Agjencia Zhurnal.mk.

SHBA-ja mundëson dozën përforcuese për të gjithë të rriturit

Rregullatorët në Shtetet e Bashkuara të premten vendosën që të gjithë personat e moshës madhore do të mund të marrin doza përforcuese të vaksinës kundër sëmundjes COVID-19. Ky vendim zgjeron fushatën e qeverisë për imunizimin kundër virusit dhe për t’u përballur me rritjen e rasteve, pasi situata mund të përkeqësohet gjatë festave të fundvitit.

 

Kompanitë Pfizer dhe Moderna njoftuan për vendimin e Administratës për Ushqim dhe Barna (FDA), pasi të paktën dhjetë shtete amerikane kanë nisur dhënien e dozave përforcuese për të gjithë të rriturit.

Ky vendim i FDA-së thjeshtëson dhënien e dozave përforcuese, pasi deri më tani ka pasur konfuzion se kush ka mundtë të vaksinohet. Tani, sipas këtij vendimi, të gjithë personat mbi 18 vjeç, që kanë marrë vaksinat para gjashtë muajve, mund ta marrin vaksinën përforcuese.

Por, ekziston edhe një hap tjetër: Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) duhet të pajtohen që të zgjerojnë dozat përforcuese të vaksinave Pfizer dhe Moderna edhe për të rinjtë, që janë të shëndetshëm. Për këtë çështje pritet që këshilltarët shkencorë të zhvillojnë bisedime më vonë gjatë të premtes. Nëse pajtohet CDC-ja, dhjetëra milionë amerikanë të tjerë mund ta marrin dozën e tretë para vitit të ri.

Ndërkaq, personat që kanë marrë vaksinën Johnson & Johnson, që jepet përmes një doze të vetme, tashmë veçse mund ta marrin edhe dozën përforcuese.

Më herët, Qeveria amerikane kishte vendosur të japë doza përforcuese të vaksinës Pfizer dhe Moderna vetëm për grupet më të ndjeshme, personat e moshuar dhe ata me probleme kronike.

Vendimi i FDA-së vjen teksa rastet e reja me COVID-19 janë rritur në dy javët e fundit.

Deri më tani mbi 195 milionë amerikanë janë vaksinuar me të dy dozat. Ndërkaq, mbi 30 milionë veçse kanë marrë dozën përforcuese.

Related posts

SHBA-ja në konsulta me aleatët për zhvillimet në Afganistan

D V

Dita e Gjuhës Kineze e OKB-së

Z H

Gjermania planifikon javën kombëtare të vaksinimit në shtator

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More