Shkup, 22 mars – Maqedonia e Veriut mori ndihmën prej 80 milionë euro nga Bashkimi Evropian për të përballuar krizën energjetike. Ky fond do të shërbejë si ndihmë për konsumatorët familjarë, shkollat, kompanitë publike, lidhur me shpenzimet e energjisë elektrike, përkatësisht për përballje me masat anti-krizë të cilat do t’i ndërmarrë qeveria në Shkup. Masat e tilla veçse kanë filluar të ndërmerren, por ndihmat që vijnë prej jashtë janë vetëm një shtytje për të tejkaluar kriza të natyrave të ndryshme dhe jo mundësi për të krijuar komoditet dhe për të zgjatë dorën në kërkim të ndihmave. Ajo që duhet ta bëjë vendi për qytetarët e saj është krijimi i kushteve normale për jetesë, dhe kjo bëhet duke filluar me sigurimin e funksionimit të institucioneve në kushte normale, si dhe krijimi i një mirëqenie sociale për gjithë qytetarët e vendit pa dallim. Investimet e huaja në vend duhet të kërkohen e të jenë të mirëseardhura, ndihma ndaj sektorit priavt është e domosdoshme, sepse nëpërmjet kësaj zbutet papunësia dhe hapen vende të reja të punës. Rritja e pagave është e patjetërsueshme sidomos gjatë kësaj periudhë krize. Prandaj, nuk mjaftojnë vetëm ndihmat nga jashtë por duhet edhe një mobilizim dhe përgjegjësi prej brenda shtetit, shkruan Zhurnal.
BE-ja ndihmon RMV-në me 80 milionë euro për përballje me krizën e shumëfishtë në vend –
Paketën prej 80 milionë euro e njoftoi Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen gjatë një vizite ne tetorin e vitit të kaluar në Shkup. Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, David Geer tha se kjo paketë ndihme flet për premtimet dhe solidaritetin e BE-së jo vetëm për vendet anëtare te Bllokut por edhe ato të ardhshme “si vlerë e prekshme themelore”.
Ndihma është në kuadër të fondit prej një miliard euro që BE-ja ka premtuar për vendet e Ballkanit Perëndimor në mënyrë që popullsia e rajonit të përballojë problemet e shkaktuara nga kriza energjetike.
Autoritetet në Maqedoninë e Veriut janë shprehur mirënjohëse për premtimin e mbajtur të BE-së. Kryeministri Dimitar Kovaçevski bëri të ditur se qeveria ka parashikuar një shumë prej 225 milionë euro nga buxheti i saj për vitin 2023 për menaxhimin e krizës energjetike. Ai tha në një konferencë shtypi se qeveria e tij arriti të mundësoj furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike për konsumatorët familjarë dhe bizneset dhe bëri rritjen e prodhimit të kapacitetit vendor.
Zëvendës-kryeministri Bojan Mariçiç,i ngarkuar me Çështjen e Integrimit Evropian, tha se “kjo është më tepër se sa mbështetje financiare që ndihmon përshpejtimin e transformimit të shoqërisë dhe përgatitjen e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në familjen evropiane”.
Autoritetet synojnë rritjen e efikasitetit energjetik të objekteve shëndetësore në pjesën më të madhe të qyteteve dhe përforcimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në disa rajone të vendit me prodhimin e “energjisë së gjelbër”.
Kriza energjetike sikurse edhe në shkallë globale, ka ndikuar në ekonominë e Maqedonisë së Veriut. Vendi importon një pjesë të madhe të energjisë për nevojat e brendshme. Kriza ka bërë që të rriten çmimet jo vetëm të energjisë elektrike dhe gazit, por edhe çmimet e produkteve ushqimore. Gjë që vështirë e kanë pritur dhe mezi po e përballojnë qytetarët, pdo ditë e më shumë jeta e tyre po vështirësohet.
Sa e ndihmojnë vendin ndihmat nga jashtë përderisa vendi përbrenda ka stagnuar?
Ndihmat që vijnë nga jashtë sidomos nga Bashkimi Evropian janë infuzion për vendin që gjatë çdo situate kritike e thellimit në kriza të ndryshme, këto ndihma hapin rrugën drejtë përballimit dhe tejkalimit në mënyrë sa më të lehtë të mundshme.
Por, nuk janë të mjaftueshme këto ndihma për t’ia përmirësuar standardin e jetës qytetarëve sepse nevojitet edhe një zhvillim i brendshëm ekonomik që garanton mirëqenie dhe stabilitet financiar. Hapjen e mundësive për investime nga jashtë, si dhe zgjatja e dorës ndaj sektorit privat gjë që ndikon në hapjen e vendeve të reja të punës si dhe zbutjen e papunësisë.
Krahas, shpenzime të rritura edhe pagat minimale në harmonizim me pagat tjera duhet të rriten në të kundërtën, poqë nuk u rriten pagat do të rritet dëshpërimi i qytetarëve. Posaçërisht të rinjve që nuk do vendosin të vazhdojnë të mbijetojnë në këtë vend me gjithë këto vështirësi, por do të zgjedhin të largohen e ta braktisin vendlindjen në kërkim të një jete normale, madje jo një jetë më të mirë sepse këtu nuk e kanë fare mirë.
Ndryshe, me këtë dinamikë ekonomike numri i qytetarëve të varfër vetëm se do të rritet edhe më shumë, ndërkaq ata që veçmë janë të varfër do ta kenë edhe më të vështirë të përballen me shpenzimet e përditshme që tashmë janë veçse me çmime shumëfish më të larta.
Situatë jo e lehtë për tu përballuar për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, pasi rritja e çmimeve u bë traditë e zakonshme madje edhe javore që çdo javë pothuajse kishte ndryshim çmimesh, nuk dihej se cilat masa dhe çfarë ndikimi kishin ato masa antikrizë të marra nga Qeveria, sepse në praktikë secili qytetarë është në krizë të thellë. Shpenzimet mujore me të hyrat janë në një diskrepancë shumë të madhe me çka qytetarët edhe po dëshpërohen dhe shpresë po kërkojnë jashtë vendit.
Shpresa e ka humbur rrugën në Maqedoninë e Veriut, madje është absurditet të dëgjohet prej ndokujt që shpreson që gjendja do të ndryshoj në aspekt pozitiv. Të rinjtë nuk shohin të ardhme, të punësuarit të pa kënaqur me pagat, të moshuarit me pensione që as për kontrolle mjekësore nuk janë të mjaftueshme.
Pra, e gjithë kjo katrahurë shkakton krizë edhe më të thellë në Maqedoninë e Veriut, që do të futemi në “krizë qytetarësh”, ku vendi do të zbrazet dhe do të bëhet i pa banueshëm. /Zhurnal.mk