Agjencia Zhurnal.mk.

Shoqëria civile i kërkon SHBA-së të shqyrtojë thirrjen e Kosovës në Samitin për Demokraci

Një grup i organizatave joqeveritare nga Kosova, ka kërkuar përmes një letre që, Shtetet e Bashkuara të shqyrtojnë thirrjen e Kosovës për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci, të organizuar më 9 dhe 10 dhjetor nga presidenti amerikan, Joe Biden.

 

Radio Evropa e Lirë ka siguruar letrën nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, e cila i është dërguar Zëvendësndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh të dërguarit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Koordinatores për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Shanthi Kalathil, në të cilën kanë dhënë arsyet e tyre pse Kosova do të duhej të ishte pjesë e kësaj iniciative.

Vërtetësinë e kësaj letre e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë njëri nga nënshkruesit e saj, Agon Maliqi, kryetari i bordit të platformës jofitimprurëse, Sbunker.

“Ne jemi të vetëdijshëm për kontekstin delikat të sigurisë në Ballkan, që prodhon ndarje të thella etnike dhe shpesh paqëndrueshmëri. Megjithatë, duke pasur parasysh përparimin e vazhdueshëm që Kosova ka bërë gjatë viteve për të ndërtuar demokraci, por edhe raportet e posaçme mes popullit të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara, ne besojmë se Kosova meriton të jetë pjesë e kësaj iniciative strategjike dhe do të përfitonte nga e njëjta”, thuhet në letër.

Letra e organizatave joqeveritare nga Kosova drejt autoriteteve amerikane.
Letra e organizatave joqeveritare nga Kosova drejt autoriteteve amerikane.

Sipas një liste të publikuar nga Politico, nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, në këtë samit, nuk është ftuar as Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Në anën tjetër, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë ftuar.

Lista e të ftuarve ende mbetet në nivel informacionesh jozyrtare.

Organizatat e shoqërisë civile kanë potencuar se Kosova është një prej shteteve në rajon që është e shqetësuar për autoritarizmin keqdashës si dhe ndikimin e Kinës dhe Rusisë.

“Ne po ashtu e kuptojmë, dhe në disa raste ndajmë zemërimin që SHBA-ja ka me elitat politike të Kosovës, megjithatë ne nuk arrijmë të shohim ndonjë dallim në raportet SHBA-Kosovë që janë thelbësisht kondratiktore, që do të bënte që Kosova të meritonte përjashtimin nga kampi botëror pro-demokracisë. Ne besojmë fuqishëm që pjesëmarrja e Kosovës në samit do të ndihmonte në avancimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në shtetin tonë dhe do të fuqizonte përpjekjet tona për t’i mbajtur përgjegjëse institucionet. Prandaj, ne shpresojmë që Qeveria amerikane do të jetë e gatshme ta rishqyrtojë këtë vendim”, thuhet mes tjerash në letrën e organizatave joqeveritare.

Nënshkruese të kësaj letre, dërguar zyrtarëve të lartë amerikanë, janë Grupi i Ballkanit për Politika, Forumi i Ballkanit, Demokracia Plus, Demokracia për Zhvillim, Instituti i Kosovës për Politika Evropiane, Instituti GAP, Fondi për të Drejtën Humanitare, Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, Instituti Demokratik i Kosovës, Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, Rrjeti i Grave të Kosovës, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lëvizja FOL, Organizata Çohu, Instituti i Prishtinës për Studime Politike, Sbunker, Inciativ dhe Donika Emini, anëtare e Grupit Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit.

Mirëpo shoqëria civile në Kosovë nuk është e vetmja që është shqetësuar për mospërfshirjen e këtij vendi në Samit.

Sipas një raporti të agjencisë së lajmeve, Reuters, ka edhe vende tjera që kanë shprehur pakënaqësinë me listën e të ftuarve, e cila i është konfirmuar kësaj agjencie nga një zyrtar i lartë amerikan, i përfshirë në planifikim.

Sipas tij, ftesat u janë dërguar vendeve që kanë përvoja të ndryshme me demokracinë, dhe nuk ka të bëjë me etiketimin e një shteti nëse është demokratik apo jo.

Pse nuk u ftua Kosova?

Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë për mediat lokale në Kosovë se jo të gjithë partnerët kanë mundur të akomodohen në këtë iniciativë.

“Qëllimi ka qenë që të bashkohet një grup rajonal dhe socio-ekonomik i vendeve dhe juridiksioneve, duke përfshirë demokracitë më të zhvilluara dhe ato në zhvillim me diversitet në popullsi, demografi dhe vendndodhje”, është thënë në përgjigjen e Ambasadës. Mes tjerash në përgjigje është thënë se SHBA-ja vazhdon të jetë e përkushtuar për të punuar me Kosovën në forumet tjera për të avancuar në forcim të demokracisë.

Profesori Edward P. Joseph nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se nuk mund të ketë flitet për krahasime, e aq më pak të tërhiqet paralele ndërmjet Kosovës, Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

“Kosova, në mënyrë ironike, është shtet aq i ri, por është edhe një nga demokracitë më të fuqishme në Ballkan, me sistem shumëpartiak, me media të lira, me një qeveri që lufton korrupsion dhe krimin e organizuar. Dhe këto veprime janë në kundërshtim me trendet në rajon. Në Serbi ka trend autokratik. Kosova nuk mund të krahasohet as me jofunksionalitetin në Bosnje”.

Ai ka thënë se nuk e di nëse arsye për mungesën e ftesës është vendimi i autoriteteve të Kosovës për të ndërprerë projektin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA-së (MCC).

Në disa raste është përmendur edhe mungesa e përparimit në dialogun Kosovë – Serbi si një prej shkaktarëve që mund ta kenë nxitur përjashtimin e këtyre dy vendeve nga Samiti, por për zotin Joseph kjo pyetje nxit një tjetër…

“Pse ka pasur pak përparim në këtë proces? Kjo kërkon më shumë sqarim”, ka thënë Joseph.

Sipas tij Kosova ka përmbushur standardin e kërkuar për demokraci, si dhe ka theksuar faktin që Kosova është vend me orientim të fuqishëm drejt Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.

Samiti për demokraci do të ketë tri tema kyçe: mbrojtjen kundër autoritarizmit, adresimin dhe luftimin e korrupsionit dhe avancimin e respektimit të të drejtave të njeriut.

Pas takimit të parë dhe konsultimeve në të, Biden do të ftojë liderët botërorë sërish, që të diskutojnë rreth përparimit të bërë.

Related posts

Serbët nisin lëvizjen e barrikadave pas arritjes së KFOR-it në veri

D V

Pas ardhjes së vaksinave Pfizer, Krasniqi i bënë thirrje Qeverisë të angazhojë të gjitha kapacitetet shtetërore për vaksinim masiv

D V

Rusia me kërkesë urgjente dhe të drejtpërdrejt për BE-në e NATO-n, ka të bëjë me Kosovën

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More