Shkup, 19 tetor – Prej sot fillon procesi i rritjes së mbështetjes për mua, për kryetar të Qytetit të Shkupit, tha në konferencën e sotme për shtyp kandidati i LSDM-së dhe koalicionit, Petre Shilegov.
Ai thotë se me shumicën e kandidatëve për kryetar të Qytetit të Shkupit kanë pasur projekte të ngjashme dhe mendime se si qyteti duhet të vazhdojë të zhvillohet.
“Besoj se ju qytetarët të cilët i mbështetët ata në rrethin e parë, e mbështesni politikën e përparimit dhe zhvillimit, të cilën ne tashmë katër vite e zbatojmë”, tha Shilegov, duke iu bërë thirrje të gjithëve të cilët në rrethin e parë vendosën, për cilat do arsye, të mos dalin për të votuar, të dalin më 31 tetor dhe të votojnë për prosperitetin e Shkupit.
Shkupi, siç theksoi Shilegov, duhet të mbetet qytet i qytetarëve në të cilin ata vendosin. Shtoi se me bashkimin e të gjitha forcave demokratike, Shkupi do të rritet në një koalicion të vetëm dhe me qytetarë të cilët do të marrin pjesë në të gjitha projektet e rëndësishme përmes sistemit të demokracisë së drejtpërdrejtë.
“Ua shtrij dorën të gjithë qytetarëve, partive politike, organizatave të cilat besojnë se Shkupi duhet të vazhdojë të zhvillohet dhe se atë që e filluam duhet ta përfundojmë. Shkupi duhet të mbetet qytet i qytetarëve në të cilin vendosin qytetarët dhe Shkupi nuk guxon të kthehet prapa në kohën e ndarjeve, miteve të rrejshme dhe zhvillimit joplanor. Unë si kryetar i Qytetit do të jem vetëm njëri prej jush në sjelljen e të gjitha vendimeve të rëndësishme për të ardhmen e përbashkët”, tha Shilegov.
Shkupi, shtoi, ka fuqi vetëm në unitet, në bashkimin e atyre të cilët e shohin qytetin tonë si qytet të bashkësisë së qyteteve moderne, të zhvilluara evropiane.
“Politika duhet t’u shërbejë qytetarëve, ajo është platformë në të cilën u bëj thirrje të gjithë votuesve dhe partive politike që e kanë Shkupin në zemër, masivisht të dalin në zgjedhjet për fitore. Këto janë zgjedhje për Shkupin dhe të ardhmen e qytetit tonë. Këto janë zgjedhje në të cilat duhet të zgjidhni se si Shkupi duhet të vazhdojë përpara dhe në çfarë qyteti duam të jetojmë”, theksoi Shilegov