Agjencia Zhurnal.mk.

“Sfida e drejtësisë së re – Kurajo dhe guxim!”

Nga Fatmir Xhafaj*

 

Reforma në drejtësi nuk ishte produkt i një momenti, i një dite, i një muaji apo i një viti. Një ëndërr e hershme e qytetarëve u bë zotimi ynë publik, vazhdoi si angazhim konkret dhe sot vijon të jetëzohet çdo ditë e më tepër si një realitet i prekshëm nga të gjithë.

Në harkun kohor që zë fill nga viti 2004 deri 2014 kur u iniciua Komisioni i Posaçëm Parlamentar, janë hartuar një sërë projektesh, janë iniciuar mjaft debate dhe janë zhvilluar beteja të vazhdueshme për ta bërë atë një produkt të vyer kushtetues e ligjor.

Kujtesa politike, parlamentare dhe institucionale e ka fiksuar qartazi luftën e gjatë tonën në opozitë për reformimin e sistemit të drejtësisë. Për këtë në memorien e kuvendit, mund të gjesh të gjitha përpjekjet e bëra me kontribute konkrete për ndërtimin e një sistemi drejtësie të lirë, të përgjegjshëm dhe profesional të çliruar nga kontrolli politik, koorporatizmi apo korrupsioni, si kusht jetik për të konsoliduar shtetin e së drejtës.

Krahas shumë momentesh të rëndësishme, si simbol i pikënisjes së këtij kapitulli të ri reformues ngelet padyshim 22 korriku i vitit 2016 i cili erdhi si rezultat i një bilanci pune kolosale me profesionalizëm, përkushtim, gjithëpërfshirje dhe transparencë të plotë.

E di që ka aq shumë për të thënë mbi të, por tashmë më tepër sesa fjalët tona janë vetë efektet e reformës që mund të flasin më mirë se kushdo tjetër.

Qysh prej atëherë kanë rrjedhur mjaft ngjarje, shumë prej të cilave i kishim parashikuar, shumë nuk mundëm t’i parashikonim dot dhe shumë të tjera u ngjizën nga vetë klima politike e cila siç njeh burra shtetarë e politikanë të shërbesës ndaj ligjit e qytetarëve, ashtu njeh edhe antagonistë, demagogë, të korruptuar, shërbëtorë apo frikacakë.

Përtej këtyre që duan një trajtim përtej rreshtave të një artikulli të vetëm, sot jemi në një moment kur reforma në drejtësi është një realitet i prekshëm në zhvillim, ku frytet e para janë të dukshme dhe të vlerësuara pozitivisht në mjedisin shoqëror, vendas apo ndërkombëtar.

Kam qenë i vetëdijshëm qysh në ditën një për skeptikët të cilët e donin të realizuar projektin për 24 orë, mundohem t’i kuptoj kritikët që shtojnë pritshmëritë, ashtu sikurse përpiqem të dëgjoj edhe kritizerët e kundërshtarët e njëjtë të cilët vijojnë të rrotullohen prej vitesh rreth vetvetes për të gjetur motivin e sulmit të radhës ndaj punës që është bërë e po bëhet apo njerëzve të përfshirë me përkushtim në këtë proces, pa kursyer askënd, vendas apo ndërkombëtarë qofshin.

Duan apo nuk duan ta pranojnë ata, reforma sot gjendet në nivelin më të mirë që mund të arrinte, duke përllogaritur edhe të gjithë koston e luftës së madhe që i është bërë qysh nga momenti i ngjizjes.

Andaj për të çdo ditë e më shumë do flasim se si mund të bëhet më mirë, si mund të shërbejë më shpejt, si të ndëshkojë më fort shkelësit, si mund ta bëjë qeverisjen më të drejtë dhe shoqërinë më të ndershme.

Kur flisnim dje për drejtësinë, për gjyqësorin apo prokurorinë, dëshpërimisht e them që ishte e zakonshme të përmendnim korrupsionin dhe lidhjet e një pjese të tyre me krimin ku si emërues të përbashkët gjenim një drejtësi që shitej e blihej lirisht në varësi të forcës së pushtetit, parasë apo botës së errët.

Nuk janë të largëta ditët kur as nuk çohej nëpër mend ndëshkimi i individëve të korruptuar apo të kriminalizuar të sistemit.

Madje edhe kur kjo ndodhte falë emisioneve investigative, vështirë se gjykimi i koorporatës së sistemit shkonte deri te ndëshkimi.

Si rrjedhojë, në heshtje konsiderohej i mirëqenë kontrolli i politikës në sistem, autoriteti i pushtetit ekzekutiv të radhës mbi njerëzit e drejtësisë, ndikimi i drejtëpërdrejtë i politikës në karrierën, disiplinimin dhe promovimin e gjyqtarëve e prokurorëve.

Ishte e shkruar edhe me Kushtetutë e ligj një gjë e tillë.

Ishte e natyrshme të flisnim për paaftësi dhe papërgjegjshmëri në sistem për sa kohë që një shumicë vinin me kurse 6-mujore trajnimi apo nga jashtë sistemit për shkak të meritave ndaj pushtetit politik të radhës, teksa një pjesë tjetër blinin vendin e punës apo rritjen në karrierë përmes gjobave në shuma të majme të paguara sekserëve të politikës, drejtuesve të sistemit apo funksonarëve më të lartë politik, vendimmarrës në këto procese.

E padyshim, nuk guxonim të flisnim për pavarësi e përgjegjshmëri të sistemit, kur besimi i vetë qytetarit te drejtësia ishte në shifra të frikshme negative; e kjo ishte status quo-ja jo për pak, por për rreth 25-vjet rresht, me këtë gjendje të kalbëzuar të sistemit që ngjallte veç mungesë besimi e shprese te qytetari, prej arrogancës e keqshërbimit në qeverisje dhe në drejtësi.

Ndërkohë, tashmë kemi vetëm 5-vjet nga miratimi i projektit kushtetues e më pak sesa 3-vjet nga zbatimi i tij në praktikë dhe lehtësisht mund të konstatohet se të gjithë, ata që e mbështesin dhe ata që anatemojnë pafund mbi të flasin për një gjë diametralisht të ndryshme prej së parës, për një realitet krejt të ri të pamenduar 5-vite më parë.

Sot në diskursin publik, politik dhe institucional flitet për integritetin e njerëzve të drejtësisë, për gjyqtarë dhe prokurorë që po ndëshkohen nga vetingu me largim nga sistemi apo edhe me ndëshkim penal në një shkallë të dytë. Sistemi i tanishëm vetërregullohet nën qeverisjen e insititucioneve të veta krejt të pavaruara në përzgjedhje, në përbërje dhe në funksionim.

Sot flasim për karrierë e promovim gjyqtarësh bazuar në vlerësimin dhe gjykimin përmes mekanizmave të brendshme të tyre konform ligjit, kritereve morale e profesionale tërësisht të pandikuara nga politika dhe çdo faktori të jashtëm; flasim për vendimmarrje të gjyqtarëve e prokurorëve të pandikuar nga brenda e jashtë sistemit, të mbrojtur nga parashikimet kushtetuese e ligjore që dënojnë ashpër administrativisht dhe penalisht çdo ndikim në vendimmarrjen e shërbestarit të drejtësisë. Sot flasim për një mundësi të vetme hyrjeje në sistem për t’u bërë gjyqtar dhe prokuror: Vetëm përmes konkurrimit dhe edukimit etik dhe profesional në Shkollën e Magjistraturës.

Gjyqtarët, prokurorët, këshilltarët e tyre apo edhe oficerët e Policisë Gjyqësore, kanë sot paga të shumëfishuara, ndër më të lartat në sistemin e pagave në vendin tonë krahasuar me homologët e tyre në vende të ngjashme.

Kur nuk kanë kaluar as dy vjet dhe ende pa u mbyllur mirë cikli i formatimit të Strukturave të Posacme Antikorrupsion, një tjetër risi e madhe e reformës është fakti se kemi filluar të shohim ndëshkim të zyrtarëve për korrupsion, çka e lartëson tanimë nivelin e debatit nga kultura e pandëshkueshmërisë në diskutimet për ndëshkime shumë më të ashpra dhe në nivele më të larta të hierarkisë së korruptuar.

Të gjitha këto numërohen në vetëm 5 vjet nga miratimi i paketës kushtetuese të 22 korrikut 2016 dhe në më pak se 3 vjet nga fillimi i procesit të ngritjes së institucioneve të reja të sistemit, ende jo funksionale tërësisht.

Pikërisht këtë bëri reforma në drejtësi: atë çka dje konsiderohej një realitet dëshpërues në kalbëzim në kaq pak kohë e shndërroi në një realitet të ri, të ngritur në standardet më të mirë ndërkombëtare dhe me pritshmëri të larta nga gjithkush për të parë një pushtet të tretë të lirë, të pavarur, të përgjegjshëm dhe në një proces të pakthyeshëm reformimi.

Nuk jam aq naiv sa të them se në këto pesë vite gjithçka ka shkuar mrekullisht, pasi vetë koha ka treguar që ligjet perfekte nuk ekzistojnë. E kryesorja shumë aspekte të zbatimit të tij nuk janë veç në dorën e forcës së ligjit, por edhe të betejave politike, pengesave apo vonesave që krijojnë një trysni jo favorizuese për të ecur përpara. Procesi i zbatimit të reformës në drejtësi nuk është menduar se do të ishte një proces i shpejtë, i lehtë dhe pa probleme. Përkundrazi. Problematika dhe sfida të shumta janë duke e shoqëruar dhe do ta shoqërojnë këtë proces.

Ka një të vërtetë të madhe. Ne po ndërtojmë mbi një bazament të ri jo thjesht një institucion, por një pushtet të tërë tërësisht të ri që ngrihet paralelisht me funksionimin e pushtetit të vjetër e të korruptuar, bllokues e pengues; një pushtet që po ngrihet duke shembur mure të vjetra çdo ditë dhe duke ndërtuar themele e mure të reja në përballje të përditshme nga njëra anë me pasigurinë e së resë dhe njëherësh nën presionin e madh për pritshmëritë e larta ndaj saj dhe nga ana tjetër në luftë të ashpër me përpjekjet e hapura për delegjitimim dhe kulisat për influencim e kontroll të reformës, të ushqyera nga pasiguria dhe frika nga e nesërmja.

Kanë kaluar vetëm 5-vjet nga miratimi i paketës kushtetuese dhe që ajo të bëhej funksionale u desh jo pak kohë e mundim.

Fillimisht u lips të miratohej paketa e 7 ligjeve prioritare të reformës, e më tej të miratoheshin edhe rreth 23 ligje të tjera të domodoshme për të krijuar bazamentin e plotë ligjor për të nisur procesin e reformimit të sistemit. Marrë në tërësi, nuk janë pak, por janë mbi 60 amendamente kushtetuese dhe rreth 2000 dispozita ligjore prej të cilave mbi 1300 janë nene të reja.

Ndoshta disa i kanë harruar, por ky është fakt. Mesa shoh më së shumti i kanë “harruar” qëllimisht ata që çdo muaj e çdo ditë i kanë dedikuar për të penguar nisjen e këtij procesi dhe më pas për ta deformuar jetësimin e tij përmes çadrave në bulevard apo edhe kalvarit të disa ankimeve sa në Gjykatë Kushtetuese, sa në Venecia apo edhe në Strasburg ku në çdo rast mbrapsht kanë marrë “shuplakën” e radhës, dhe projekti ynë kushtetues e ligjor është certifikuara tashmë edhe ndërkombëtarisht si plotësisht në përputhje me standartet më të mira ndërkombëtare të fushës.

Natyrisht këto përpjekje penguese nuk kanë qenë të parezultat: Për këto shkaqe u vonua fillimi i procesit të vetingut me rreth 1 vit e për rrjedhojë edhe ngritja e institucioneve të reja të lidhur me të. Gjithashtu këtë vit nuk do të kemi magjistratë të rinj të diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës, cka do të thotë se do të kemi 100 magjistratë më pak pikërisht sepse në 2017 nuk arritëm të miratonim një dispozitë tranzitore për Shkollën e Magjistraturës pikërisht prej zvarritjeve nga këta që sot flasin për mungesë njerëzish në sistem, teksa njëherësh ndërtojnë edhe alibi false për gjasme arkitekturën e komplikuar të sistemit të ri, me shumë institucione të reja, me burime njerëzore të mëdha që ne nuk i paskemi dhe për kritere shumë të forta për hyrjen në to, ndërkohë që veç një analizë e thjeshtë krahsuese me të djeshmen do të provonte të kundërtën.

Paketa e re kushtetuese e ligjore për reformimin e sistemit, mbështetja financiare e infrastrukturore ndaj tij, pastrimi dhe rivitalizimi i burimeve njerëzore të tij e shumë të tilla si këto janë hapa shumë të rëndësishëm që duan kohë dhe energji për t’u konkretizuar dhe me shumë ndikim në krijimin e Drejtësisë së re; e ato janë, megjithatë, të pamjaftueshme.

Mbetet e fortë beteja për ndryshimin e mentalitetit dhe kulturës së sjelljes në dhënien e drejtësisë dhe qasjes ndaj saj në opinionin shoqëror, në politikë dhe brenda vetë sistemit.

Ndoshta kjo është beteja kryesore dhe vendimtare që ka filluar, por ku duhet të fokusohemi më fort se kudo tjetër tashmë me bërjen funksionale të institucioneve të reja të sistemit.

Sot kemi një realitet të ri kushtetues e ligjor dhe dita-ditës edhe institucional e veprues.

Bashkë me të duhet të ndryshojmë të gjithë qasjen tonë ndaj tij për ta inkurajuar të rritet e të fuqizohet, duhet ta mbështesim dhe ta kritikojmë, të kërkojmë më shumë përgjegjshmëri prej tij, por edhe ta motivojmë e luftojmë pranë tij dhe me të kundër së keqes së përbashkët.

Në këtë mënyrë, shumë profesionistë të zotë nuk do ta kenë më ngurrimin që të kandidojnë për t’u bërë pjesë e strukturave të drejtësisë së re.

Por çlirimi nga e shkuara, veç të tjerash, është një ndër sfidat e vetë sistemit, institucioneve të tij të reja, vetë gjyqtarëve e prokurorëve, madje më kryesorja, për të menaxhuar më mirë pavarësinë e lirinë vendimmarrëse të tyre jashtë ndikimeve të paligjshme të brendshme apo të jashtme,. ashtu edhe për të forcuar më mirë mekanizmat e brendshme të vetërregullimit dhe përgjegjshmërisë individuale. Mes të tjerash, veçanërisht sistemi i drejtësisë penale, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokuroria e Përgjithshme e Prokuroritë e rretheve gjyqsore, bashkërisht edhe me Prokurorinë e Posaçme gjithashtu duhet të kuptojnë më mirë frymën e ligjit, pavarësinë reale që garanton kuadri kushtetues e ligjor në vendimmarrjen e cdo prokurori, si dhe nevojën për më shumë përgjegjshmëri e transparencë publike në luftë me praktikat e vjetra centralizuese, koorporatiste, nepotike e klienteliste.

Arkitektura e re e sistemit mundëson pavarësi funksionale të institucioneve të sistemit (përmend këtu Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Prokurorinë e Përgjithshëm e Inspektorin e Lartë të Drejtësisë), por fryma e Kushtetutës dhe ligjit kërkon një tjetër ritëm në funksionimin e tyre, sikurse edhe një bashkëpunim dhe koordinim më të mirë ndërmjet tyre në funksion të qëllimit të tyre të përbashkët: cilësisë në dhënien e drejtësisë, garantimit të eficecncës së sistemit dhe shërbimin ndaj qytetarëve.

Kjo do të mundësonte që ta kishim shumë më shpejt në duar hartën e re gjyqësore, e cila do të bënta më eficent sistemin duke garantuar sa më mirë aksesin e qytetarëve në të, por njëherësh edhe do të zgjidhte disa problematika kyçe në mungesën e burimeve njerëzore.

Shkolla e Magjistraturës duhet të zgjerojë edhe më tej kapacitetet e saj në këtë periudhë tranzitore, por sigurisht duke garantuar sistemin e filtrimit në funksion të cilësisë për shërbestarët e rinj të drejtësisë, duke u dhënë mundësinë të rinjve nga brenda dhe jashtë vendit, edhe përmes incentivimit të përfshirjes së tyre si burime me vlerë për drejtësinë e re.

Përvoja e këtyre dy viteve në zbatimin e reformës në sistemin e drejtësisë dikton nevojën për ta ndryshuar e sofistikuar shumë më mirë edhe vetë procesin e koordinimit dhe monitorimit të institucioneve të reja të sistemit.

Kuvendi ka në këtë proces një rol parësor për reflektim, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, si dhe asistencën e misioneve të dedikuara të partnerëve tanë ndërkombëtarë OPDAT dhe EURALIUS.

Reflektime të forta për reformim kërkohen edhe për rolin e agjencive të tjera ligjzbatuese si Kontrollin e Lartë të Shtetit, Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, mes të tjerash institucione, por edhe Policinë e Shtetit dhe veçanërisht një sërë institucionesh në varësi të ekzekutivit, të cilat kanë qenë amorfe deri më sot në realizimin e funksioneve të tyre, por që mbeten gjymtyrë tejet të rëndësishme për mirëfuksionimin e zbatimit të ligjit. Nuk mund të bëhet pa kontributin e tyre një luftë e mirë dhe eficente ndaj fenomeneve abuzive me detyrën, akteve korruptive dhe krimit të organizuar.

Edhe për këto arsye gjykoj se është momenti për reflektim përmes një analize racionale dhe të detajuar mbi atë çka është bërë e po bëhet, por edhe mbi se çfarë duhet bërë në vijim për ta çuar përpara reformën në drejtësi, për të zbutur efektet negative të krijuara në funksionimin e sistemit dhe për t’ u dhënë një mbështetje shumë më të mirë institucioneve të reja të sistemit.

Jam i ndërgjegjshëm se jetojmë një periudhë tranzitore ku është vështirë të kuptohen mirë vlerat e asaj çfarë po ngremë dhe kjo është një kohë e mirë për spekulantët politikë e kalemxhinjtë e tyre, por jam besimplotë se shumë shpejt gjërat do të shkojnë në vendin e tyre, do të formësohen dhe të gjithë do të shohin qartë vlerat e asaj çfarë kemi ideuar dhe ndërtuar edhe përmes vështirësive e pengesave të shumta – kjo në saj të vullnetit tonë politik, institucional dhe profesional për ta hartuar e zbatuar reformën, por edhe falë angazhimit dhe përgjegjshmërisë së njerëzve të rinj të sistemit si pjesë e institucioneve të reja.

Padyshim, ky realitet i ri mundësohet edhe falë mbështetjes plot përkushtim dhe pa asnjë pakompromis që janë duke i dhënë këtij procesi partnerët tanë ndërkombëtarë, respektivisht Bashkimi Evropian dhe veçanërisht SHBA-të, të cilët dje kanë qënë bashkëhartues me ne të projektit kushtetues e ligjor, e sot historia i gjen si kontributorë aktivë në ngritjen e institucioneve të reja, por edhe si garantues të paanshmërisë, përgjegjshmërisë dhe efikasitetit të tyre.

Një sulm i egër e ka shoqëruar dje hartimin e reformës në drejtësi dhe sot procesin e zbatimit të saj. E sigurt është se kështu do të vazhdojë edhe nesër. Sulmet do të jenë gjithmonë e më të pakta, por më të ashpra. Në asnjë moment nuk kam pritur dhe as pres të kundërtën. Kjo është ndeshja e dy botëve, një përballje e dy qëllimeve diametralisht të kundërta: është beteja midis drejtësisë dhe padrejtësisë, qëllimit për të ndërtuar një drejtësi të pavarur e funksionale dhe përpjekjeve për demotivimin ose kontrollin e saj. Padyshim që në themel të të gjithë këtij sulmi ka qenë dhe mbetet paranoja e frika nga drejtësia, nga ndëshkimi.

Tani është koha që njerëzit e rinj të promovuar në sistemin e ri të drejtësisë të dëshmojnë kurajo qytetare për të bërë gjëra të mëdha në interes të vendit. Ndaj dëshiroj tju them të gjithë atyre që janë angazhuar në procesin e zbatimit të reformës: “Kurajo dhe Guxim! Refuzojini miklimet për favore dhe interesat në shkëmbim të vendimmarrjes së ligjshme! Sfidojeni gjithë këtë sulm përmes respektimit të drejtë të Kushtetutës dhe ligjit, duke hedhur fort me vendosmëri hapat e duhur për zbatimin e reformës në drejtësi”.

Reforma në drejtësi është shpresë, andaj përmes besimit, kurajos dhe punës le ta bëjmë një garanci të plotë për të sotmen dhe të nesërmen e një brezi që padyshim do ta çojë përpara Shqipërinë jo veç për të ëndërruar, por edhe për të jetuar.

*Ish–Kryetar i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë

Related posts

Atë që bëri Irani në Afganistan ëndrron ta bëjë Serbia në Kosovë

D V

Servilit besnik të Vuçiçit për kujtesë

D V

Mbi të gjitha, Kosova e kaloi testin

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More