Sot është mbajtur protesta për gruan shtatzënë, të vrarë mbrëmë nga ish-bashkëshorti i saj në oborrin e QKUK-së.
Kjo protestë ka filluar në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe është drejtuar drejt Stacionit Policor, për të përfunduar në oborrin e Qeverisë së Kosovës.
Thirrjet e grave ishin të shumta, ndër to edhe thirrjet “Poshtë gjykatat dhe prokuroritë patriarkale”, “Poshtë Qeveria dhe Policia patriarkale”, “Drejtësi për gratë e vrara”, “Boll ma”.
Arbresh.info ka pyetur disa protestues, shumica e të cilëve ia lanë fajin sistemit të drejtësisë, i cili sipas tyre nuk po bën mjaftueshëm në dënimin e vrasësve të grave.
Ata mendojnë se duhet të ndërmirren masa dhe të aplikohen mjetet më të ashpra në mënyrë që këto raste të mos ndodhin më, dhe populli të vetëdijësohet.
Megjithatë, ka edhe të tillë që mendojnë se fajin nuk e ka sistemi i drejtësisë, por mungesa e edukimit të shoqërisë në Kosovë, i cili sipas tyre, duhet të fillojë nga familja, shkolla dhe të përcillet në shoqëri.
Protesta e sotme erdhi si pasojë e vrasjes tragjike të 35-vjecares shtatzënë, mbrëmë në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, ku i dyshuari Sokol Halili, ish-bashkëshorti i viktimës Hamide Magashi, e vrau atë dhe fëmijën që kishte në bark me disa plumba.
I dyshuari gjendet në arrati, meqë Policia ende nuk ka arritur ta kapë atë.