Agjencia Zhurnal.mk.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë: Marrëveshja për Asociacionin është ligj, Qeveria duhet ta zbatojë

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se marrëveshja për Asociacionin e komunave më shumicë serbe është ligj për Kosovën, ani pse Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se është shkelur Kushtetuta në 23 pika të saj.

 

“Marrëveshja e Asociacionit e vitit 2013 është diçka që është nënshkruar dhe ratifikuar nga shumica kushtetuese e Parlamentit, pra është një ligj i Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk ka thënë që Asociacioni nuk duhet të bëhet.

“Ekziston një obligim i përgjithshëm për krijimin e këtij Asociacioni sipas Marrëveshjes së arritur në vitin 2013. Ka qenë një marrëveshje pasuese në vitin 2015 e që ka specifikuar disa nga parimet në bazë të të cilave duhet të themelohet ky Asociacion dhe pikërisht kjo është vlerësuar nga Gjykata Kushtetuese dhe ajo asnjëherë nuk ka thënë që Asociacioni nuk duhet bërë por ka thënë që disa nga parimet me gjasë nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës’, tha ai.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, në emisionin ‘Kallxo Përnime’ ka theksuar se statuti i Asociacionit do të dërgohet prapë për rishikim në Gjykatën Kushtetuese.

“Ajo nuk e ka shfuqizuar marrëveshjen e vitit 2013, e që është obligimi i përgjithshëm i Kosovës për të themeluar Asociacionin. Së fundmi e kam rilexuar këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, e që gjithashtu thotë se statuti i Asociacionit duhet të përpilohet dhe të dërgohet për rishikim në Gjykatën Kushtetuese. Pra, Gjykata Kushtetuese po e pret statutin në mënyrë që ta rishikojë atë”, tha ai.

“Prandaj, nëse lexohet ky informacion 34 faqësh që është dërguar nga Qeveria në Parlamentin e Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve të kaluara do të shihni që ekziston një grup punues që duhet të draftojë statutin”, shtoi ai.

I pyetur nëse është e nevojshme që  Kosovë duhet të formohet një Asociacion i cili do të quhej ‘Asociacioni i Komunave Serbe’, kur është asociacioni i të gjitha komunave, Szunyog tha që Kosova duhet të zbatojë marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel.

“Nga pikëvështrimi im, ajo që është e rëndësishme është që Qeveria e Kosovës të zbatojë ligjin e vet. Ligji është marrëveshja e vitit 2013”, theksoi shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë.

Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, nuk ka pranuar të jap detaje se si duhet të formohet Asociacioni.

“Nuk po sugjeroj asnjë formë specifike se si do të mund themelohej, por po them që do të ishte taktikë e mençur që të ecet përpara me këtë çështje, të propozohet diçka, përsëri po e them që është një dialog në të cilin të dy palët mund të arrijnë marrëveshje”, theksoi ai.

Szunyog ka folur edhe për sugjerimin e kryeministrit Albin Kurti në Bruksel për themelimin e Këshillit Kombëtar për Komunitete, duke theksuar se nuk do ta kundërshtonin apriori por që sipas tij duhet të jepen më shumë propozime për këtë sugjerim.

“Nëse kjo çështje është në kontekst të Marrëveshjes së vitit 2013, atëherë pse jo, por përfundimisht duhet ditur që Kosova ka ndoshta trajtim të ndryshëm të komuniteteve joshumicë krahasuar me shtetet e tjera në regjion që është reflektuar në Pakon e Ahtisaarit, dhe është e reflektuar edhe në Kushtetutën aktuale të Kosovës. Ka një rol special dhe trajtim special të komuniteteve, duke përfshirë edhe dhënien e ulëseve të rezervuara në Parlament, dhe çështje të tjera”, theksoi ai.

Tutje në intervistën e tij, Szunyog ka theksuar se Asociacioni do të jetë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, duke mohuar se kjo marrëveshje do të garantonte njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Gjëja e rëndësishme që duhet theksuar është se ne jemi duke punuar aktualisht në një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse ligjërisht obligative që do të zgjidhë të gjitha çështjet e tjera. Nuk do të ketë asnjë marrëveshje deri sa të ketë marrëveshje për të gjitha çështjet. Pra, Asociacioni është një pjesë e marrëveshjes, pra nëse teksti propozohet dhe arrihet pajtueshmëria nuk do të ishte funksional dhe nuk do të kërkohej të zbatohet deri në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes gjithëpërfshirëse”, theksoi ai.

Sipas tij në një të ardhme të afërt është e qartë që Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Vetëm pasi të zgjidhen të gjitha çështjet. Përsëri, Kryeministri juaj ka fuqinë të nënshkruajë ose jo, pa marrë parasysh nëse ka marrëveshje paraprake për pjesën e parë, të dytë apo të tretë. Prandaj, logjika është asisoji që nëse një palë nuk është e lumtur me të gjithë pakon, atëherë thjesht mund të mos e nënshkruajë dhe zbatojë atë”, theksoi ai.

Related posts

Tymi kaplon Prishtinën

D V

Pak njerëz e dinë simbolikën e vërtetë: Çfarë do të thotë kur një grua mban një unazë në qafë?

D V

Presidentja Osmani e shpallë të mërkurën ditë zie shtetërore për viktimat e aksidentit tragjik në Bullgari

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More