Paris, 2 janar – Në dyqanet e tyre të braktisura dhe pothuajse rrugë të boshatisura, qyteti i vogël i Vallandovës është si edhe shumë qytete tjera në Maqedoninë e Veriut që të rinjtë e lëshojnë në numër të madh me shpresë të gjejnë jetë më të mirë jashtë, fillon reportazhi i Frans Presit përcjellur në numër të madh të mediave franceze si Le Poan, Frans 24, Bursorama etj, kushtuar emigrimit masiv drejt perëndimit, transmeton korrespodenti i MIA-s.
“Si edhe vendet tjera në Ballkan, Maqedonia e Veriut lufton me rënien alarmante demografike nxitur nga migrimi masiv dhe mosha e banorëve të saj”, thuhet në artikullin.
Vendi ka humbur 10 për qind nga popullsia në njëzet vitet e kaluara, ndërsa tani ka 1.8 milionë banorë, sipas rezultateve preliminare nga regjistrimi i shtatorit, 200.000 më pak se sa në regjistrimin e fundit në vitin 2002.
Tridhjetë vite pas pavarësisë së vendit, rreth 600.000 qytetarë të Maqedonisë së Veriut jetojnë në diasporë, tregojnë të dhënat e Bankës Botërore dhe Qeverisë së Shkupit.
Sipas AFP-së, mes arsyeve kryesore për këtë shpërngulje janë rritja e dobët ekonomike dhe mungesa e investimeve.
“Nëse rreth një e katërta prej 2.4 milionë banorëve tuaj janë larguar, duhet të jeni të shqetësuar seriozisht për atë se çka ka ndodhë”, ka thënë Apostol Simovski, drejtor i Entit Shtetëror për Statistikë (ESHS).
Pas pavarësisë së vendit në vitin 1991 shumica shpreson se hyrja në BE do të sjell progres.
Por, rruga e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së ishte e bllokuar sistematikisht së pari nga Greqia, pastaj nga Bullgaria që ka shkaktuar dyshime për mundësinë vendi një ditë t’i bashkohet bllokut 27.
Për ata që mbeten në vend paga mesatare mujore prej 470 euro mezi i kënaq nevojat bazë.
“Më mirë të jesh skllav për 2.000 euro jashtë se sa të jesh në shtëpi për 300 euro”, e dëgjojmë shpesh këtë frazë në vend.
Por Maqedonia e Veriut nuk është e vetme në këtë situatë në Ballkan, rikujton AFP.
Në Shqipëri rreth 1.7 milionë banorë ose pothuajse 37 për qind e popullatës e kanë lëshuar vendin në 30 vitet e kaluara.
Ndërsa, anëtarësimi në BE nuk garanton kthim të këtij trendi demografik, thekson AFP dhe jep shembullin me Kroacinë.
Nga hyrja në BE në vitin 2013, popullsia në Kroaci është ulur për 10 për qind dhe momentalisht mezi tejkalon katër milionë sipas rezultateve të para të regjistrimit në vitin 2021.
Por për disa rajone, ndoshta është shumë vonë, konstaton reporteri i AFP-së.
Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 16 për qind prej 80.000 njerëz në këtë rajon e kanë lëshuar vendin në dekadën e kaluar.
“Në rrugën time një e treta e shtëpive janë të boshatisura, ndërsa dy e treta do të jetë e zbrazur për dhjetë vite”, ankohet Igor Çançar (39 vjeç) nga fshati Brestovac.
“Treni i fundit po niset, ndërsa ne nuk bëjmë asgjë përveç se të qëndrojmë në stacion dhe të përshëndetemi”, nënvizon ai me fjalët me të cilën përfundon reportazhi i AFP-së mbi eksodin demografik në Ballkan.