Shkup, 4 nëntor – Prej sot SHFK “Hasan Prishtina” në Çair disponon me dhomë senzorike të pajisur me shumë materiale didaktike, elemente senzorike dhe pajisje rehabilituese dhe rekreative. Ky aktivitet është zbatuar si pjesë e Projektit “Bëhu IN, bëhu INkluziv, bëhu i INkuadruar” i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe përfaqëson edhe një aktivitet në drejtim të përmirësimit të inkuadrimit të shkollave fillore në shtet.
“Projekti ‘Bëhu IN, bëhu INkluziv, bëhu i INkuadruar’ ka për qëllim që të kontribuojë në përfshirjen thelbësore të nxënësve me nevoja te veçanta në shkollat e rregullta. Këtë projekt e zbatojnë Fondacioni ‘Hap pas hapi’, bashkë me partnerët e tij Shoqatën për Promovimin dhe Zhvillimin e Shoqërisë Gjithëpërfshirëse ‘Inkulziva’ dhe Shoqatën për Ofrimin e Shërbimeve për Personat me Nevoja të Veçanta ‘Handimak’, ndërsa realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës”, informojnë nga Fondacioni “Hap pas hapi”.
Adem Idrizi nga Shoqata për ofrimin e shërbimeve për personat me nevoja të veçanta “Handimak” tha se në kuadër të këtij projekti ndahen bursa për nxënësit me nevoja të veçanta, ndërsa mbështeten edhe nxënësit, ekipet gjithëpërfshirëse dhe asistentët arsimorë përmes trajnimeve për zhvillim profesional.
“Sigurohet edhe mbështetje kujdestare për bursistët tanë, ndërsa punojmë edhe në përmirësimin e qasjes dhe gjithëpërfshirjes në shkolla. Në atë drejtim është edhe ky aktivitet i sotëm, pajisja e dhomës senzorike, e cila do të kontribuojë që çdo fëmijë të ketë të drejtë për arsim cilësor”, theksoi Idrizi.
Kjo dhomë senzorike përfaqëson hapësirë speciale të pajisur me qëllim që të ofrohet mbështetje për nxënësit me dhe pa nevoja të veçanta në mbizotërimin e qëllimeve arsimore. Në SHFK “Hasan Prishtina” -Çair mësojnë më shumë se 1100 nxënëse, prej të cilëve 22 klasa me nevoja të veçanta do të kenë përfitim të drejtpërdrejtë nga dhoma senzorike.
“Komuna e Çairit angazhohet në përmirësimin e kushteve të mësimit të të gjithë fëmijëve në shkollat komunale përmes investimeve të vazhdueshme në shkolla, përmirësimit të qasjes në shkolla, gjetjes së mënyrave për përmirësimin e gatishmërisë së stafit mësimdhënës dhe sigurimit të kushteve për arsim gjithëpërfshirës. Shprehim mirënjohjen tonë për donatorin, Bashkimin Evropian dhe për Projektin “Bëhu IN, bëhu INkluziv, bëhu i INkuadruar” sepse nga sot fëmijët me zhvillim atipik dhe tipik në këtë hapësirë me mbështetjen e shërbimit profesional do të kenë mundësinë të punojnë në arritjen e potencialit të tyre arsimor”, tha sekretari i Komunës së Çairit, Faruk Nevzadi.
Drejtoresha e SHFK “Hasan Prishtina” – Çair, Esma Fazlia, theksoi se kjo dhomë senzorike është e pajisur me elemente të cilat kanë interes të madh për nxënësit me nevoja të veçanta intelektuale, me pengesa të kombinuara, nxënësit me spektër autik, me ADHD, etj. dhe përfaqëson hap para në ndërtimin e klimës gjithëpërfshirëse në shkollë.