Agjencia Zhurnal.mk.

Sa po solidarizohet Maqedonia e Veriut me Turqinë, pas tërmetit me pasoja katastrafale?

Shkup, 9 shkurt – Gjashtë shkurti i vitit 2023 do të mbahet gjatë kohë në mend e nuk do të harrohet asnjëherë për Turqinë, sepse është datë që përkujton tërmetin më të madh të ndodhë ndonjëherë në këtë vend. Numri i viktimave aktualisht ka kaluar 11.000 vetë, më shumë se 30.000 vetë janë plagosur. Një organizatë amerikane, Pacific Disaster Center bën fjalë për rreth 23 milionë vetë që janë prekur nga katastrofa. Për sa i përket numrit të viktimave nga tërmeti ende vazhdon të rritet si në Siri ashtu edhe në Turqi. Temperaturat rreth zero gradë e bëjnë kërkimin e të humburve edhe më të vështirë. Sinoptikanët turq paralajmërojnë madje për borë dhe shi në ditët në vijim. Tërmeti në Turqi është temë aktuale globale, duke vënë në hije edhe luftën në Ukrainë, çdo shtet në kuadër të mundësive është solidarizuar me Turqinë për të ndihmuar në tejkalimin e kësaj fatkeqësie natyrore. Edhe Maqedonia e Veriut si shtet mik i Turqisë ka dërguar ndihma të shumta dhe po vazhdon mobilizimi tutje, shkruan Zhurnal.

Çfarë po ndihmon Maqedonia e Veriut në Turqi pas katastrofës me tërmetin e 6 shkurtit?

Pjesëtarët e Armatës së Maqedonisë së Veriut menjëherë janë nisur për ndihmë në Turqi.

“Qeveria në seancën e jashtëzakonshme mori vendim të dërgojë ekipin e mbrojtjes dhe shpëtimit nga Armata, qen të trajnuar për kërkime dhe ndihma humanitare në Turqinë mike”, tha ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska

Lajmin e ka konfirmuar ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska, përmes një postimi në rrjetet sociale. “I urojmë fat në kërkimin dhe shpëtimin e jetëve njerëzore”, ka shkruar ajo. “Solidarizohemi me popullin turk dhe do të dërgojmë ndihma humanitare nga Ministria e Mbrojtjes dhe Armata për të ndihmuar viktimat”, shtoi Petrovska.

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim po dërgon 40 persona – pjesëtarë të Forcave Republikane për Mbrojtje dhe Shpëtim, me pajisje komplete të specializuara dhe mjete materialo-teknike për kërkim-shpëtim nga rrënojat, gjashtë automjete për transportin e pajisjeve dhe njerëzve dhe dy automjete zjarrfikëse.

Në Gaziantep të Turqisë tashmë janë dërguar ekipe të ndihmës nga qyteti i Shkupit, si dhe nga disa vetqeverisje lokale, duke përfshirë zjarrfikës nga Manastiri, Tetova, Gostivari dhe Shtipi dhe minatorët nga Probishtip.

Nga Qyteti i Shkupit informojnë se një ekip i Brigadës Territoriale të Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit është dërguar në Gaziantep të Turqisë, ndërsa në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të qytetit është propozuar që të miratohen gjashtë milionë denarë ndihmë fillestare humanitare për Turqinë dhe Sirinë, të cilat u goditën nga një tërmet shkatërrues.

Komuna e Manastirit në seancën e sotme do të vendos edhe për ndihmën për të prekurit nga tërmeti në Turqi dhe Siri, ndërsa seanca të tilla kanë paralajmëruar edhe komunat tjera, përfshirë Qendrën dhe Gjorçe Petrovin.

Komunat e Tetovës, Kumanovës, Kavadarit dhe Gazi Babës tashmë kanë marrë vendime për ndihmë financiare për zonat e prekura nga tërmeti në Turqi dhe Siri. Ku nga Këshilli i Komunës së Kumanovës në një seancë të jashtëzakonshme vendosi të ndajë 1 milion denarë ndihmë për popullatën e vuajtur nga tërmeti katastrofik në Turqi dhe Siri, po me të njëjtën shumë ndihmoi edhe Komuna e Tetovës.

Ministria e Financave, nga ana tjetër, është e ngarkuar që t’i dorëzojë Qeverisë vendim për miratimin e mjeteve nga rezervat e Buxhetit për vitin 2023, në vlerë prej 6 milionë denarë, për t’i ndihmuar viktimat e tërmetit në Turqi. Obligime ka edhe ndaj institucioneve të tjera, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë, në kuadër të kompetencave të tij, që urgjentisht të përgatisë dhe t’i dorëzojë Qeverisë vendimin për dhënien e ndihmës në formë të personelit mjekësor, pajisjeve mjekësore dhe barnave.

E nga MSH reagon menjëherë duke publikuar një formularë që mjekët vullnetarë duhej ta plotësonin ata që ishin të gatshëm të shkojnë dhe të ofrojnë ndihmë mjekësore. Sipas, Bekim Sali deri më sot ishin paraqitur 150 mjekë. Ndërkaq, nga Qeveria kanë njoftuar se vendi do të dërgojë ndihma edhe në Siri.

Qeveria po ashtu mori vendim për dërgimin e ndihmave humanitare për mbrojtje dhe shpëtim, përkatësisht 10 mijë batanije dhe 200 barela mjekësore. Kryqi i Kuq gjithashtu njoftoi për numra vënien në funksion të numrit të telefonit 143 400 ku qytetarë mund të ndihmojnë me 100 denarë duke dërguar sms si dhe donacione mund të bëhen edhe në dy xhirollogari.

Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se nëntë shtetas të vendit ishin në zonën ku ndodhi tërmeti, të cilët janë të sigurt dhe jashtë rrezikut për jetë. Bëhet fjalë për tetë nxënës të shkollave të mesme dhe mësuesja e tyre, të cilët ndodhen në Turqi përmes programit ‘Erasmus Plus’. Ministria theksoi se njëri nga fëmijët, i cili ka frakturë, i është nënshtruar trajtimit fillestar mjekësor dhe është gati për udhëtim që të kthehet në vend së bashku me grupin.

Ndërkaq, ndihma të shumta ka pasur edhe nga Kosova dhe Shqipëria, ku një ekip i FSK-së nga Kosova ka arrite të shpëtojë një fëmijë 2 vjeçar si dhe nënën e tij nga rrënojat e shkaktuara nga tërmeti, kjo që konsiderohet kontributi më i madh dhe më i nevojshmi nga të gjithë ndihmat e dërguara deri më tani.

Megjithatë, tërmetet dhe fatkeqësitë natyre nuk kanë të ndalur këto ditë në Turqi dhe Siri, ditëve në vijim nuk dihet se në cilat vende tjera. Ajo që vërehet dhe vlen të theksohet është solidaritet dhe humanizmi i shprehur nga gjitha këndet e botës, kjo flet qartazi se ndjenjat njerëzore ende janë gjallë. /Zhurnal.mk

Related posts

IBU lançoi zyrtarisht Qendrën e Hulumtimeve Ballkanike

Redaksia

“Jo Kina, jo Korea” – Ali Ahmeti: Nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit në BE

Xh M

Arrijnë në portin e Selanikut 76 automjete ushtarake, donacion i Norvegjisë për Maqedoninë e Veriut

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy