se planifikojnë që, së shpejti, të kërkojnë nga punonjësit e kujdesit shëndetësor që të vaksinohen.

Por, shumë qeveri të tjera i kanë shmangur detyrimet e tilla.

Përfaqësuesi i mjekëve, Dimitrov, thotë se ka “shumë, shumë pak” dyshues në mesin e specialistëve mjekësorë, që kundërshtojnë vaksinimin kundër koronavirusit. Sipas tij, nocioni se mjekët e përgjithshëm “e sabotojnë fushatën e vaksinimit, është thelbësisht i gabuar”.

“Ajo që e bën situatën të duket më e keqe, është se ata mjekë që dyshojnë, janë më të zëshëm”, thotë Dimitrov.

Statistikat e 5 nëntorit kanë treguar se në mesin e 16,162 rasteve me koronavirus në Bullgari, 4,424 kanë qenë në mesin e mjekëve, 5,409 në mesin e infermierëve dhe 3,180 te “personeli tjetër mjekësor”.

Shoqata e Mjekëve në Bullgari thotë se numri i mjekëve të regjistruar në këtë vend është afro 33,000. Sipas saj, më shumë se gjysma e tyre janë vaksinuar plotësisht deri në fund të korrikut.

Bullgaria e ka kaluar më lehtë pranverën e vitit 2020, kur Italia dhe Evropa Perëndimore kanë qenë “epiqendra” të infeksioneve të reja me koronavirus.

Por, pastaj, ajo është përballur me tri valë të mëdha të koronavirusit. E fundit ka arritur kulmin në fund të tetorit, me afro 5,000 infektime të reja në ditë./REL

Related posts

Shtëpia e Bardhë thotë se Biden synon të rikandidojë në zgjedhjet e vitit 2024

D V

Të paktën pesë të vdekur nga të shtënat me armë në universitetin në Rusi – bëhet e ditur se çfarë kishte shkruar sulmuesi në rrjetet sociale

D V

Rreth 500 mijë shtëpi dhe biznese pa energji elektrike pasi erërat e forta goditën Massachusetts-in lindor

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More