Agjencia Zhurnal.mk.

Samit virtual i Procesit të Berlinit nën presidencën e Gjermanisë

Shkup, 5 korrik  – Inkurajimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor për të treguar një frymë kompromisi për të arritur rezultate konkrete në zbatimin e projektit për një treg të përbashkët rajonal pritet të jetë tema kryesore e samitit të sotëm virtual në Procesin e Berlinit, i organizuar nga Gjermania.

 

Përpara Samitit, nismëtarja e Procesit të Berlinit, kancelarja gjermane Angela Merkel, tha se ishte e bindur se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në një Evropë vërtet të bashkuar.

Në një video-mesazh të publikuar të shtunën, Merkel tha se ishte e kënaqur që ky takim virtual do ta lejonte atë të vazhdonte punën me krerët e shteteve ose qeverive të Ballkanit Perëndimor për të arritur qëllimin kryesor të Procesit të Berlinit arritjen e stabilitetit në rajon dhe vendosjen e dialogut.

“Ballkani Perëndimor është fqinji i parë i BE-së. Është pjesë e Evropës, ku plagët e luftës nuk janë shëruar ende dhe shumë qytetarë të atij rajoni jetojnë edhe në Gjermani. Unë e kam të qartë se vendet e BE-së duhet të kenë interes në zhvillimin paqësor të Ballkanit Perëndimor. Ne jemi përgjegjës për përpjekjen praktike për zhvillim në atë pjesë të Evropës”, theksoi Merkel, duke shtuar se Procesi i Berlinit tashmë ka arritur disa suksese, duke theksuar krijimin e fundit të Forumit Rinor brenda tij.

Merkel vuri në dukje se krijimi i këtij Forumi ka treguar se ajo që është konsideruar prej kohësh e pamundur është përfundimisht e mundur siç është shkëmbimi i studentëve nga fe dhe etni të ndryshme. “Ky është një kontribut praktik për paqen,” tha Merkel, duke shtuar se njohja e ndërsjellë e diplomave, bashkëpunimi në shkencë dhe përparimi në projektet e infrastrukturës ishin hapa drejt forcimit të lidhjeve midis qytetarëve të rajonit dhe tejkalimit të paragjykimeve.

“E gjithë kjo i çon vendet e Ballkanit Perëndimor drejt qëllimit të përbashkët të plotësimit të kushteve për anëtarësim në BE. Unë jam e bindur që, herët a vonë, e ardhmja e tyre do të jetë me të vërtetë në një Evropë të bashkuar,” tha ajo.

Merkel vuri në dukje se ka ende shumë sfida në rajon, se mosbesimi dhe nacionalizmi nuk janë zhdukur dhe se mosmarrëveshjet dypalëshe mund të ndizen në çdo moment, prandaj është e nevojshme pajtimi.

“Kjo nënkupton të kapërcehet e kaluara dhe të bëhet gjithçka që është e mundur që brezat e ardhshëm të jetojnë në paqe,” shtoi Merkel në mesazh.

Procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor, i filluar nga Qeveria gjermane më 28 gusht të vitit 2014, është një forum për bashkëpunim midis shteteve anëtare të BE-së dhe institucioneve evropiane, gjashtë vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Ky proces informal mbështet vendet e Ballkanit Perëndimor në krijimin e lidhjeve më të ngushta me Bashkimin Evropian dhe realizimin e përpjekjeve të tyre për integrimin në BE, në rritjen e bashkëpunimit rajonal në fushat e infrastrukturës, ekonomisë, digjitalizimit, çështjeve të të rinjve dhe shkencës, si dhe në inkurajimin e dialogut në rajon.

Qëllimet e Procesit përfshijnë nxitjen e “përparimit të mëtejshëm real në procesin e reformës, në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura bilaterale dhe atyre të brendshme dhe në arritjen e pajtimit brenda dhe midis shoqërive në rajon”, si dhe në forcimin e “bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe hedhjen e bazave për rritje të qëndrueshme “.

Procesi i Berlinit është një vegël shtesë institucionale që synon përshpejtimin e integrimit të vendeve të rajonit në BE dhe dakordimin e tyre me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Procesi është konceptuar si një instrument për arritjen e një dimensioni shoqëror, ekonomik dhe politik, pra lidhja e njerëzve, ekonomive dhe vendeve të rajonit. Për këtë qëllim, Procesi deri më tani ka promovuar iniciativa dhe projekte në fushën e transportit dhe të infrastrukturës, lidhjen ekonomike dhe bashkëpunimin midis të rinjve, bizneseve dhe shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor. Për këtë qëllim, u promovuan Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor, Forumi i Investimeve i Odave të Ballkanit Perëndimor dhe Fondi për Ballkanin Perëndimor.

Përveç takimeve të zyrtarëve të lartë të shtetit dhe qeverisë, Procesi i Berlinit përfshin gjithashtu takime të përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile, organizatave rinore dhe komunitetit të biznesit në rajon.

Related posts

Edhe 43 qytetarë të Afganistanit e përfunduan qëndrimin e tyre në Maqedoni

D V

Fushatë e AUV-së: Kafshët e ngordhura të mos preken, por të paraqiten në aplikacionin “Stop tërbimit”

Z H

QMK: Zjarr në Galiçicë, rrezik të përfshihet edhe zona e mbrojtur e pyllit

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More