Agjencia Zhurnal.mk.

Shënimi i Ditës së KB-së: Zhvillimi i qëndrueshëm duhet të bëhet prioriteti më i lartë i të gjithëve

Shkup, 25 tetor – Zhvillimi i qëndrueshëm duhet të jetë prioritet kulmor për të gjithë, në të gjitha veprimet dhe vendimet tona. Ky është konkluzioni i ngjarjes së organizuar me rastin e Ditës së Kombeve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, që u mbajt në Parkun e qytetit në Shkup, në të cilën morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, shoqërisë civile, qarqeve akademike dhe trupit diplomatik.

 

Presidenti Stevo Pendarovski, në fjalimin e tij, foli për vizionin e gjeneratës, detyra historike e së cilës ishte rindërtimi i botës së shkatërruar pas dy luftërave botërore dhe përmes Kartës së Kombeve të Bashkuara hodhi themelet e një rendi të ri dhe shprehu vizionin e shpërndarë publikisht për paqe dhe siguri, zhvillim dhe të drejta të njeriut.

“Gjatë 76 viteve të fundit, Kombet e Bashkuara kanë parandaluar shumë konflikte, kanë çrrënjosur shumë sëmundje infektive, kanë nxjerrë miliona njerëz nga varfëria. Deklarata universale e të drejtave të njeriut dhe aktet dhe konventat të përafërta ndërkombëtare e konfirmuan dinjitetin e lindur të çdo njeriu. Korpusi i së drejtës ndërkombëtare ka sjellë siguri më të madhe në marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Përkundër të gjitha sukseseve të Kombeve të Bashkuara, ne jetojmë në botë që është larg ëndrrës së themeluesve të saj. Pandemia e Kovid-19 ka shpalosur pabarazitë ekzistuese sistemore dhe padrejtësitë sociale dhe ka përkeqësuar në mënyrë plotësuese gjendjen e segmenteve të rrezikuara në pothuajse çdo shoqëri”, tha presidenti Pendarovski.

Ai theksoi se shumë nga planet e veprimit klimatik lidhen drejtpërdrejt me Qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe korrespondojnë edhe me Agjendën e gjelbër të Bashkimit Evropian. Presidenti përmendi edhe Strategjinë e miratuar para do kohë të veprimit afatgjatë llimatik me plan veprimi që synon arritjen e zhvillimit të gjelbër, të karbonit të ulët dhe rezisues klimatik dhe tha se me shpresë shikojmë në Samitin e ardhshëm të ndryshimeve klimatike-KOP26 në Gllazgou. Përveç përkushtimit për veprime klimatike, presidenti Pendarovski theksoi se është thelbësore të kemi vizion të përbashkët për zhvillimin e shtetit.

“Për këtë qëllim, që në fillim të mandatit tim, inicova projektin “MKD2030” si kornizë e jona strategjike autentike për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut deri në fund të kësaj dekade. Duke përfshirë përfaqësuesit e të gjitha segmenteve të shoqërisë, përmes “MKD2030″ ne i vendosim prioritetet themelore të zhvillimit afatgjatë. Gjithashtu, mbështes edhe Strategjinë kombëtare të zhvillimit 2021-2041, e cila si fazë e radhës duhet të ndërlidhet me “MKD2030”. Jemi mirënjohës për mbështetjen e Kombeve të Bashkuara dhe donatorëve të tjerë në zbatimin e këtij procesi unik gjithëpërfshirës të planifikimit afatgjatë. Në këtë kohë të shkurtër që kemi, duhet t’i drejtojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të krijuar një të ardhme për të rinjtë këtu, në Maqedoninë e Veriut”, porosit presidenti.

Ai shtoi se pasojat e vendimeve që i merr gjenerata jonë do t’i ndjejnë gjeneratat e ardhshme dhe se nuk guxojmë të marrim vendime për të rinjtë pa pjesëmarrjen e tyre.

“Prandaj, me UNICEF-in e filluam nismën ‘Rimendo për të ardhmen’, me të cilën u japim të rinjve hapësirë ​​për t’u përfshirë në përkufizimin e vizionit për të ardhmen që duan për veten dhe për gjeneratat e ardhshme. Është detyra jonë t’u ndihmojmë të jenë pjesë e proceseve të krijimit të politikave dhe vendimmarrjes që prekin të ardhmen e tyre dhe të të gjithë neve. Për të arritur atë të ardhme të ndritur, duhet të punojmë në shumë fusha në të njëjtën kohë. Të mbështetur nga qëllime dhe metoda të reja, përmes edukimit ne që sot duhet të ndërtojmë qytetarët e së nesërmes që do të jenë më të vetëdijshëm për pabarazitë ekonomike dhe sociale, të cilët do të shihen si pjesë e natyrës, por jo si zotër të saj dhe që do të jenë më produktivë dhe do t’i përdorin në mënyrë më të përgjegjshme  teknologjitë e reja digjitale. Duhet të arsimojmë gjeneratë njerëzish që do të respektojnë dinjitetin e dallimeve. Dhe jam i bindur se Kombet e Bashkuara, si një nga organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare, do të kenë rol të pazëvendësueshëm në ndërtimin e një të ardhmeje të tillë te ne dhe në botë”, tha presidenti Pendarovski.

Në një video deklaratë të regjistruar posaçërisht me rastin e Ditës së KB-ve në Maqedoninë e Veriut, kryeministri Zoran Zaev theksoi se parimet themelore të KB-ve – paqja, prosperiteti dhe mundësitë e barabarta për të gjithë janë vlera pa afat të skadimit për ne dhe të gjitha gjeneratat e ardhshme.

“Në këtë kuptim, përkushtimi ynë i fuqishëm për harmonizimin e prioriteteve dhe politikave kombëtare me Qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm është dëshmi e vendosmërisë sonë për të sjellë një jetë më të gjatë dhe më të mirë për të gjithë qytetarët tanë”, tha Zaevi.

Koordinatorja e përhershme e KB-ve në Maqedoninë e Veriut, Rosana Duxhak, theksoi se Qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm janë angazhim për një të ardhme më të mirë për të gjithë ne dhe se ato nuk u përkasin KB-veë, Qeverisë apo çfarëdo organizate apo grupi njerëzish.

“Qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm na përkasin të gjithëve neve. Pa dallim nëse përpjekjet tona bazohen në Agjendën 2030, procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian apo prioritetet kombëtare, ne në thelb punojmë në të njëjtën platformë dhe, në fund të fundit, në qëllimin e njëjtë – përshpejtimin e zhvillimit të qëndrueshëm për të mirën e të gjithëve”, deklaroi Duxhak.

Ajo vuri në dukje se qasja e qëndrueshme duhet të integrohet në çdo domen të veprimit tonë të vetëdijshme dhe të pavetëdijshëm, nga zgjedhja e ushqimit që e hamë, deri te ndikimi që kemi tek miqtë, familja, bashkësia dhe planeti ynë.

“Duhet të kuptojmë se ndryshimet janë të mundshme vetëm nëse e bëjmë këtë së bashku. Duhet të lëmë mënjanë dallimet dhe keqkuptimet e së kaluarës. Duhet të sigurohemi që nuk ka prioritet më të lartë se zhvillimi i qëndrueshëm”, tha ajo.

Duxhak paralajmëroi fushatë të hapur shumëvjeçare të quajtur “Kujdesem”, e cila synon të mobilizojë organizata dhe individë nga të gjitha segmentet e shoqërisë për të kontribuar në mënyrë aktive në përcaktimin e përbashkët për një të ardhme më të gjelbër, më të mirë dhe më të qëndrueshme.

“Si platformë e hapur, të gjithë mund të përfshihen dhe të kontribuojnë duke u angazhuar për standarde më të mira për jetesë, për vende më të mira dhe më të gjelbra të punës, për qasje universale në shëndetësi , arsim dhe shërbime sociale cilësore, për aksion ambicioz për uljen e pasojave nga ndryshimet klimatike dhe për mbrojtjen e biodiversiteti. Me këtë fushatë, ne duam të mbjellim parimin e zhvillimit të qëndrueshëm te të gjithë ne, në mënyrë që të shohim ndryshimet dhe të ardhmen që dëshirojmë”, tha Duxhak.

Shënimi i 76 vjetorit të themelimit të Kombeve të Bashkuara është në organizim të Zyrës së koordinatorit të përhershëm të Kombeve të Bashkuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Related posts

Aplikohen 1.540.027 doza vaksinash, të rivaksinuar 44 për qind e qytetarëve të rritur

D V

Konferencë Rajonale për “Përmirësimin e dialogut ndërmjet parlamenteve dhe gazetarëve nga Ballkani Perëndimor”

Z H

Cilat janë arsyet për temperaturat e larta këtë verë

R Zh

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More