Agjencia Zhurnal.mk.

Rëndësia dhe urtësistë e Agjërimit

Kuptimi dhe thelbi kryesor i agjërimit nuk është vetëm pushimi nga dëshirat e caktuara trupore, por arritja e kufirit më të lartë të mundshëm të përqendrimit shpirtëror për unitet me Allahun (xh. sh.).

Agjërimi është një formë adhurimi, që kryhet duke lënë ngrënien, pirjen dhe duke u larguar nga marrëdhëniet seksuale nga koha e imsakut deri në perëndim të diellit, në mbrëmje, me qëllim që t’i bindemi urdhrit të Allahut dhe të fitojmë kënaqësinë e Tij.

Ramazani është muaji me fokus të veçantë në adhurime si; agjërim, namaz, zeqatë, dhurim, dhikër, lexim të Kuranit, ndihma etj., me të cilat synohet shpërblimi i Allahut dhe kënaqësia e tyre të jetë edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër.

Në këtë muaj Allahu i madhërishëm u jep robve të Tij mirësi të mëdha. Në këtë muaj Ai i hap gjerësisht dyert e faljes. Në këtë muaj Ai jep shpërblime të mëdha edhe për veprat e vogla.

Në fakt, i dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Kur hyn muaji i Ramazanit, hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe lidhen shejtanët.” (Buhari, Bed’ü’l-Halk, 11; Muslim, Sijâm, 1, 2, 4, 5)

Në këtë muaj të bekuar sekreti i heqjes dorë nga kënaqësitë kalimtare dhe arritja e kënaqësive të përjetshme mbërrihen me agjërimin që e urdhëron Allahu (xh. sh.). Besimtari-agjërues e lufton nefsin e tij me një vetëdije të vazhdueshme adhurimi dhe e minimizon ndikimin e tij duke e mbajtur nën kontroll.

Agjërimi e plotëson gjendjen tonë morale, duke mësuar gjendje të tilla si “vendosmëria, durimi, këmbëngulja, vullneti, kënaqësia, guximi, distancimi nga dëshirat egoiste”, të cilat janë thelbësore gjatë luftës për jetë. Agjërimi vepron si një mburojë që e mbron nderin dhe dinjitetin e njeriut kundër dëshirave të pafundme të shpirtit për ushqim, për pije dhe për epsh.

Gjithashtu, na kujton bekimet e panumërta të dhuruara nga Zoti i madhërishëm përmes agjërimit, privimit (- heqjes dorë) dhe urisë. Agjërimi i bën zemrat tona të ndjeshme, me ndjenjat e dhembshurisë; i bën që edhe ato (ndjenja) të ndiejnë për të varfrit dhe për gjendjen e tyre të vështirë. Agjërimi gjallëron mirënjohjen. Me këtë karakteristikë, agjërimi është adhurimi më efektiv në eliminimin e aspekteve negative të jetës shoqërore si: mëria, zilia dhe xhelozia, të cilat e mundojnë shoqërinë.

Agjërimi është bërë obligim jo vetëm për këtë ummet, por edhe për ummetet e mëparshme. Allahu i madhërishëm thotë: “O ju që besuat! Agjërimi ju është bërë obligim disa ditësh, ashtu siç ishte obligim edhe për ata që ishin para jush, në mënyrë që të bëheni më të devotshëm…” (El-Bekare, 183-184)

Adhurimet që Islami i ka bërë obligim janë si ilaç për sëmundje të ndryshme shpirtërore. Dëshirat egoiste, mashtrimi nga stolitë e kësaj bote dhe prirja drejt kënaqësisë dhe argëtimit, janë gjithashtu arsye që zbulojnë sëmundje shpirtërore. Për të shmangur sëmundje të tilla shpirtërore, është i nevojshëm agjërimi. Agjërimi është mënyra më e mirë e këtij trajtimi. Sepse, Allahu i madhërishëm, që e krijoi njeriun, e urdhëron agjërimin. Sigurisht, Ai i di më së miri nevojat e robve të Vet.

Nga ana tjetër, agjërimi në një muaj të caktuar është gjithashtu i rëndësishëm për të siguruar unitetin dhe solidaritetin e myslimanëve.

Allahu i madhërishëm për Ramazanin dhe agjërimin thotë: “Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin ka zbritur Kurani si udhërrëfyes për njerëzit dhe argument i qartë për dallimin e së vërtetës nga e gabuara. Pra, ata prej jush që e kuptojnë muajin e Ramazanit duhet të agjërojnë në të! Kushdo që është i sëmurë ose udhëton në atë moment (aq sa ditët që nuk kapen) duhet të kompensojë ditët e tjera. Zoti dëshiron lehtësim për ju, jo vështirësi. Të gjitha këto janë që ju të plotësoni numrin dhe ta nderoni dhe falënderoni Allahun që ju tregoi rrugën e drejtë.” (El-Bekare, 185)

Sipas këtij ajeti, Allahu i madhërishëm dëshiron që besimtari të agjërojë si falënderim për shpalljen e Kuranit. Megjithatë, Ai ua ka bërë të lehtë agjërimin robve të Tij, si në çdo çështje tjetër. Ai kurrë nuk i vuri besimtarët në një situatë të vështirë. Në pjesën e fundit të ajetit, Ai theksoi çështjen e cila duhet të rezultojë plotësisht nga agjërimi. Prandaj, njerëzit i kuptojnë madhështinë dhe bekimet e Allahut përmes agjërimit dhe mësojnë ta falënderojnë Atë në mënyrën më të mirë të mundshme. Shkurtimisht, kuptimi dhe thelbi kryesor i agjërimit nuk është vetëm pushimi nga dëshirat e caktuara trupore, por arritja e kufirit më të lartë të mundshëm të përqendrimit shpirtëror për unitet me Allahun (xh. sh.).

Me pak fjalë, agjërimi është një nga ushqimet më të bukura për shpirtin. E bën robin (- njeriun) të jetojë fizikisht dhe financiarisht në një gjendje ushtrimi. Agjërimi e zhvillon shpirtin, duke e mësuar të përdorë edhe hallallin në maksimum. Besimtari që përdor hallallin, u shmanget më shumë gjërave të dyshimta dhe nuk u afrohet fare gjërave haram.

Related posts

Taravari: Me ardhjen e VLEN-it në pushtet, viktimat e rasteve të montuara do të lirohen dhe do të dëmshpërblehen

D V

Familja Aliti nga Tetova kërkon ndihmë, jeton në gjendje të mjerueshme (VIDEO)

I Z

Edhe djelmoshat shqiptarë në policinë e Zvicrës falën Fitër Bajramin

I Z

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy
Clicky