Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) do të protestojë më 4 dhjetor për shkak të mosmiratimit të Ligjit të Pagave.
Kjo u bë e ditur pas mbledhjes së jashtëzakonshme që SBASHK mbajti me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka njoftuar se nëse Qeveria nuk reflekton do të merren edhe masa të tjera sindikale, duke mos përjashtuar edhe grevën në janar.
“Ju lus që të bisedoni me prindërit që të jenë më 4 dhjetor me ne, me shpresën se Qeveria do të reflektojë dhe konsideroj se 4 dhjetori do të jetë alarmi i fundit për Qeverinë”.
“Opsioni i parë pas 4 dhjetorit do të jetë një protestë më masive, nëse s’ka reflektime atëherë ju njoftoj që të bëheni gati për veprimet e tjera sindikale në muajin janar”.“Po na solli në të njëjtën pozitë orët e humbura në grevë nuk do të zëvendësohen”, tha ai.
Jasharaj tha se Qeveria po i shton tensionet me deklarata se Ligji për Paga po punohet, ndërsa të pranishme nuk janë sindikatat, duke përfshirë edhe SBASHK-un.
“Kanë kërkuar nga ne dhe ne e kemi bërë detyrën tonë që të kemi takime, sepse ka zëra dhe deklarime se Ligji për Paga është duke u përmirësuar por që SBASHK-u s’ka qenë i pranishëm. Ne kemi kërkuar takim me ministrin Kurti dhe ministrin Murati që të takohen me sindikatat”.
“Duke e parë se po mungon vullneti i Qeverisë për të reflektuar ndaj kërkesës sonë për takime dhe për të biseduar për Ligjin për Paga dhe për Kontratën Kolektive ne ju kemi thirrur që edhe ju sot ta sjellin zërin tuaj. Mendoj se duhet ta respektojmë zërin e punëtorëve të arsimit, pasi që Qeveria po hesht dhe nuk po ka dialog”.
Edhe Ymer Ymeri, nga SBASHK-u, po kërkon që Qeveria të reflektojë ndaj kërkesave të tyre, raporton EO.
“Ne do t’i shtjerrim të gjitha mundësitë tona me dialog, Qeveria pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të bisedojë me sindikatat, që pas datës 4 me një pauzë dyjavëshe që s’ka rezultate, ta vazhdojmë pas dy javë një formë tjetër të protestës”.
Përfaqësuesi i Sindikatës nga komuna e Gjakovës, Salih Maliqi, tha se i kanë dhënë kohë të mjaftueshme Qeverisë për të reflektuar.
“Është kohë e mjaftueshme për të reflektuar Qeveria. Kërkesa nuk është vetëm e punëtorëve të arsimit, por janë 80 mijë punëtorë civilë”.
“Ligji për sigurime shëndetësore jemi të fundit në këtë të drejtë elementare, prandaj pse të mos e gëzojmë këtë”.