Agjencia Zhurnal.mk.

Rrënimi- Tirana e vjetër që po zhduket për shkak të lakmisë dhe konflikteve familjare

Nga Armando Meta/

Kushdo që shkon disa herë në Gjykatën e Tiranës, do të ndeshet me një djalë të moshës 32- vjeçare, Robert Vrahin, pjesë e një trungu familjarë tiranas nga e jëma, i cili kurrë nuk e kishte imagjinuar se konflikti për një shtëpi në qendër të Kryeqytetit, do të kthehej në një dramë të madhe për familjen e tij.

Vëllezër, motra, daja, teze, nipër e mbesa, prej kohësh nuk hyn e dalin më tek njëri- tjetri, jo vetëm për festa, por edhe as për gëzime dhe hidhërime.

Konflikti dramatik për shtëpinë e trashëguar nga gjyshi dhe gjyshja nga e jëma e tij, nis që në vitin’92, kur filluan të kthehen disa prej pronave të sekuestruara nga regjimi komunist.

Të gjithë ishin të lumtur në fillim se po merrnin pronën, por mjaftuan vetëm disa muaj për të kuptuar se prona po kthehej në një dramë për të gjithë fisin.

Sipas Bertit, gjyqi mes familjarëve për pronën filloi në vitin ‘93, por, duket se edhe pas 30 vitesh, situata vijon të jetë ende e njëjtë.

“Nuk jemi në gjyq me shtetin, por me njëri- tjetrin. Kam lindur në ‘91 dhe e gjithë fëmijëria ime e në vijim ka kaluar mes debatesh për pronën. Shtëpia po rrënohet, po mbulohet nga ferrat, barishtet, madje është kthyer edhe në strehë për endacakët. Askush nuk po e gëzon.”, komenton Vrahi.

(Foto: A. Meta)

Tirana, shtëpitë e vjetra drejt zhdukjes

Kalvari i familjes Vrahi është ‘maja e ajsbergut’ e qindra historive në kryeqytet, ku konfliktet e pronësisë mes familjarëve kanë rrënuar ditë pas dite Tiranën historike.

Kjo ka zhbërë edhe kujtesën historike për kryeqytetin, ose siç shkruan poeti Pandi Laço: “Shtëpitë nën hurma, atje në mexhlis, as shenjë e as nam, as farë e as fis”.

Nga ‘Rruga e Kavajës’, e ‘Durrësit’, duke dalë tek ‘Rruga Bardhyl’, nga ‘Rruga Dibrës” te ‘Medreseja’, janë qindra shtëpi që kanë mbartur historinë e Tiranës, të jetës sociale dhe të arkitekturës, por që gjithë hijesha e tyre tashmë është mbuluar nga ferrat dhe barishtet.

Rrënimi ka filluar nga muret deri në kalbëzim, çatitë e shembura, dritaret e shkatërruara me xhama tërësisht të thyera. Mëhallat e vjetra me mur qerpiçi nuk egzistojnë më.

(Foto: A. Meta)

Të ‘gdhihesh e të ngrysesh’ në Gjykatë

Moria e çështjeve për pronat në gjykatat e Shqipërisë, është një bibliografi më vete. Ka prindër që nuk kanë arritur të lenë testamente për pronat, duke krijuar seriale konfliktesh mes fëmijëve.

Ka qindra testamente të denoncuara në gjykatë me pretendimet se janë të falsifikuara, ka një rrumpall me regjistrat e gjendjeve civile ku fëmijët, për arsye të ndryshme, kanë ndërruar emra apo mbiemra në këto 3 dekada, ndërsa tani gjenden se janë jashtë trungut familjarë, etj., etj.

Ka seanca gjyqësore që zgjasin për dekada me rradhë, duke e bërë të pamundur mirëmbajtjen e banesave të vjetra të Tiranës. Për çështje pronësie të banesave të vjetra në Tiranë, sipas gjykatës, janë të përfshirë afërsisht 19.145 persona.

Objekt gjykimi për pretendimet e pasardhësve, që pretendojnë pronësinë, janë rreth 604 çështje, që lidhen me banesat historike të kategorive të ndryshme.

Sipas avokatëve, çështjet që lidhen me pretendimet e pronësisë brenda një trungu familjarë janë shumë të ndërlikuara, pasi jo vetëm zgjasin, por janë dhe burim konflikti social brenda të njëjtës familje.

Sipas tyre, asnjë palë e përfshirë në proces nuk bie dakord, pasi në shumë raste kemi 3 deri 4 vëllezër e motra, që të gjithë kanë pretendime pronësie. Avokatët komentojnë se mjafton që njëri të mos bie dakord e çështja ngec.  

Problematikat me testamentet

Kontestimet e akteve të trashëgimisë dhe të testamenteve janë çështjet më të gjykuara nga gjykata, pasi, në jo pak raste, mjaft dokumente të tilla, që ndajnë pronësinë mes familjarëve, janë konstatuar si të falsifikuara.

Përpos kësaj problematike, edhe shteti është i pafuqishëm përballë rasteve të tilla, pasi kemi të bëjmë me probleme pronësie mes familjarëve, ndaj shteti nuk mund të ndërhyjë për t’i shtetëzuar me qëllim konservimin e historisë së Tiranës.

(Foto: A. Meta)

Bashkia e Tiranës

Edhe vetë Bashkia e Tiranës s’ka të drejta ligjore në lidhje me objektet e vjetra historike në Tiranë, kur ato janë pronë private, aq më pak, kur mes familjarëve ka probleme pronësie.

Sipas zyrtarëve të Institutit të Momumenteve, ndërtesat historike në Tiranë thjeshtë janë inventarizuar, por secila do jetë e ardhmja e tyre ky është problem mes familjarëve.

Por, sikur të të mos mungonin këto probleme, lakmia është një tjetër kërcënim që ka goditur Tiranën e vjetër, pasi me ndërtimet në zonat historike, ku në vend të shtëpive të vjetra janë ndërtuar qindra e mijëra pallate, kjo ka çuar në rrënimin më të madh të tyre.

Brezat e mëparshëm që me shumë mundime i ngritën ato shtëpi, nuk po shohin se si pasardhësit e tyre po u’a rrënojnë lehtësisht nga lakmia. Tirana tashmë duket se është një kryeqytet pa kujtesë historike, ose, siç po thuhet: “Endem kot rrugëve në Tiranë, të gjej ndonjë gjurmë të qytetit që lamë”.

Related posts

Partitë politike shqiptare në RMV, 34-ër vite tallen me popullin !

Redaksia

Përpjekje për të fshehur Berishën, pas “bashkimit”

Xh M

13 pyetje për krimin në Shën Vlash

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy