Kancelari gjerman, Olaf Scholz nis të premten një vizitë dyditore në Ballkanin Perëndimor. Kryetarja e komisionit të të drejtave të njeriut në Bundestagun gjerman, Renata Alt tha se pret mesazhe të qarta ndaj Serbisë.
Ajo në një intervistë për Deutsche Welle u shpreh se “kancelari Scholz, gjatë vizitës së tij në Serbi, është e rëndësishme t’i bëjë me dije Serbisë se duhet të njohë pavarësinë e Kosovës”.
“Do të ishte e rëndësishme që kancelari Scholz, gjatë vizitës së tij në Serbi, të ushtrojë presion ndaj Aleksandar Vuçiqit dhe qeverisë së ardhshme në Serbi dhe t’u bëjë të qartë se Serbia duhet të përkrahë sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe të dënojë qartazi krimet e luftës të kryera nga Rusia në Ukrainë. Serbia duhet t’i japë fund politikës së luhatjes dhe të vendosë: a dëshiron të shkojë kah Rusia apo është vërtet e interesuar të anëtarësohet në BE?”, tha ajo.
Alt po ashtu u shpreh se janë shqetësuese fjalët e presidentit serb Vuçiq, kur ai u betua pas zgjedhjeve, se ai kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Shqetësuese ishin edhe fjalët e presidentit Vuçiq, kur ai u betua pas zgjedhjeve, se ai kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Prandaj është e rëndësishme që kancelari Scholz ta bëjë të qartë se Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës në mënyrë që të vazhdojë të konsiderohet një kandidate serioze dhe e besueshme për anëtarësim në BE.
Mendoj se si mjet presioni mund të përdoren burimet financiare. Nëse Serbia vazhdon politikën e saj luhatëse e largohet gjithnjë e më shumë nga demokracia, unë sugjeroj ngrirjen e fondeve dhe marrjen në konsideratë të pezullimit të negociatave të pranimit në BE. Sigurisht që edhe Kosova duhet të afrohet me Serbinë, për shembull, nuk është shumë e mençur që të pengohet mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Pra, të dyja palët duhet të lëvizin drejt njëra-tjetrës. Megjithatë, është e rëndësishme që të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u jepet një perspektivë e qartë evropiane. Është e pakuptueshme, se pse Maqedonia e Veriut të mos fillojë negociatat e anëtarësimit me BE-në, sidomos pas ndryshimit të emrit”, u shpreh Alt.