Agjencia Zhurnal.mk.

Rasti i Vanja Gjorçevskas, opinioni i tronditur, bëjnë apel për dënim maksimal

Shkup, 4 dhjetor – Vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska në mënyrën më të keqe e kanë përjetuar edhe qytetarët e vendit. Ata kërkojnë zbardhjen e plotë të rastit dhe apelojnë për siguri më të madhe nëpër rrugët e kryeqytetit.

“Tragjike, punë më të keqe se ajo s’ka. Unë vetë e kam vajzën 14 vjeçe, s’di çfarë të them, katastrofë e madhe duhet të ketë më tepër siguri në shtet.”, – tha një qytetar.

“Kjo tragjedi nuk ka shkronja në alfabet që mund të përshkruajë atë dhimbje. Njeriu nuk kompensohet me asgjë. Tragjedi, s’kam koment. Një fjalë popullore thotë se çfarë e ke në komshi, e ke në shtëpi, është rrezik.”, – tha një qytetar tjetër.

“Me të vërtetë është një rast i rëndë dhe përgëzoj organet e rendit që kanë bërë një punë të shkëlqyer që kanë gjetur ata monstrat, siç thotë edhe vet ministri, Spasovski, sepse mos t’i jepet mundësi eksponentëve të ndryshëm radikal ta keqpërdorin situatën.”, – u shpreh një qytetar.

Reagojnë edhe partitë politike dhe autoritet shtetërore. Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, pret shqiptim të dënimit maksimal për autorët.

“Besojmë që dënimi më i lartë duhet t’i shqiptohet këtyre monstrumeve, këtyre njerëzve të cilët nuk mund të thuhet se janë njerëz dhe besoj se dënimi me burgim të përjetshëm është dënimi më i paktë që mund t’u jepet këtyre personave.”, – theksoi ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.

Partitë, me akuza. VMRO-DPMNE-ja dhe Lëvizja “Besa” kërkojnë dorëheqje të ministrit të Brendshëm, Oliver Spasovski.

“Spasovski dhe LSDM-ja duhet të përgjigjen nëse grupe të tilla i stimulojnë dhe i përdorin për nevojat e tyre personale e më vonë t’i tolerojnë derisa të ndodhë një tragjedi e tillë, ku humbi jetën një fëmijë i pafajshëm? Është e papranueshme që për 8 vite kjo udhëheqje e MPB-së, e cila çdo ditë pas tragjedive të mëdha mundëson dhe merr pjesë në mosndëshkimin dhe relativizimin e krimit, të jetë ende në pushtet në Maqedoni.”, – deklaroi Igor Janushev nga VMRO-DPMNE-ja.

“Derisa kriminelëve iu deshën vetëm disa sekonda për ta grabitur dhe ta vrasin, policisë i duhej një javë kohë që në fund ta gjejë të vdekur. Po ashtu u gjet edhe një trup i pajetë i 74-vjeçarit nga Velesi, i cili po ashtu dyshohet se është vrarë nga grupi i njëjtë kriminel, i cili në Shkup vepron për një kohë më të gjatë. Kjo e nxjerr në pah të vërtetën se Maqedonia e Veriut është shndërruar në fushë krimi dhe fole të kriminelëve.”, – u shpreh Lulzime Ameti nga Lëvizja “Besa”.

Nga LSDM-ja thonë se MPB-ja dhe Prokuroria Publike kanë punuar intensivisht në zbardhjen e rastit dhe për shkurtë kohë kanë gjetur autorët e krimit.

“Në kuadër të kompetencave të tyre ligjore, MPB-ja dhe Prokuroria Publike kanë ndërmarrë veprimet e duhura me kohë, kanë treguar përkushtim dhe profesionalizëm në nivel të lartë. Ne presim që në afatin më të shkurtër të mundshëm të gjithë autorët dhe të përfshirët të dalin para drejtësisë dhe të mbajnë përgjegjësi për krimin që tronditi mbarë shoqërinë tonë.”, – thonë nga LSDM-ja.

Ngushëllime për rastin në fjalë kanë shprehur edhe i gjithë faktori politik në shtet, përfshirë presidentin, kryeministrin dhe kryeparlamentarin.

Related posts

Brenda pesë vjetësh dyfishohet çmimi i banesave në Shkup

Xh M

IPIS demanton: Anketa që shpërndahet në rrjete sociale është e rrejshme

Xh M

Rusia bën propagandë në Ballkan – shfrytëzon profesorë, politikanë dhe klerikë fetarë

Xh M

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy