Shkup, 31 gusht – Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani sot në Shkup do të jetë nikoqir i homologut të tij grek Nikos Dendias, i cili vjen për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Siç kumtoi dje MPJ, në pjesën e bashkëpunimit bilateral, fokus i bisedave pritet të vendoset në dinamikën intensive të takimeve në nivel më të lartë, përparimi i bashkëpunimit bilateral dhe gjendja dakorduese, që vijon pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës. Do të bisedohet edhe për aktivitetet e zbatuara sipas Marrëveshjes, si nga ana e Maqedonisë së Veriut ashtu edhe nga ana e Greqisë.
Në kontekst të marrëdhënieve bilaterale, të dy ministrat do të bisedojnë për përparimin në zhvillimin e partneritetit strategjik, ngjarjet në rajon, veçanërisht nga aspekti i proceseve të tij integruese, si dhe ngjarjet më gjerë në botë, me kthim të veçantë në angazhimet më të reja në luftën për ballafaqim me pandeminë dhe gjendjet në Afganistan.
Vizita e ministrit grek për Punë të Jashtme është në një periudhë të rëndësishme kur rrethanat e rajonit dhe krizat globale kërkojnë koordinim dhe veprim të përbashkët ndërmjet dy vendeve fqinje, me të cilën vërtetohet dhe përparohet partneriteti ynë strategjik, qëndron në kumtesën e MPJ-së.
Ministria greke e Punëve të Jashtme kumtoi se në takimet në Shkup do të bisedohet për marrëdhëniet bilaterale në tërësi dhe në të gjitha fushat, duke e përfshirë ekonominë dhe energjinë, perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, por edhe implementimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Prej atje plotësojnë se vizita është me ftesë të ministrit Bujar Osmani, ndërsa Dendias do të udhëtojë së bashku me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë kompetent për diplomacinë ekonomike Kostas Frankojanis.
Përveç me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, citojnë nga MPJ-ja greke, shefi i Diplomacisë greke do të takohet me presidentin Stevo Pendarovski, me kryeministrin Zoran Zaev, zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane Nikolla Dimitrov, si dhe me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi.
Pas takimit Osmani – Dendias, janë parashikuar edhe deklarata për mediat.