Shkup, 10 janar – Në selinë e LSDM-së në Shkup sot do të mbahen seanca të Bordit Ekzekutiv dhe Qendror, ku duhet të konfirmohen vendimet kadrovike për përbërjen e Qeverisë së re. Siç kanë konfirmuar nga LSDM për MIA-n, seanca e Bordit Ekzekutiv është caktuar për në orën 18, pas së cilës Bordi Qendror do të mbajë mbledhje në ora 20.
Nënkryetarja e partisë Sanja Llukarevska në një deklaratë para festave të fundvitit paralajmëroi se të hënën pritet të mbahet seanca e Bordit Qendror të LSDM-së ku kryetari dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski do t’i prezantojnë emrat e kabinetit qeveritar, pas së cilës procedurën e duhur në Kuvend.
Kryetari i LSDM-së dhe i mandatuari për kryeministër Kovaçevski pritet që nesër në Kuvend të dorëzojë propozimin për përbërjen e kabinetit qeveritar dhe programin e ri qeveritar, ndërsa në fund të kësaj jave të mbahet seanca parlamentare për zgjedhjen e Qeverisë.
Gjatë intervistës të fundjavës së kaluar, Kovaçevski tha se secili është i zëvendësueshëm, posaçërisht nëse në një moment të caktuar më nuk mund t’i dale zot detyrës.
“Ky është princip parimor të menaxhimit efikas dhe qeveria e re do të udhëhiqet sipas tij. Lidhur me përbërjen e re qeveritare dhe resoret me të cilat do të udhëheq LSDM-ja, bëhet fjalë për ekip të përbërë nga njerëz të rinj, por edhe kuadro të dëshmuara nga qeveria paraprake, të cilët kanë pasur realizim dhe rezultate të mira në resoret e tyre. Prej të gjithë atyre pres punë me përkushtim maksimal, realizim të asaj që u premtua dhe fokus në prioritetet nga programi”, tha Kovaçevski në intervistë për MIA-n.
Fokus primar i qeverisë së tij gjatë tre muajve të ardhshme, siç potencoi, do të vendoset në përgjigjen tonë ndaj krizës energjetike, ndërsa tanimë është përgatitur edhe plan. Ai personalisht në krizë sheh mundësi që më në fund si shtet të bëjmë tranzicion energjetik dhe të kapim drejtim të ri për pavarësinë dhe vetqëndrueshmërinë energjetike.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në deklaratën e fundit vjetore në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, i pyetur nga një gazetar për procedurën e zgjedhjes së qeverisë së re, shprehu shpresë se kryeministri i mandatuar nuk do t’i respektojë afatet dhe se ai pret të jetë funksional më 17 janar të vitit 2022.