Agjencia Zhurnal.mk.

Sela: Dhjetëra gjykatës dhe prokurorë publikë nën kontrollë të BDI-së

Shkup, 12 prill – Shtatë vjet nga publikimi i “bombave” të para nga LSDM-ja, nuk kemi parë pothuajse asnjë aktgjykim në rastet e korrupsionit dhe krimit në nivel të lartë, tha kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, në konferencën e sotme ku publikoi të dhëna nga hulumtimi i tyre për, siç theksoi, “marrjen peng të sistemit gjyqësor nga BDI-ja”.

Sipas tij, për rastin “Maxhar Telekom” kundër Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit, për rastin “Pacienti” kundër Bujar Osmanit dhe rastin “Titanik 3” kundër Ejup Halimit, të gjithë janë amnistuar.

“Po përballemi me një masakër të vërtetë në gjyqësor, me dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë nën kontrollin total të BDI-së. Domethënë, atë që e konstatuam tregon një sekuestrim sistematik nga BDI-ja të çdo gjykate dhe çdo instance prokuroriale, pa përjashtim”, tha Sela dhe theksoi se ata që kanë kapur/pushtuar drejtësinë kanë emër dhe mbiemër dhe janë Blerim Bexheti, Adnan Jashari, Valdet Xhaferi, Bylent Saliji dhe Agim Nuhiu, të gjithë ministra të Ali Ahmetit.

Sela, gjatë publikimit të këtij hulumtimi të Aleancës për Shqiptarët, theksoi se në Këshillin Gjyqësor, BDI-ja ka emëruar Selim Ademin, zyrtar i lartë partiak i cili ka ardhur direkt nga Ministria e Drejtësisë.

“Gjykata Administrative është organ që e mbron kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë. Atje, BDI-ja kontrollon jo më pak se katër gjyqtarë: kryetarin e gjykatës Burim Sejdini, ish-sekretarin e komunës së Zajasit, Gazmend Fejzuli, të cilit iu hoq imuniteti për shpërdorim të detyrës në rastin Titaniku. Imsale Hasani, motra e Irfan Asanit, ish-drejtor i Hekurudhave të Maqedonisë (HM) nga BDI-ja dhe Eleonora Hamuliq-Ajro, bashkëshortja e prokurorit për krim të organizuar dhe korrupsion”, Artan Ajro, shtoi Sela.

Sipas Selës, në Gjykatën Supreme, BDI-ja e ka emëruar Shpend Devajën, bashkëshortin e Teuta Arifit, nënkryetares së BDI-së dhe ish-kryetare e Tetovës e larguar nga tetovarët në zgjedhjet e fundit lokale për shkak të skandaleve korruptive.

“Gjykatat e apelit vendosin për ankesat kundër vendimeve të gjykatave themelore dhe për përplasjen e kompetencave mes tyre. Në këtë nivel BDI-ja i ka vendosur njerëzit e saj: Shefajet Hajdarin në Gostivar, gjyqtar i afërt me Nevzat Bejtën dhe pronar i Durmo Turs, i cili njihet si financier i BDI-së”, tha Sela.

BDI, siç shtoi Sela, ka njerëz të vet edhe në gjykatat themelore që punojnë në lëndët penale dhe civile. Mes gjyqtarëve të përmendur në këtë konferencë për shtyp ishin edhe Osman Shabani nga Gjykata Penale e Shkupit, për të cilin Sela thotë se është gjyqtar i afërt me Blerim Bexhetin, Hasan Asani nga Tetova, ish-kryetar i degës së BDI-së në Bërvenicë, Abdullah Azari po ashtu nga Tetova, ish-aktiviste i BDI-së në Tearcë dhe ish zëvendës-sekretar i përgjithshëm në Qeveri, Amdije Zenku në Kërçovë e të tjerë.

Si institucion të zënë rob, Sela e vlerësoi edhe Avokatin e Popullit.

“Në çdo institucion gjyqësor mjafton një thirrje nga Reçica e Vogël për të ndaluar apo sabotuar ndjekjet penale sa herë që preket interesi i BDI-së. Tashmë dihen metodat e drejtësisë së robëruar. Ato nisin në fazën fillestare të hetimit duke anashkaluar sistemin elektronik të shpërndarjes së çështjeve. Kështu ata i kushtojnë vëmendje dhe gjykojnë që rasti ku preken interesat e tyre të shkojnë në tavolinën e prokurorëve dhe gjyqtarëve të tyre dhe më pas t’i sabotojnë rastet me hile si: mosrespektimi i afateve për fillimin e shqyrtimit pas parashtrimit të aktakuzës etj.”, tha Sela.

Për të dalë nga kjo situatë dhe për të përmirësuar sistemin gjyqësor në vend, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, propozoi që Komisioni Evropian të zbatojë vlerësime shtesë për sundimin e ligjit, të kryesuara nga ekspertë të pavarur, të ngjashëm me Raportin e Pribesë, formimin e një grupi pune për reforma në drejtësi dhe për vlerësim gjithëpërfshirës të shkaqeve të kapjes së gjyqësorit. /Zhurnal.mk

Related posts

ARS-ja me strategji të re për të rinjtë për të monitoruar nevojat reale të të rinjve në vend

Z.H

Dallku i lumtur pas triumfit të madh ndaj Dritës, tregon se si arritën deri te fitorja me një futbollist më pak

Redaksia

Ministri danez i Punëve të Jashtme për vizitë në Maqedoninë e Veriut

Z.H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More