Agjencia Zhurnal.mk.

Rama: Nuk mbahet mbledhja mes dy qeverive

Mbledhja mes qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë, e planifikuar për të mërkurën e 14 qershorit në Gjakovë, është anuluar.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në një konferencë për media ka thënë se ka informuar Kurtin se në këto kushte, takimi nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar.

“Në kushtet e përkeqësimit  të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë Euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar. I kam kërkuar Albinit që të takohemi në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e mbrojtjes dhe të jashtëm”, ka deklaruar Rama.

Rama tha se për shkak të situatës në veri të Kosovës dhe përkeqësimit të raporteve të Prishtinës me aleatët perëndimor, takimi në Gjakovë nuk është i mundur të mbahet siç është paraparë sepse “nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot”.

“Për fat të keq edhe me shumë keqardhje më duhet të them se nuk kemi pasur dakordësi me Kurtin për një ndryshim të formatit dhe ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutojmë për këtë por kjo nuk është e mundur sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që ndodh me realitetin e Kosovës sot”, tha Rama.

“Mbase nuk është një përgjigje përfundimtare nga ana e kryeministrit, besoj shumë që të mund të takohemi, për të ballafaquar opinionet në kushtet kur përsëris jemi në prag të lëvizjes së planit, nuk ma zë goja të flas për sanksionet, por të masave shtrënguese ndaj shtetit që është krijuar nga ata që qartësisht janë në kushte të sosjes së durimit”, ka thënë ai.

Në këtë mbledhje ishte planifikuar takimi i kryetarëve të komunave të zonave kufitare në të dyja vendet, ku pritej të diskutoheshin që sfidat të kthehen në mundësi dhe mundësi në përfitim për qytetarët.

Ndryshe, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka mohuar zërat për anulimin e mbledhjes së dy qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë që është planifikuar të mbahet të mërkurën, 14 qershor, në Gjakovë.

“Gjithçka është gati në Gjakovë. Kryeministri Kurti tani po merr pjesë në koncertin e sotëm atje të Ansamblit Shota dhe muzikantëve nga Kosova nga Shqipëria që është edhe uverturë për mbledhjen e nesërme”, ka thënë ai.

Mbledhja në Gjakovë pritej të mbahej disa ditë pasi Rama ua ka dërguar një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Rreth këtij propozimi, Kurti të martën në një konferencë për media ka thënë se Rama, në vend që të propozojë Asociacion për serbët në Kosovë, le t’ia propozojë një të tillë Beogradit, për shqiptarët në Serbi.

Në mbledhjen e nëntë mes dy qeverive pritej të nënshkruheshin 13 marrëveshje në fusha të ndryshme: drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, kulturës, ndërmarrësisë dhe mbrojtjes. Në mesin e tyre ishte edhe një deklaratë për forcimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e sigurisë.

Qeveria e Kosovës ka thënë paraprakisht se nga 41 marrëveshje të nënshkruara në dy mbledhjet pararendëse, 39 prej tyre janë zbatuar plotësisht e dy tjera janë në fazën finale të zbatimit.

Related posts

Vendimi për dinarin, Osmani dhe Hovenier diskutojnë për propozimet që ofrojnë zgjidhje për planin e tranzicionit

D V

Motra e Ganimete Musliut thotë se deputetja e kaloi me sukses operacionin

D V

Vdekja e katërvjeçares – Ministri Vitia në pritje të raporteve për të marrë masa

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy