Agjencia Zhurnal.mk.

SHBA: U takon forcave afgane që të mbrojnë shtetin

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se u takon forcave afgane të sigurisë që të mbrojnë shtetin, pasi militantët talibanë kanë fituar kontrollin e gjashtë kryeqyteteve të provincave.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë muaj më parë se misioni i ushtrisë amerikane në Afganistan do të përfundojë më 31 gusht dhe se afganët duhet të vendosin për të ardhmen e tyre.

Biden po ashtu ka thënë se nuk do të përfshijë edhe një tjetër gjeneratë të amerikanëve në luftën 20-vjeçare.

I dërguari i SHBA-së për Afganistanin, Zalmay Khalilzad është nisur drejt Katarit, ku pritet “të shtyjë talibanët që t’i japin fund ofensivës ushtarake dhe të negociojnë një zgjidhje politike”, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit (DASH).

Në bisedimet përgjatë tri ditëve, përfaqësues nga qeveritë dhe një mori organizatash pritet të bëjnë thirrje për “ulje të shkallës së dhunës, armëpushim dhe përkushtim për të mos njohur ndonjë pushtet të fituar me dhunë”, ka thënë mes tjerash DASH-i.

Talibanët, të cilët po luftojnë për të rivendosur ligjin e ashpër islamik, pas rrëzimit nga pushteti më 2001, kanë zgjeruar fushatën e tyre për të mposhtur forcat qeveritare, teksa tërhiqen trupat e huaja.

Ndërkohë që po rritet dhuna e talibanëve, ushtria amerikane ka paralajmëruar se siguria në Afganistan “nuk po shkon në drejtim të duhur, dhe ka sfiduar qeverinë në Kabul të bëjë më shumë për të mbrojtur veten”.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby ka thënë më 9 gusht se është i shqetësuar, ndonëse ka thënë se beson që forcat afgane kanë kapacitet për të mbrojtur shtetin, pavarësisht raportimeve për avancim të talibanëve.

“Këto janë forcat e tyre ushtarake, këto janë kryeqytetet e provincave, njerëzit e tyre për t’i mbrojtur dhe tani i përket udhëheqësisë për të treguar gatishmëri për dalje nga ky moment”, ka thënë Kirby.

Një zyrtar i lartë i NATO-s ka thënë më 9 gusht se talibanët duhet t’i kthehen procesit politik apo në të kundërtën “nuk do të njihen kurrë nga komuniteti ndërkombëtar”.

“Nuk ka zgjidhje ushtarake ndaj konfliktit dhe talibanët duhet ta kuptojnë se nuk do të njihen kurrë nga komuniteti ndërkombëtar nëse refuzojnë procesin politik, apo tentojnë të marrin shtetin me forcë”, ka thënë ky zyrtar i paidentifikuar i NATO-s.

Zyrtarët amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, kanë thënë se ushtria ka paralajmëruar presidentin Biden se kryeqytet e provincave do të mund të binin nën kontrollin e talibanëve, pas tërheqjes së trupave amerikane, mirëpo tani janë të befasuar sesa shpejt ka ndodhur diçka e tillë.

Related posts

Vota e Malit të Zi kundër Kosovës tregon realitet të ri 

Xh M

Autoriteti Palestinez e formon kabinetin e ri

Xh M

Lula: Negociatat aktuale të marrëveshjes BE-Mercosur duken më premtuese se më parë

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy